Nga Spiro Cura
Deklarat e komisionerit Hahn mbi Çështjen Çame dhe impenjimin për ta zgjidhur atë, është një deklaratë shumë e rëndësishme për çështjen kombëtare shqiptare, sepse plotëson hartën identitare të shqiptarisë. Jehona që pati kjo deklaratë në Shqipëri ka krijuar shpresë se gjërat po lëvizin në favor të drejtësisë dhe kompletimit organik të realitetit shqiptar. Shumë personazhe të jetës politike dhe akademike kanë folur si rrjedhojë e kësaj deklarate për të drejtat e njeriut, shfuqizimin e ligjit të luftës me Greqinë, pronësinë e minoriteteve në Greqi deri tek një hap i ri për marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Por, mendimi i Komisionerit Hahn shkon më tej se kjo. Për të gjithë ata që e njohin mendimin europian nga këndvështrimi organik, mendimi i komisionerit duhet vendosur në një këndvështrim, ku nga e ardhmja shikohet e tashmja. Po të vendosesh në vitin 2050, Europa është një Unitet politik i bashkuar, ku të gjitha popullsitë që e përbëjnë atë kanë një unitet të lartë shpirtëror të shprehur nëpërmjet një mesatare të lartë, kanë një gjuhë të kuptueshme për njëri-tjetrin, me anë të së cilës kuptohen dhe veprojnë e punojnë bashkërisht, si edhe kanë simbolika të përbashkëta dhe jo pak në raport me besimin hyjnor. Gjithashtu në planin organizativ politik Europa është e organizuar me rajone (Rajoni Adriatiko-Jonian për shembull), ku kanë rënë kufijtë politikë, doganat, barrierat administrative e të tjera. Strukturat qeverisëse përbëhen nga burime njerëzore të të gjitha kombeve pa dallim dhe parimi është një zemër, një mendje dhe miliona gjymtyrë. Një shtresë kulturëmbajtëse udhëheq Europën nga Brukseli dhe Komisioneri Han do të quhet një baba i Europes së re që ka lindur.
Këndvështrimi europian, në këtë rast për Çështjen Çame, e cila fillon sot dhe shtrihet në kohë është ai për një popullsi, pjesë e një kombi europian, si gur i çmuar në gjerdanin e realiteteve europiane, si nevojë organike në vendin e vet, pronën e vet, me të drejtat e njohura të njeriut e të tjerë. Por, shkon edhe më tej. Çështja Çame për Europën është edhe një çështje pasurie, kulturore e një realiteti historic, e cila shton vlerën e Europës si bashkim i rrafsheve kulturore në kohë, në funksion të së ardhmes. E ardhmja mbarset me të shkuarën dhe prevalon në funksion të unitetit.
Biri lind Babain që në mendimin europian do të thotë që të gjithë do të shkojnë në moshën e burrërrisë për t’u ndeshur me rrjedhat e jetës. Në këtë këndvështrim kjo çështje nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një pasuri kulturore për t’u zgjidhur dhe vënë në funksion të unitetit europian. Çështja Çame nuk është vetëm dukshmëri, por duke shtuar simbolikën kulturore kthehet në realitet. Europa është bashkimi i realiteteve dhe për ta kuptuar këtë njerëzit kanë nevojë të vënë në funksion shqisën metafizike. E ardhmja europiane që po konturohet dhe realizohet në Bruksel dhe që mesazhohet nga tavolina e Komisionerit Hahn është Unitet Europian i vlerave, mundësive, funksioneve, fantazisë së të gjithë kombeve të plota europiane që e përbëjnë. Kombet e plotësuara dhe të përmbushura kanë vendin e tyre në zemrën dhe mendjen e saj dhe janë gjymtyrë të shëndetshme të organizmit europian.
Njerëzit apo shtetet pa shqisë metafizike nuk e kuptojnë mendimin europian dhe ngelen tek dukshmëria duke bërë rezistencë ndaj pjesës themelore të shpirtit europian që është kerkimi i pafundësisë. Pra, nuk e kuptojnë realitetin. Popujt që nuk munden të kuptojnë do të jenë thjesht gjymtyrë. Përjetimi i së kaluarës së lavdishme që ka vdekur do të jetë mënyra e tyre e jetesës. Mundësia për t’u përfshirë në rrjedhat e reja të historisë do të humbet prej tyre dhe e ardhmja nuk do të ketë vend në histori për ta.
Çështja Çame është sa e vjetër dhe e re, sepse është e mbushur me simbolikat kulturore të një kombi të vjetër dhe të ri europian.