30 apartamente janë shkrumbuar si pasojë e zjarrit që përfshiu pasditen e djeshme kompleksin “Arlis” pranë QSUT në Tiranë.
Pamjet apokaliptike tregojnë ndërtesën e shkrumbuar, rrënojat dhe tymin që ende del nga disa apartamente, ndërsa fasada, e cila ka dy shtresa, është djegur e tëra në pjesën e jashtme të saj, ndërsa është prekur edhe shtresa e dytë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se si pasojë e zjarrit rreth 11 persona janë asfiksuar, ndërsa bilanci i saktë i të dëmtuarve dhe dëmeve pritet të përcaktohet gjatë ditës.
Shkaqet e rënies së zjarrit janë ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se flakët kanë ardhur nga djegia e kartonave të “Big Market”. Megjihatë autoritetet kanë nisur hetime për zbardhjen e plotë të rastit.










