Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

2015, cilët ishin librat që shënuan sukses

Nga Alma Kodra 0

Fatos Kongoli, “Gjemia e mbytur”

Në fillim të këtij viti, shkrimtari i njohur erdhi për lexuesin me romanin e tij më të fundit “Gjemia e mbytur”, botuar nga “Toena”. Një libër që ngre pyetje ekzistenciale mbi natyrën njerëzore, nga dhuna, te vrasja e ndërgjegjes, ndjesa e dashuria. Edhe kësaj here autori tjerr fabulën e fateve njerëzore, shpirtin e të përvuajturit për shkak të njerëzve të përçudnuar. Thotë se e ka shkruar si një homazh për jetët e humbura gjatë diktaturës. Një rrugëtim mbi plagët e së shkuarës, po aq sa edhe një inkursion i brendshëm. Njeriu mund t’ua fshehë gjërat të tjerëve, por jo vetes…

Bashkim Shehu, “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”

Një roman labirint ka preferuar ta quajë vetë autori. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekti për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri

“Arti si mëkat” dhe “Kukulla”, nga Kadare

“Arti si mëkat” është një sprovë letrare, ku Kadare zbërthen lidhjet e artistit dhe shkrimtarit me artin dhe letërsinë. Ka dy fate artistësh. Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkeve miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin. Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. “Kukulla” është romani ku shkrimtari i mirënjohur rrëfehet për nënën. Jo vetëm si profil, por edhe si një rrëfim i një natyre intime mbi misterin që vishet Gjirokastra prej aneve. Ky rast i këtij profili mbi nënën, për herë të parë tjetërson Kadarenë duke ju larguar “gjykimeve” të ashpra mbi ndjesitë personale.

“Heronjtë janë të uritur”, nga Gëzim Qëndro

Tabloja e Spiro Xegës “Çeta e Shahin Matrakut (1930) është bërë objekt i një studimi të Gëzim Qendros, në librin me titull “Heronjtë janë të uritur”. Botimi, hedh dritë mbi simbole të fshehura të tablosë. Ndryshe nga ç’është shkruar rreth përmbajtjes patriotike të subjektit, Qendro mendon dhe argumenton se Xega ka pasur në mendje diçka më të zakonshme: Thjesht ngrënien e një darke, një copëz nga jeta e përditshme. “Përkundër artistëve romantikë, që zgjedhin subjekte të lidhura me përjetësinë, Xega si piktor realist, zgjedh një subjekt të lidhur me përditësinë e njerëzve të thjeshtë.

“Kandidati” i Ben Blushit

Dhjetëra mijëra kopje të shitura, një debat në media dhe qarqet letrare, e kanë bërë Ben Blushin shkrimtarin me numrin më të madh të kopjeve të shitura për libër gjatë 20 viteve të fundit. Por jo vetëm kaq…Ky roman merr përsipër të tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Njëri nga kandidatët për bashkinë e Basenit vdes papritur pas hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë fiton. Zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur për shkak të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti të pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Kandidati është një roman që kërkon të vizatojë me fantazi, me cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën Ben Blushi e njeh shumë mirë…

“Të gjallë e të vdekur”, Ilirian Zhupa

Një libër i lajmëruar qysh në vitin 1992, e gjeti rrugën e botimit vetëm 23 vite pas. “Koha e kaluar vit pas viti më bindën se nga kjo ngrehinë, e paralajmëruar në gazetën “Drita”, unë kisha vetëm një dorë poezish që i përgjigjeshin idesë ekzistenciale të këtij organizmi, të kësaj ndërmarrjeje strukturore e materiale. Në 23 vjet “dolën të tepërta’ shumë nga poezitë e variantit të parë të librit. Ky libër është bërë çdo natë dhe çdo ditë të jetës sime”…Kështu tregon autori për këtë libër, i cili u promovua në tetor të këtij viti.

“Vajzat e mjegullës”, Namik Dokle

Një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit. E vjetra, e reja, e shkuara, e sotmja, të moçmit e më të vegjlit, miqtë e të paftuarit, të huajt e të afërmit, legjendat dhe historia, besëtytnitë dhe besimi në Zot, festat dhe vajtimet, mësuesit e jetës dhe ata të librave, varfëria dhe shpirti i pasur, traditat e një populli dhe përpjekjet e dhunshme të një shteti për ndërtimin e idealeve të rinj, dielli dhe mjegulla…të gjitha të sjella në sytë e një fëmije, me një shije Realizmi Magjik prej stilit dhe narracionit.

Agron Tufa, “Gurit të varrit ia tregoj”

Me këtë roman Agron Tufa ka prekur temën tabu të fatit të femrave të bukura në diktaturë, por dhe femrave të familjeve të persekutuara, të cilat kanë qenë pre e dhunimit, përdhunimit që zbret deri në nënvetëdijen e personalitetit. Një temë që u ngrit ditët e fundit edhe në një debat publik që përfshiu shumë personalitete të kulturës. Pavarësisht se personazhet e librit të Agron Tufës të gjallojnë si të vërtetë, vetë autori paralajmëron se Ngjarjet, personazhet dhe situatat e pasqyruara në këtë libër janë të trilluara. Çfarëdo ngjashmërie apo përafrimi me ngjarje reale, situata apo persona, gjallë a vdekur qofshin, është krejtësisht i rastësishëm…

Kim Mehmeti, “Shpërngulja e të vdekurve”

Kim Mehmeti ka zgjedhur që romani i tij më i fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, botuar nga “Saras”, të rrëfejë kujtimet që evokon një gjyshe, gjyshja e tij. Edhe pse libri është prodhim i imagjinatës dhe vetë autori rrëfen se nuk ka jetuar me gjyshërit e nuk ka dëgjuar histori e legjenda prej tyre, mbështetet mbi një realitet dhe kontekst historik. Autori pohon se nëpërmjet këtij romani ka mëtuar të ndërtojë një përmendore për gruan shqiptare të Maqedonisë dhe flijimit të tyre për të mbajtur gjallë dhe të paprekur tiparet e dallueshmërisë.

“Ambasadori i Melkizedekut”, nga Veton Surroi

Ky libër sjell shënimet heretike të Surroit për eksperimentimet politike të çastit dhe rastësisë, dilemat ideologjike-religjioze e deri te realitetet politike e kriminale që e kanë sjellë Kosovën në gjendjen në të cilën është. Në 283 faqet e librit janë qindra histori, të mëdha e të vogla, të shkëputura prej njëra-tjetrës, por të ndërlidhura ngushtë brenda rrëfimit, në masë të madhe edhe tragjik, për shqiptarët dhe Kosovën. Surroi flet hapur edhe për rrezikun që shqiptarëve u kërcënohet nga ekstremizmi islamik dhe putinizmi, në kohën kur rrugëtimi drejt demokracisë liberale dhe integrimeve evropiane u është ndërlikuar shumë nga të tjerët, por më së shumti nga vetvetja

Luan Starova, “Kartagjena nuk mposhtet”

Në vitin 1991, miku i tij, poeti Ali Podrimja botoi në Prishtinë të vetmen përmbledhje poetike të shkrimtarit Luan Starova “Kartagjena nuk mposhtet”. Titulli metaforik i së cilës, duke pasur parasysh kohën dhe kushtet e botimit, të bënte të mendosh se është shkruar pikërisht për Kosovën. Kjo bëri që vepra të mos mbërrinte dot deri te lexuesi. Kopjet e dala nga shtypshkronja u sekuestruan dhe u dogjën nga xhandarmëria serbe. Podrimja arriti të shpëtonte pesë prej tyre… 24 vjet më pas libri ka mbërritur në të gjitha libraritë e Tiranës, nën logon e shtëpisë botuese “Poeteka”. Poezi ku gërshetohen trualli i thatë dhe drita vetëtimtare, rërat e shkretëtirës dhe furtunat e detit, alfabeti i shkrimit dhe vullkanet e asgjësimit.

“Në gjuhën e zgjimit”, Lindita Komani

Ky libër flet për lëndën dhe trajtën, i hershmi për frymën e botës estetike të autores. Në gjuhën simbolike të zgjimit simbolik përvijohen në vijat thelbësore, jo tjetër pos trazimeve e shpresave thelbësore përmes një ndriçimi e synimi rigjenerues, po të tillë, thelbësor të një gjeometrie simbolike vlerash. Kështu, një rrjetë dominuese simbolike i hidhet përmbi rrjetës fabulore – kur ka një të tillë; personazhet mendojnë e lëvizin natyrshëm, por njëheri ‘të kushtëzuar’ në lirinë e plotë të tyre prej emrit – koncept a simbol me të cilin janë pagëzuar.

Darien Levani “Dopio gjashta”

Në Shqipëri, e Keqja, me germë të madhe, ka fytyrën e një polici të korruptuar, të një vrasësi të paskrupullt, të një krimineli të vetëkënaqur. Ajo na shfaqet përditë në televizion, në gazeta e në rrugë. Po e Mira ku është? Ajo merr trajtën e njerëzve të thjeshtë, të stërmunduar e të zhgënjyer, por aspak të kulluar; edhe ata plot me dredhi e prapësi, megjithatë e dinë gjithmonë ndryshimin midis të Mirës dhe të Keqes. Kjo është e Mira shqiptare. Sikur vetëm të dilte nga kllapia e kafeneve.

“Tokëmjalta” e Enit Karafilit

Një rrëfim i shtruar, qetësues në sipërfaqe, e megjithatë mbartës i kontradiktave të modernitetit tonë sa të ngutur, aq edhe të vonuar. Një dashuri e hershme, rrjedha e së cilës bëhet jehonë e jetëve të rrëmbyeshme e të lodhshme të shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë; dy personazhe të plota, të fuqishme, që duhen, ndahen, përpiqen e pothuajse digjen në betejën e tyre për t’u gjetur përsëri. Pleksur me këta shpirtra luftarakë, zbulojmë një rrëfimtar që, si një varkë e vogël, pa vrulle të mëdha, lundron mbi rrafshin e një bote sa pa tronditje, aq edhe pa rehati. Dy rrugëtime drejt lumturisë, dy mendësi të kundërta…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej