Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Xhaja nuk e ka parë “Les Invalides” ose Rama që nuk kemi parë

Nga 27.al 0

Nga Ilir Babaramo

Edi Rama sot kishte takimin e radhës gju më gju me popullin. Si çdo ditë, të gjitha televizionet informative e transmetuan live mise en scene e radhës, kur lideri suprem flet para një auditori të përzgjedhur.

Më bëri përshtypje portreti i një burri në moshë. Nuk ishte me qeleshe si ai që pasi mori tapinë thirri me të madhe: “Rroftë sekretari i parë shoku Edi Rama!”. I hapa audion televizorit. Xhaxhai e falenderoi Ramën se: “…ke ndërtuar në Shqipëri muzeun e mbrojtjes që nuk e gjen askund në botë”.
Kryeministri rrëmbeu mikrofonin. Isha i gjithë sy e vesh të dëgjoja se çfarë përgjigje do t’i jepte. Më e pakta, prisja që t’i thoshte: “Mbaje butë xhaxha se Shqipëria nuk ka muzeumet më të mira në botë.”. Por, nuk ndodhi kështu. Rama u fut në kujtime: “Po kam bërë një pikturë tek ai muze bashkë me Vladimir Myrtezain. E bëmë me ngjyra të errëta, çka ishte e ndaluar për atë kohë. Mund të them se piktura është e mirë dhe i ka rezisutar kohës”, tha Rama për veten dhe Xakun.
Ndonëse jam pasionat muzeumesh nuk e kuptova se për cilin muze shqiptar ishin duke molloisur xhaxhai me kryeministrin, por kjo pak rëndësi kishte. Më çuditi fakti se Rama tashmë jeton në një botë tërësisht virtuale. Mjafton që t’i përkëdhelet sedra dhe është i gatshëm të pranojë dhe budallallëqet më të mëdha. Nuk ka shpjegim tjetër.

Rama është një njeri që ka udhëtuar dhe ka parë më shumë se pakkush. Ka parë muzeume pa fund. Ka jetuar në Paris. Pa dyshim i ka vizituar “Les Invalides”, muzeumin e famshëm në zemër të Parisit, godinën hijerendë me kupolën më të shndritshme, poshtë të cilës është varri i Napoleonit. Qindramijë shqiptarë mund ta kenë vizituar. S’ka muze më të mirë në botë për të kuptuar fushatat e Bonapartit dhe Luftën e Dytë Botërore. Por jo, siç duket për Ramën asgjë në botë nuk ka vlerë, nëse nuk është në kuadrin e “Rilindjes së dytë” shqiptare. Naiviteti ose servilizmi i xhaxhait mund të kuptohet, por jo çfarë tha Rama. Madje, s’mund të krahasohet as me mise en scene tjetër të porositur, atë me Vorspin që sipas saj: “Rama, kur ishte në Paris kishte mrekulluar gjithë Parisin…”.
Është vërtet e frikshme çfarë po ndodh në nënndërgjegjen e atij që po qeveris Shqipërinë prej gjashtë vjetësh.

Në 25 vjetët e fundit të jetës së tij Enver Hoxha nuk doli kurrë nga Shqipëria. Shqiptarët ishin njerëzit më të izoluar në Evropë. E megjithatë, diktatori kurrë nuk u kaplua nga një delir i këtillë. E pranonte që vera shqiptare është uthull. Në ato që ka shkruar në pleqërinë e thellë ndjehej në rreshta e mes tyre nostalgjia për shkëlqimin e Parisit. Rama nuk jeton rrethanat e Hoxhës. S’ka muaj që nuk udhëton zyrtarisht e privatisht. Por, ato që shikon duket se nuk kanë më lidhje me trurin e tij. Asnjë mendje normale që nuk është klinicist nuk mund ta shpegojë këtë fenomen që patjetër duhet të jetë një sindromë ose patologji.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej