Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Tridhjetë vjet nga fluturimi i shtërgut të fundit

Nga admin 0

gjuhëtari David Luka e pyet se përse nuk mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit.
Poeti i përgjigjet:
-“Unë kam shumë frikë nga historia!”
Nga Ilir Seci

Në datën e sotme, plot tridhjetë vjet më parë, më 12 Nëntor 1987 ndërrroi jetë gjigandi i poezise shqipe, Lasgush Poradeci. Emri i tij i plotë ishte Llazar Sotir Gusho, u lind më 27 Dhjetor 1899 dhe vdiq më 12 Nëntor 1987.
E kujtoj si sot habinë time prej gjimnazisti në vit të tretë, kur u dha lajmi se kishte vdekur poeti Lasgush Poradeci.
-“Pse paska qenë gjallë!?” – ishte habia e natyrshme për një poet qe nuk përmendej, athuase nuk jetonte, deri në atë ditë kur u dha lajmi i vdekjes. Ngaqë në tekstet shkollore Lasgushi permendej si poet i viteve ‘30, ne na ishte ngulitur në mendje ideja se poeti nuk jetonte më. Ishte lënë në harresë nga sistemi, nji harresë e helmët e ushqyer nga smira dhe zilia e drejtuesve të Lidhjes se Shkrimtarëve. Lasgushi, për Lidhjen e Shkrimtarëve të lidhur pas Partisë, ishte model katërcipërisht i kundërt me ta. Poeti kishte preferuar heshtjen përpara zulmës që mund t’i sillte Lidhja pas Partisë. Shkrimtarëve të Oborrit, krijuesve xhonglerë të Bllokut që shkruanin sipas mësimeve të shokut Enver, modeli Lasgush Poradeci ishte model që i tërbonte, mu ashtu si tërbohen njerezit e përdalë përballë modelit të njerëzve të virtytshëm.
Gjigandi Lasgush Poradeci me gjeninë e vet krijuese zgjodhi jokonformizmin, shpërfilli atë sistem duke zgjedhur heshtjen dhe harrimin në vend të zulmës e lëvdatave që mund t’ia jepte me dekret diktatura.
Koha i dha të drejtë!
Kur gjërat ranë në vend të vet dhe arti u vlerësua si art, poeti i madh mbeti aty ku ishte, aty ku kishte qenë gjithë jetën, në Panteonin e Poezisë Shqipe, atë panteon ku nuk hyn kush me dekrete të partive dhe qeverive që vijnë dhe shkojnë. Atë Panteon. ku hyjnë poetët e vërtetë dhe jo – “Boritë e partisë” – siç i quante vetë Lasgushi servilët e regjimit diktatorial…
Lasgushi vjen në letërsinë shqipe në vitet tridhjetë, në ato vite lulëzon krijimtaria e tij.
Vjen si një model i ri, shfaqet modern në mesin e një trashëgimie letrare të dominuar nga krijimtaria me frymëzime folkloriko-patriotike. Lasgushi vjen në letërsinë shqipe si një krijues i ri me një krijimtari që shpërtheu si një yjësi e re në universin letrar shqiptar. Jo se Lasgushi nuk i vlerësoi temat folklorike dhe patriotike, aspak, por Lasgushi i modernizoi ato tema, si ka arritur ta bëjë te poezia “Poradeci”, ku poeti përmbledh dramën e copëtimin te trojeve shqiptare në mënyrë mjaft lakonike:

Duke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi
.

Drini i Zi buron në tokat tona mbetur në Maqedoni, kurse Drini i Bardhë në Kosovën e asaj kohe që ishte nën Serbi. Drini plak… Drini shqiptar. Drini i Bashkuar në Kukës pastaj rrjedh përsëri, “…mes-per-mes nër Shqipëri”, sepse jashtë kufinjve administrativë, në veriperendim të atdheut janë trojet tona në Mal të Zi. Pa patetikë, pa deklamacion, në konkluzionin e nji poezie brilante, Poeti me dy rreshta fshin lotin e dhimbjes që i shkakton drama kombëtare.
Me vendsojen e diktaturës komuniste liriku gjigand heshti. Shtergu i qiejve nuk pranoi konformizëm, heshti, nuk pranoi të bëhej “Bori e Partisë” si u bënë ata që i ironizonte vetë Lasgushi, ata poetët dhe shkrimtarët që trumbetoheshin si pararojë e realizmit socialist. Për këtë gjë Lasgushi u la në harresë, pse nuk zgjati qafën plot nënshtrim. Në kohën kur trumbetohej se artin e bëjnë “inxhinierët e shpirtërave”, nuk kishte vend për vargjet e Lasgushit që apelonin për shpirtëra të lirë, për ndjenja të thella, për lirinë e njeriut. Mbas vitit 1945 Lasgushi u mor kryesisht vetëm me shqipërime duke na pasuruar gjuhën me disa nga përkthimet më të arrira ndonjëherë në gjuhën tonë.

Lasgushi ishte krijues dhe intelektual i përgjegjshëm. Kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe në vitin 1972 e kishin ftuar edhe Lasgushin, por poeti shmang pjesmarrjen duke u shtruar në spital sikur ishte sëmurë. Mbas disa kohësh miku i tij, gjuhëtari David Luka e pyet se përse nuk mori pjesë në kongresin e drejtshkrimit.
Poeti i përgjigjet:
-“Unë kam shumë frikë nga historia!”
Kështu mendon një intelektual i përgjegjshëm për veprimet e veta, që mendon për më gjatë se lavdia e momentit. Kështu mendon krijuesi që çmon të vërtetën më shumë sesa titujt dhe vlerësimet e dhëna me dekret nga regjimi vrastar, për shërbimet e vyera. Krijuesi me moral qëndron kryenaltë dhe nuk zgjat qafën për t’iu nënshtruar plot servilizëm hallkave që i vënë despotët.
Nderim për Poetin e madh të Kombit tonë!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej