Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Shqipëri… profesioni trajner

Nga 27.al 0

Saimir Demi

Nga Saimir Demi

Një gjë është e sigurtë, në futbollin shqiptar pankina nuk është institucion. Të gjithë ata që kanë të drejtë të vendosin, nga më të parëndësishmit dhe deri tek më të mëdhenjtë, të cilët mbajnë në brez çelësa të rëndë kanë të njëjtën taktikë, injorimin e trajnerëve që punësojnë, duke mos u interesuar fare karriera e tyre e mëparshme dhe e tanishme. Më kujtohet dikur, që një president i është drejtuar pas një ndeshje, një trajneri me fjalët: “Ti xhaxh, merr xhaketën dhe ik në shtëpi”… dhe kështu iu drejtua pikërisht Faruk Sejdinit, duke mos ia respektuar as vitet e karierës dhe as ato që mbante mbi supe. Por, kjo është histori e vjetër, ndërsa tani mënyra e komunikimit me një trajner, kur është vendosur se duhet larguar, ka evoluar në bazë të zhvillimeve teknologjike. Ngarkohet dikush nga klubi për të telefonuar dhe të komunikon për punë sekondash që sapo i je bashkuar ushtrisë së të papunëve në Shqipëri. Por, ky gjithsesi është rasti i mirë, pasi ndodh që dërgohet një mesazh i thatë, ku edhe emrin ta shkruajnë me gërma të vogla. Nuk ka rast më unikal se ai që po i ndodh aktualisht Agostinelit tek Skënderbeu. Gjatë javës, në prag përpara një ndeshje shumë të rëndësishme, siç ishte transferta e Vlorës, duke aktivizuar edhe gazetarët besnikë, të cilët për fat të keq janë shtuar shumë në numër, lajmërohej se në rast të një rezultati negativ, trajneri duhet ta zgjidhte vetë mënyrën për t’u kthyer në shtëpi. Dhe skuadra e tij po përgatitej të luante pikërisht kundër Flamurtarit, një kundërshtari që kishte nevojë për pikë më shumë se kurrë dhe që i ka mundur korçarët edhe në kohën e Shkëmbit, që duhet vlerësuar si periudha e artë e kampionëve. Më pas, Skënderbeu u mund pothuajse pa luajtur fare dhe Agostineli thotë pas ndeshjes që të paktën ai ka punuar ndershëm. Tirana bën një ngritje graduale në lojë dhe kur arrin afër majës dorëzohet në Peqin ndaj Luftëtarit, më pas drejtuesit vendosin të mbjellin fushën dhe e transferojnë në Laç një ndeshje që duhet ta luanin në shtëpi, ndërkohë që për paradoks, tani ndërpritet kampionati për hir të Kombëtares dhe do ta kishin të gjithë kohën në dispozicion, për ta mbjellë fushën fillimisht me lule dhe pastaj me bar. Dhe larguan Dajën, duke ndjekur skemën shqiptare: Bjeri në qafë një herë skuadrës, për të justifikuar mesazhin e lamtumirës drejtuar trajnerit. Por çfarë ndryshimi ka me mënyrën se si Duka largoi Jupin nga pankina e Shpresave? Asnjë dhe nuk ka arsye pse të funksionojë ndryshe… Armando Duka është thjeshtë presidenti i këtyre presidentëve.

Reagimi i trajnerëve…

Këtu pankina nuk konsiderohet institucion as nga vetë trajnerët, por ne për momentin kemi të drejtë vetëm në konstatimin e këtij problemi fatkeq në futbollin e vendit. Ndërsa është e tepërt që të ngulim këmbë, që vetëm presidentët janë mëkatarë për nëpërkëmbjen e kësaj hallke kaq të rëndësishme. Vetë trajnerët, të dikurshëm dhe të tanishëm, e kanë konsideruar gjithmonë veten si viktima të pafuqishme, duke e merituar indirekt një trajtim të tillë. Pothuajse asnjëherë nuk kemi qenë dëshmitarë të ndonjë reagimi të fuqishëm, thjeshtë për të vënë në vend dinjitetin, aq sa është krijuar bindja, se e kanë pranuar këtë realitet, duke e çmuar këtë sistem të deformuar, si mundësinë e vetme për të qenë herë pas here i zënë me punë. Dhe kështu duhet të jetë. Agostineli zëvendësoi Josën, Mireli i zuri stolin e Ilir Dajës. Ky i fundit, apo Redi Jupi (ende nuk dihet se cili është në avantazh) do të largojnë Agostinelin. Pra, është thjeshtë një rreth i mbyllur. Ndërkohë që flitet edhe për një xhiro me numër të kufizuar personazhesh (në të vërtetë disa e njohin mjaft mirë profesionin), që justifikohet me faktin se vetëm këta janë trajnerët, të cilët qarkullojnë në Shqipëri. Ndërsa e vërteta është që në Tiranë punohet çdo vit, madje me të njëjtin përkushtim, për të diplomuar trajnerë të rinj me licencën PRO, madje tani kush e di fiks sa është numri i tyre. Një pjesë duhet të jenë edhe të talentuar e ambiciozë, por vështirë se do ta kenë shansin për të treguar kapacitetin e tyre, pa ndihmën e copave të letrave që shpesh t’i hedhin nga tribunat VIP. Në Vlorë është një Gentjan Mezani, të cilit ia dhanë një herë Flamurtarin, kur u largua Stanislav Levi, në tetor 2015 dhe bëri një punë të shkëlqyer. Më pas e zëvendësuan me Ramadanin, për t’u kthyer këtë tetor dhe menjëherë dy fitore të Flamurtarit (me gjashtë gola të shënuar), pas një periudhe vegjetimi. Tani, le të presim, nëse do t’i besojnë deri në fund apo do ta trajtojnë si provizor të përjetshëm. Thjeshtë m’u kujtua Hofenhaimi, skuadra që po çudit në Bundesligë dhe që ka në pankinë Julian Nagelsman, i cili është vetëm 29 vjeç. Veç kësaj, për herë të parë është ulur në një stol në rolin e asistentin, kur ishte veç 21 vjeç. Apo lëre se ja futa kot… ne nuk na lidh asgjë me këtë histori.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>