Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku".
                                                                                        -Faik Konica

Shpëtim Idrizi: Masakra e Selanit, fitorja mbi harresën dhe idiotët e dobishëm

Nga Ejona 1

Masakra e Selanit ka ndodhur në mars të vitit 1913, kur pabesisht autoritetet greke mblodhën në Paramithi 72 krerë të parisë së Çamërisë dhe i vranë në grykën e përroit të Selanit. Kjo është fillesa e geocidit grek për të shkulur shqiptarët e lashtë nga trojet e tyre.

Në kujtim të kësaj ngjarje është organizuar një takim, jo vetëm përkujtimor në Muzeun Historik Kombëtar.

Në fjalën e tij Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së është ndalur në nevojën jetike për të mos harruar. Ai nuk ka kursyer puthadorët e Athinës dhe Beogradit, të cilët i vlerëson si idiotë të dobishëm, ndërsa është shprehur edhe për aktualitetin politik të ditës duke propozuar Paktin Kombëtar si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza.

Më tej fjala e plotë e nënkyetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi.

Vëllezër dhe motra,

72 burra i vranë dhe i prenë. I morën në pabesi dhe më pas u morën jetën për ta lënë Çamërinë pa krerë drejtues, pa njerëz të fjalës dhe luftës.

Greku sapo kishte hyrë në Çamëri, sepse është marsi i vitit 1913. Dhe nuk hynë as si njerëz, as si pushtues, por si të pabesë.

Menduan të përdorin dredhinë për të kapur bejlerët e Çamërisë dhe e kthyen Paramithinë në therrtore. Pas 31 vjetësh po në Paramithi do të niste masakra tjetër, por kësaj here jo horizontale, por kapilare, duke përfshirë të gjithë popullsinë.

Kjo ngjarje rrëfen që grekët kanë njohur dhe vazhdojnë të njohin vetëm një sjellje ndaj shqiptarëve të Çamërisë; masakrën.

Në Selan nuk kemi të bëjmë me hakmarrje, as me sherre etnike. Në Selan kemi të bëjmë me genocid të organizuar nga shtetit grek ndaj shtetasve të tij shqiptarë.

Askush nga autorët e këtij krimi nuk u vu ndonjëherë përpara përgjegjësisë ligjore, sepse Deli Janaqi me shokë kreu detyrën që i kishte caktuar shteti i tij.

Konsulli Austro-Hungarez i asaj kohe në Janinë në një letër që i drejtonte eprorëve të tij në Vjenë për këtë masakër shprehej:

Një oficer që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve.”

Me kaq e kuptojmë të gjithë që autoritet greke as nuk dëshironin zbardhjen e ngjarjes, jo më hetimin apo dënimin e fajtorëve, sepse shteti ishte autori, ekzekutuesi, fajtori i vërtetë.

Në Selan nuk vriten veç krerët e shqiptarëve të Çamërisë, por përcaktohet strategjia e tmerrshme e shkuljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, të lashta sa Eposi. Pasardhësit e Pirros grekët as që kishin ndër mend t’i vrisnin në luftë ballas, por pas shpinës.

Genocidi grek ndaj shqiptarëve ka qenë përherë një vepër e planifikuar, asnjëherë rastësor, kurrë sporadik. Strategjia e fqinjëve tanë ishte toka e djegur dhe njerëzit e vdekur.

Në Selan menduan se ia dolën, pasi i lanë shqiptarët pa krerët e tyre, por në fakt dështuan, sepse shqiptarët rezistuan më shumë 31 vjet më shumë dhe të tjerë udhëheqës gjetën.

Ndaj, kur ju dha rasti, kur burrat më së shumti ishin duke luftuar pushtuesin nazi-fashistë, të pabesët e Zervës ju sulën Çamërisë së grave, fëmijëve e pleqve dhe kryen një nga faqet më të turpshme të historisë botërore, genocidin e qershorit të vitit 1944.

Edhe atëherë menduan se e zhdukën farën e shqiptarisë në ato vise. Prapë gabuan. Gabojnë, sepse nuk janë të mençur, janë vetëm vrasës.

Shqiptaria nuk u zhduk kurrë në ato vise, ndërsa ne bijtë dhe nipërit e genocidit ja ku jemi sot këtu, më shumë se kurrë, gati për të vendosur në vend drejtësinë e munguar.

Sot, do të kisha padyshim një tjetër qëndrim ndaj armiqve tanë të Kombit, nëse do na kishin zbrapsur me luftë, por këta si në Selan, si me shkëmbimin e kolonëve, si me genocidin e fund Luftës së Dytë Botërore kanë përdorur vetëm një armë; pabesinë, vrasjen me bukë në gojë në sofër.

Kurrë nuk kanë qenë trima, gjithmonë kanë qenë kriminelë që shtinë pushkë ndaj nënave, fëmijëve, pleqve.

Megjithatë, pavarësisht kësaj shqiptarët çudisin përditë duke mos ushqyer urrejtje, por kërkojnë vetëm drejtësi, ndjesë dhe shohin të nesërmen, asnjëherë të djeshmen.

Shumëkush mund të pyesë përse e mbajmë sot këtë përkujtimore, teksa ka kaluar më shumë se një shekull nga ajo ditë e zezë e Selanit?

Jemi mbledhur sot këtu e do të mblidhemi çdo vit, sepse të kërkosh drejtësinë e munguar, nuk do të thotë të harrosh.

Të japësh faljen, nuk do të thotë të harrosh.

Të përparosh në detyrën tënde para Kombit, nuk do të thotë të harrosh.

T’i mësosh fëmijët sot me Çamërinë, do të thotë që mos të harrosh.

Ta duash Çamërinë, do të thotë të mos harrosh.

Të kërkosh zgjidhjen për Çështjen Çame, do të thotë të mos harrosh.

Ndaj zonja dhe zotërinj,

Ne nuk harrojmë!

Këtu fillon kthimi ynë në tokat tona!

Këtu fillon zgjidhja e Çështjes Çame!

Këtu fillon paqja!

Këtu mbaron lufta!

Vëllezër dhe motra,

Sot, Çamëria është shtylla kurrizore e Çështjes Kombëtare. Na është dashur të bëjmë një rrugëtim tejet të gjatë për të luftuar në radhë të parë harresën.

Çështjen Çame guxuan ta dënojnë me harresë. Puthadorët e Greqisë nuk mund të gjenin ilaç më të mirë për zhdukjen e krahinës se sa duke e dënuar me harresë.

Komunistët e kishin më të lehtë të hidhnin valle me shokun Enver në Dropull se sa të thonin një gjysëm fjalë për Çamërinë. Teksa “heroi i popullit” i këtyre që janë sot në qeveri dhe jashtë saj shkruante “Dy popuj miq”, burgjet ishin ding me shqiptarë të Çamërisë, që nga ata që nuk pranuan të ndërronin shtetësinë e deri tek grupet armiqësore.

Kur i thoje dikujt që ishe çam, vetëm nga kjo fjalë të priste shtylla e turpit.

Për Çamërinë nuk pipëtinte kush dhe nuk kanë qenë të paktë ata bashkëkombas që nuk na dinin më as për shqiptarë, por muhaxhirë në shtëpitë tona.

Harresë! Harresë! Dhe vetëm harresë!

Me këtë na dënuan. Por, thirrja e gjakut është më e fortë se çdo lloj propagande, strategjie komunikimi apo fallsifikim.

Sot, ju ftoj të shihni dështimin e plotë të grekëve, puthadorëve të tyre përballë ndërkombëtarizimit të Çështjes Çame dhe rikthimin e saj në altarin e Kombit.

Vini re, se sa bukur na presin tani në të gjithë shqiptarinë.

Ka gëzim më të madh se të shohësh që për Çështjen Çame nuk jemi më vetëm, por kemi të gjithë shqiptarët më vete.

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, megjithëse gojët e liga dëshirojnë ta përkufizojnë si një forcë politike krahinore, sot është një parti kombëtare, pa dyshim e vetmja parti kombëtare në të gjithë arenën politike shqiptare.

Prandaj, janë qesharakë shërbëtorët e Athinës që ngulmojnë me të njëjtën strategji të shuajnë apo dekurajojnë Çështjen Kombëtare.

Nuk ia dolën me terror grekët e Selanit dhe komunistët e Enverit dhe do ia dilkan këta marrokë?!

Idiotët e dobishëm të Athinës, kudo që të marrin frymë në politikë apo media, tashmë na bëjnë vetëm një nder: na e zmadhojnë edhe më shumë Çështjen Çame. E bëjnë më të njohur, më të plotë.

Prandaj, unë i inkurajoj këta idiotë të dobishëm të vazhdojnë të hedhin helmin e tyre, sepse edhe falë tyre sot Çështja Kombëtare është bërë më e plotë, më e shkëlqyeshme me shtyllën kurrizore të saj, Çështjen Çame.

Unë i përkrah që të vazhdojnë lojën e tyre të bindur ndaj Greqisë dhe institucionit të shpifjes, sepse kështu na japin dhe një dorë për ta ndërkombëtarizuar edhe më shumë Çështjen Çame.

Edhe këta idiotë të dobishëm kanë meritë që sot për zgjidhjen e Çështjes Çame flet Komisioneri Johannes Hahn apo Raporteri për Shqipërinë Knut Fleckenstein.

Falë edhe këtyre idiotëve të dobishëm, sot Çështja Çame është shtryar në tryezën e bisedimeve në Bruksel, Uashington, Londër e natyrisht shumë shpejt edhe në mes të Athinës.

Kjo është fitorja më e çmuar e jona, e luftëtarëve që mundëm harresën.

Ndaj, kujtojmë sot me gjithë solemnitetin e duhur masakrën e Selanit, sepse aty dikush mund të gjejë fillësen e tragjedisë sonë, por unë gjej fillesën e fitores sonë.

Zonja dhe zotërinj,

Ka vetëm një mënyrë që Çështja Kombëtare të ndalojë, mos të zhvillohet, ta shtyjë zgjidhjen e saj për në kalendat greke. Sipas meje, mënyra e vetme për ta hedhur në erë Çështjen Kombëtare është destabiliteti politik. Ky është terreni më i përshtatshëm që shqiptarizma të dështojë.

Kjo është arsyeja që tranzicioni mes shqiptarëve ka mbi çerek shekulli që zgjat. Duke e mbajtur vendin kaq gjatë në një krizë politike, çështjet themelore të tij humbin trenin e zgjidhes, ndërsa ne, shqiptarët vazhdojmë të jemi të përçarë si mos më keq, ashtu si do të dëshironin të na shihnin serbët e grekët nga mëngjesi në mbrëmje.

Krizat e gjata politike të brendshme kanë vetëm një sponsor: politikat antikombëtare të qarqeve të Athinës dhe Beogradit.

Ku ka më mirë se grabitësit e tokave, pasurive tona të na shohin në një sherr permanent që nuk mbaron kurrë, pavarësisht se kush është në pushtet; i djathti apo i majti.

Situata e sotme politike na rrëfen për të mijtën herë se krizat politike në Shqipëri janë ciklike.

Çdo dy apo katër vjet përsëriten të njëjtat kriza, vetëm se aktorët ndërrojnë anët. Ose janë në opozitë, ose janë në qeveri dhe anasjelltas.

Kjo është arsyeja që PDIU ka propozuar një Pakt Kombëtar.

Nuk e kemi bërë këtë për të qenë në qendër të vëmendjes politike dhe mediatike, por sepse dëshirojmë që të ndalojmë një herë e mirë përsëritjen ciklike të krizave, sepse kemi bindjen e patundur që stabiliteti politik dhe ekonomik do të sjellë shumë më shpejt dhe shumë më cilësisht zgjidhjen e Çështjes Kombëtare.

Pakti Kombëtar që ne propozojmë përban vetëm dy pika:

Bashkohemi për Reformën në Drejtësi.

Bashkohemi për Integrimin Europian të Shqipërisë.

Vetëm për këto dy çështje të mëdha lihet politika, mëria e ditës, bashkohen vullnetet politike, votohen ligjet e nevojshme në Kuvend dhe bëhet përpara në Çështjen Kombëtare.

Jashtë këtij pakti gjithsecili le të vazhdojë të ndjekë politikat dhe idetë e veta. Të luftojë, të grindet, të bëjë tollovi sa të dojë. Por, brenda këtij pakti përbashkohen vullnetet, sepse këto dy çështje themelore janë shumë më shumë se të gjitha interesat dhe intrigat e të gjitha partive politike bashkë.

Vetëm duke arritur një Pakt Kombëtar të kësaj natyre i pritet udha mosmarrëveshjeve të mëdha dhe krizave që përjetojmë në mënyrë ciklike.

Nëse e arrijmë një gjë të tillë nuk do të kemi asnjëherë nevojë për ndërmjetës, as për diplomatë që trokasin në dyert tona për të zgjidhur hallet tona.

Ky është vizioni ynë e besoj ky është vizion i të gjithë shqiptarëve patriotë.

 

Motra dhe vëllezër,

Sot na mblodhi masakra e Selanit dhe uroj që kurrë mos të vendosemi në prova kaq të vështira si këto që kaluan gjyshërit dhe prindërit tanë.

Të mos harrojmë kurrë dhe asnjëherë mos të ndalim për të çuar përpara shqiptarinë.

Loading...

Komente (1)

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej