Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Pedonalet e Rilindjes Urbane dhe bashkëjetesa komunitare

Nga 27.al 0

gentian-kaprata

Nga Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Rilindja Urbane stimulon ekonominë vendore, rrit vlerën e pronës dhe të mjediseve të biznesit të vogël, zhvillon ndjenjën e bashkëjetesës komunitare dhe integron njësi e komunitete që u ndanë e izoluan nga njëri-tjetri për njëzet e kusur vite me radhë.”

Me këto fjalë të radhitura bukur, kryeministri Rama, shoqëroi një video të qendrës së qytetit të Librazhdit që i është nënshtruar projektit kombëtar të Rilindjes Urbane. Projektin e njohin të gjithë, prandaj nuk po ndalem ta përshkruaj. Në fakt, që në fillim, duhet theksuar se qendrat e qyteteve, të prekura nga ky projekt i mundësuar nga 300 milionë euro të buxhetit të shtetit, kanë përmirësuar pamjen.

Nga qasja formale, ato nuk shfaqen më në mjerim si pjesa tjetër e qytetit dhe kjo në dukshmëri është një gjë e mirë. Mirëpo, nuk është e tillë në një vëzhgim më racional! E parë nga një qasje më përmbajtësore, ky projekt nuk ka influencuar pozitivisht: as “ekonomikisht në shërbim të ekonomisë vendore”; as “për të rritur vlerën e pronës dhe të mjediseve të bisnesit” dhe as nuk “zhvillon ndjenjën e bashkëjetesës komunitare dhe integron njësi e komunitete”. Përkundrazi, këto janë tre aspektet që dëmton më së shumti, nëse anashkalojmë të flasim për dëmin kolosal që ky projekt prodhon në aspektin e autonomisë vendore, për të cilin kemi folur herë të tjera.

Është shumë e vërtetë që çdo investim impakton ekonominë vendore, porse ky lloj investimi ka të njëjtin impakt me çdo lloj investimi tjetër, për të njëjtën vlerë monetare. Pra, është paraja e investuar që impakton dhe jo projekti në vetvete. Përkundazi, një impakt më pozitiv, në ekonominë vendore, do të kishte një projekt që të gjithë komponentët (dizainin, supervizionin, fuqinë punëtore dhe lëndët e para) t’i kishte vendore. Një impakt edhe më pozitiv do të kishte një projekt tjetër që krijonte cikle të përsëritshme të stimulimit në ekonominë lokale. Dhe shembuj mund të kisha sjellë pafund nga infrastruktura inxhinierike, sociale, arsimore apo shëndetësore.

Ajo që nuk kupton dot qeveria është se reagimi i tregut nuk varet nga vullneti qeverisës. Nuk ka vendim qeverie që t’i mbushë mendjen tregut. Për së pari dhe më së shumti tregu i pasurive të paluajshtme përcaktohet nga aftësia blerëse dhe jo nga cilësia e ofertës. Shitjet do të jenë aq sa blerësit kanë mundësi të paguajnë. Mund të ishte ndryshe, nëse ky projekt implementohej vetëm në një qytetet dhe kështu të rriste avantazhet konkuruese të pronave të atij qyteti ndaj qyteteve të tjera, porse nga qasja kombëtare nuk ka asnjë ndyshim. Në të kundërt, ndikon duke avantazhuar pronësitë e zonave qëndrore kundrejt pronësive të pjesës tjetër të të njëjtës njësi vendore.

Është pikërisht ky avantazhim i një blloku ndaj blloqeve të tjera të qytetit që prodhon segregacion social dhe shumë armiq të tjerë të kohezionit social. Në këtë realitet të prodhuar, shumë pak ka mundësi që të “integrohen njësitë e komunitetet” apo të “zhvillohet ndjenja e bashkëjetesës komunitare”! Sepse, nëse qeveria me paratë e të gjithëve “rregullon çatitë” e disave, atëherë ajo që qeveria dhe punët e saj prodhojnë, në dimensionin social, është vetëm pabarazi dhe konflikt ndër grupe që ndërtojnë të njëjtin komunitet vendor. Por edhe një hendek të madh, në dimensionin politik, midis grupeve që nuk përfitojnë nga ky investim dhe qeverisë.

Në fakt, krijimi i një gap-i (hendeku) midis qytetarëve dhe kësaj qeverie është një gjë e mirë në vetvete! Sa më i madh hendeku, aq më shpejt largohet kjo qeveri dhe aq më të mëdha janë shanset që shqiptarët t’i shpëtojnë botëkuptimit antiqytet dhe antikomunitet që ajo mishëron. Sepse, duhet pranuar si e vërtetë absolute që “komunitete u ndanë e izoluan nga njëri-tjetri për njëzet e kusur vite me radhë, madje edhe familjet fqinje u futën në konflikt! Porse, kjo është merita eksluzive e modelit të fragmentarizuar Rama të administrimit urban të Tiranës. Model, i cili u shpërnda në të gjitha bashkitë e vendit dhe prodhoi një atomizim ekstrem shoqëror të komuniteteve.

Mirëpo, ndarja e qytetarit me qeverinë nuk ka ciklet kohore të një qeverie. Ajo shtrihet shumë gjatë në kohë dhe duhet shumë punë të riparohet. Së bashku me atomizimin social ato çojnë në situata të pashpresa demokracie. Në mosbesim ndaj qeverisë dhe ndaj të njëjtit si ai vetë (fqinjit), çdo individ e pranon politikën vetëm te kafja e lagjes, ku çdo dy vjet e jep votën në këmbim të premtimeve apo përfitime individuale. Prandaj, ky projekt sikurse të gjithë projektet e Rilindjes, jo vetëm nuk ndihmojnë në bashkëjetesën komunitare, por janë dëmtuesit më të mëdhenj të saj. Në të kundërt, stimulimi i vërtetë, është zhvillimi i mbështetur në planifikime gjithëpërfshirëse.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>