Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Një mënyrë e mirë për të shpenzuar paratë publike

Nga Media 0

Nga Klodian Tomorri

Arsimi i detyrueshëm duhet të jetë universal dhe i financuar publikisht. Këtë e thotë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni fiskal më konservator në botë.

Në vitin 2004 udhëheqësit e botës e vendosën arsimin e detyrueshëm universal, të dytin në listën e Objektivave të Mijëvjeçarit. Kjo nuk ishte e rastesishme. Kur një fëmijë nuk shkollohet ai nuk mund të fitojë njohuritë e domosdoshme për të qenë një antar produktiv i shoqërisë. Rrjedhimisht humbasin të gjithë, jo vetëm individi që nuk shkollohet, por edhe e tërë shoqëria.

Dhjetëra studime nga Banka Boterore dhe organizatat e tjera më të specializuara kanë treguar se kostoja e moshkollimit të një fëmije është disa herë më e lartë se sa ajo që nevojitet për shkollimin e tij.

Por sërish, shumë vende po dështojnë të sigurojnë arsim falas për të gjithë fëmijët. Shqipëria është një prej tyre. Formalisht arsimi i detyrueshëm në Shqipëri është falas. Por në të vërtetë, familjet detyrohen të paguajnë nga xhepi thuajse të gjithë koston e librave dhe materialeve të tjera mësimore. Kjo po shndërrohet në një problem të rëndë duke kufizuar aksesin e fëmijëve të varfër në dije.

Gjithmonë e më shumë sistemi ynë arsimor po i zhvendos kostot nga buxheti i qeverisë tek ai i familjeve. Sipas Eurostat, aktualisht një familje në Bashkimin Europian paguan 0.6 për qind të buxhetit për shkollimin e fëmijeve në të gjitha nivelet, përfshirë arsimin universitar. Në Shqipëri pesha e buxhetit që familjet detyrohen të paguajnë për arsimin është 3.5 herë më e lartë, plot 2.1 për qind.

Por edhe ky është numër mesatar. Në familjet e varfra, për shkak të buxhetit të vogël shifra shkon mbi 10 për qind duke i vendosur ato përpara një dileme gati tragjike, të shpenzojnë për ushqime që të mbajnë frymën gjallë, apo për arsimimin e fëmijeve. Zgjidhja e dilemës është mëse e qartë, në 100 për qind të rasteve, femijët nuk do shkojnë në shkollë.

Çdo fëmijë duhet të ketë të drejtën të shkollohet, pavarësisht gjendjes ekonomike të familjes apo gatishmërisë së prindërve të tij për të paguar.

Është koha që qeveria shqiptare të marre përsiper plotësisht financimin e librave shkollorë për arsimin fillor dhe atë të mesëm. Kostoja është tërësisht e përballueshme. Eksperienca e vendeve të tjera tregon se zakonisht kostoja totale e librave luhatet nga 5-7% e buxhetit total të arsimit, që në Shqipëri përkthehet më pak se 25 milionë euro.

Buxheti publik financon me qindra programe të kota që shpërdorojnë qindra milionë euro. Nuk është aspak e vështirë që në kazanin e madh të abuzimeve të gjenden 25 milionë euro, të cilat do i siguronin çdo fëmije në këtë vend një të drejtë jetike, shkollimin.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej