Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Një manualth/ Si të bëhesh një analist shqiptar i shquar dhe i pavdekshëm

Nga Media 0

  1. Shkruaj dhe shkruaj. Një analizë.
  2. Mundohu që analiza të ketë një fillim, vazhdim dhe fund. Mos harro ta lidhësh fundin me fillimin.
  3. Mendo një metaforë. Të bukur. Të fortë. Të paparë. Dhe, vërtite gjithë artikullin rreth asaj metafore. Çdo gjë tjetër do harrohet, metafora jo.
  4. Mos harro, analiza e një analisti vërtitet rreth banaliteteve, rreth të dukshmes, majës së ajsbergut. Për këtë nuk të duhen as fakte, as shifra dhe as studime, por paragjykime dhe hamendje, të cilat duhet t’i serviresh si të vërteta të padiskutueshme. Aksiomë Nr.1: Një analist seleksionon me analizat e tij njerëz që ndajnë të njëjtat paragjykime. Mendoje përpara se t’i hysh karrierës se në cilin segment paragjykimesh kërkon të ndërtosh profilin tënd: në atë masiv apo elitarian.
  5. Aksiomë Nr.2: Shkruaj për çdo gjë. Nuk ka nevoje të jesh specialist për temën që shkruan dhe as të harxhosh kohë për ta studiuar atë: sot kemi wikipedian dhe google. Mbaj gjithmonë prapa dhe para kokës alibinë e formuluar kaq bukur nga Sartre: Ti je një intelektual i angazhuar! Shkruaj për tema që mundojnë gjithë botën: globalizmi, shtetformimi, kultura, klonimi i njeriut, NASA, religjioni, kriza financiare, politika dhe zgjedhjet amerikane, neonazizmi, vdekja e Haiderit, ngrohja globale. Mundohu t’i dramatizosh fenomenet që analizon dhe jepi të qarta konkluzionet: arti është komerc, njeriu është skllav i konsumizmit, klonimi i njeriut shënon fundin e moralit, Obama është një aktor filmi B, demokracia është iluzion. Mos harro t’u japësh temave që trajton një “touch“ lokal: vërtet makaronat i ziejnë gjithandej me ujë, por kripa në tenxheren tënde është marrë nga gurorja e Vlorës. Ky nuk është një fakt i vetëkuptueshëm!
  6. Nuk ke nevojë të shkruash apo sjellesh mendimet e tua origjinale. Çdo gjë është thënë e shkruar të paktën njëherë. Origjinaliteti yt duhet të qëndroje në mënyrën se si i mbeshtjell argumentat (shif nr.8). Përsëriti argumentat e të tjerëve pa i cituar. Shansi që dikush të ketë lexuar të njëjtin argument është shumë i vogël.
  7. Mos bej gafë të perdoresh nr. 6 kur merr hua tek emra që i referojnë të gjithë kolegët tuaj. Edhe pse qëndron mundësia që të gjithë ata që citojne të mos kenë lexuar më shumë se atë citim, nuk ia vlen të rrezikosh. Memorizo autorët që citohen më shumë dhe citoji edhe ti. Ja disa referime që mund t’i përdoresh direkt në fillimet e tua: Proust, Arend, Friedman, Heidigger, Popper, Machiavelli, Freud, Nitzsche, Jung, Heisenberg, Camus, Borghes, Eço. Duhet ta kesh të qartë, se vendin e veçante në paragjykimet elitare nuk ta japin flirtet me autoret e sipërpermenduar, por sidomos flirti me emra që nuk janë bërë akoma popullorë. Lexo herë pas here ndonjë gjë para se të flesh, në ëikipedia si rruga më e shpejtë, ose bli ndonjë libër dhe abuzoje autorin deri sa tëkonstatosh se dikush tjeter ua ka vjedhur referencen. Në këtë moment kërko për një referencë të rë. Kuptohet, strategjia më e mirë është t’i shpërndash referencat si gratë tek filmi “Dimri i fundit“: të vështira për t’u fiksuar.
  8. Mos nënvlefteso mënyren se si shkruan. Pasuroje gjuhën. Xhongloje fjalën. Sepse, siç e thotë edhe Aksioma nr. 3: nuk ka rëndesi argumenti, por mbështjellja. Nëse mbështjellja mahnit njerëzit, askush, ose vetëm një grusht njerëzish (statistikisht i papërfillshëm për të të shkatërruar emrin e mirë), do ta vërë re se tek e fundit po thua atë që e dinin të gjithë: patatja mbillet në tokë.
  9. Nëse do të specializohesh si analist politik, atëherë duhet të zhvillosh nuhatjen për njerezit që janë aktivë në riciklim thashethemesh. Nuk ka nevojë t’ua provosh vërtetësinë thashethemeve: Tek e fundit, ti po ushtron në publik të drejtën tënde të kurajos civile.
  10. Aksiome nr. 4: Bëhu inflacionar! Vlera jote në bursën e analistëve varet nga shpeshtesia jote në shtyp. Mundohu të jesh gjithmonë prezent në shtyp. Në mos çdo ditë, një herë në dy ditë, një herë në javë, ose, të paktën, një herë në dy javë.
  11. Mos harro të improvizosh intervista ku të japësh mendimin tënd; pavarësisht se intervistën e ke organizuar ti, për publikun, mbas leximit, është ai tjetri që ta ka kërkuar intervistën. Mos harro të japësh intervista personale ku të theksosh pikat e forta: dashurinë tuaj për librin, për filozofinë (këtu përmendi edhe një herë referencat e pikës 7), trego historinë që të këput shpirtin, të asaj këshilles që ju dha babai, gjyshja, tezja para se të vdiste dhe që ndryshoi jetën tuaj. Mos harro të përmendësh rëndësinë e madhe që ka për ty familja me rrëfime një fjalish (konçize por të paharrueshme lehtë): fëmijët janë të mrekullueshëm dhe po shkëlqejnë në Universitetet më të mira të botës, gruaja është një shoqe dhe nënë e jashtëzakonshme: çdo ishit ju pa të! (Le që, as ti vetë nuk e di- ajo, jo e jo – përse nuk ja ka mbathur mijëra kilometra larg; këtu, por vetëm ketu, mund t’ia tolerosh vetes më shumë se një fjali). Mos harro të tregosh dashurinë për jeshilllikun, për qenin, macen apo kanarinën. Dhe, gjithmonë, përmend me vete me ironi aftësinë tënde modeste në gatim: minimumi zjerje makaronash (me kripë nga gurorja e Vlorës).
  12. Mos harro të hysh në debat me kolegun tënd, sidomos me atë që mendon se po të konkurron reputacionin; për detaje të vogla, të holla, të rafinuara, që pak kush i kupton vërtet, por që lenë nga pas shijen e misterit. Dhe, ti e di, misteri ka efektin e vrimës së zeze: thith. Mos harro të interpretosh zgjedhjet e kolegëve të tu duke i vënë ato përballe parimeve të fortifikuara të moralit njerëzor dhe profesional. Në këtë mënyre, ti i jep vetes autoritetin e gjykatësit të pagabueshëm, të njeriut të përsosur. Nuk ka rëndësi se si je, rëndesi ka se çfarë imazhi ju përcjell ti të tjerëve për veten, rëndesi ka çfarë do ti të mendojnë të tjerët për ty. Këtu vlen të përmendet shembulli i mrekullueshëm i mollës bukurueshëm të kuqe: krimbin ja sheh vetëm kur e kafshon.
  13. Jep imazhin se kritikon këdo, se për ty kufiri është vetë morali dhe etika, por mos prek ca figura autoritare që kanë shumë pushtet në madhësinë e imazhit tuaj dhe mirëqenien e familjes tuaj. Ti mund ta shmangësh në këtë rast përdorimin e dëftores duke e zëvendësuar me të foluren e përgjithshme, parimore, ku duket sikur po thua shumë, edhe pse nuk thua asgjë.
  14. Aksiome nr.5: Homo albanicus është Homo televisionis! Mos lër pas dore shfaqjet në televizor. Hyr në çdo debat dhe dil për të hyrë prapë.
  15. Bëj diçka që të tjerët të flasin për ty. Bëj gjithçka që të tjerët të flasin për ty. Të tjerët duhet gjithmonë të flasin për ty. Të tjeret duhet të obsesionohen me ty. Shfrytëzoji të gjitha mundësitë që të lejon teknologjia. Mos harro të hapësh një konto në Facebook. Mblidh miq pa fund. Shko tek kolegët e tu që kanë mijëra miq dhe peshkoja ata. Këshilloji të gjithë miqtë e tu të peshkojnë miqtë e tyre për ty. Hap, pastaj, një grup në Facebook dhe futi të gjithë miqtë aty. Hap, më tutje, një faqe fansash në Facebook dhe transferoji edhe njëhere miqtë atje. Më e mira është që të tjeret ta bëjnë këtë punë për ty: kështu roli yt fundamental për shoqërinë është i çimentuar, shoqëria ka nevojë për ty! Bëj vetëreklamim. Vetëreklamim. Dhe prapë vetëreklamim. Njerëzit, edhe kur nuk të lexojnë, do të të kujtojnë emrin.
  16. Kujdesu për pamjen e jashtme: të qeshurat në publik, me kamatë. Ti je i besueshëm vetëm kur dukesh serioz dhe kur i vendos distancat me një veshtrim skeptik.
  17. Mos harro: Një fundamentalist duhet ta hedhi veten në erë me dinamit (artizanal apo industrial) në menyrë që të shkojë e të takojë të shtatë virgjireshat. Ty, të shtatë virgjëreshat (jo vetëm shtatë, jo vetëm virgjëresha) të vijnë vetë. Nëse je femer, modifikoje kete fjali keshtu: Mos harro, shtatë analistë shqiptarë (jo vetëm shtatë, jo vetëm analistë) do ta gjejnë rrugën tek ty.
  18. Kujdesu që të marrësh sa më shumë çmime. Mendo momentin e varrimit. Sa më shumë çmime, aq më madheshtor varrimi, aq më pjesëmarrës publiku në këtë humbje të madhe. Nëse nuk t’i japin çmimet, ktheje këtë fakt në legjendë dhe mundohu të bësh gjithmonë një analogji me shkrimtarë të famshëm që nuk jua kanë dhënë Nobelin e permerituar. Njerëzit do të të kuptojnë e do të ta përhapin legjendën më tutje.
  19. Ji largpamës dhe kujdesu që pas vdekjes pinjollët ta kenë të lehtë të ta mbajnë kujtimin të gjalle dhe mos ta lënë publikun të të harrojë. Emri yt duhet të zbukurojë shkollat dhe çmimet për analistët e së ardhmes. Ti duhet të shndërrohesh në një referencë për brezat e ardhshëm.

/Selfmade Radio/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej