Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Letër nënës…

Nga 27.al 0

Nga Ilir Hoxholli

Kjo ditë e ditëlindjes time, të takon ty nëna ime. Ka kohë që kam dashur të të shkruaj. Ndoshta që kur im bir u sëmur për herë të parë dhe unë nisa të dridhesha, m’u afrove pa fjalë për të më kujtuar gjithë dridhjet e tua, kur pakëz temperatura mund të më ketë marrë mua, kur isha sa ai. Ndoshta s’të kujtohet, por unë i kam ende sytë e tu mbi fytyrën time.

E di, asnjë letër që do të rrethonte gjithë globin, nuk do të mund t’i mbante gjithë fjalët që do të duhej të të shkruaja. Por më lejo, që të paktën sot të të shkruaj disa fjalë. Edhe pse jam babai i dy djemve dhe një vazje, e di që kur jam tek ti, jam sërish ai i vogli. E ndjej teksa më thërret ende me emrin e fëmijërisë sime, duke më kujtuar se si më sheh çdo ditë. Dhe unë ai i vogli kthehem përpara teje, ku kërkoj përkëdhelinë tënde. Nuk e di pse, por ajo dora jote ka ende fuqinë për të më thënë se do mund t’ia arrij gjërave në jetë.

Nuk u ankove kurrë përpara fëmijëve të tu. Nuk na bëre kurrë të ditur se si mbushej pjata jonë në atë kohë varfërie për të gjithë. I fshehe edhe dhimbjet duke na kërkuar të buzëqeshim. Kështu janë të gjitha nënat, e di, por je nëna ime dhe unë dua që të të shoh ndryshe.

Nuk dua të bind veten se do mundem të të shpërblej për gjithçka që ke bërë për mua. Por, di se je mbretëresha ime, je ajo që më jep forcë. Ti (dhe jam i bindur edhe çdo nënë tjetër) jeni gati të jepni gjithçka për ne, fëmijët.

Ndaj dua të të falënderoj sot me këtë letër, si një shenjë e vogël për gjërat e mëdha që ke bërë për mua. Jam me fat për çdo përkëdhelje. Zoti më ka dhënë përmes teje një nga bukuritë më mahnitëse të kësaj bote, dashurinë që ka një nënë për fëmijën e vet. Lus Zotin të kesh qenë e kënaqur prej meje e të mbulohesh gjithnjë me buzëqeshje. Lus Zotin të të kem gjatë sa më pranë, sepse nga ty vijon të më burojë gjithnjë dashuria për gjithçka.

Faleminderit nënë për gjithçka!

Zoti të dhënë veç buzëqeshje!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej