Ka than' i moçmi: 

"Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër."

Faik Konica

Fjalët janë të varfra

Nga 27-shi 0

….përballë atmosferës që “brand”-i 3 musketjerët solli mbrëmë në kryeqytetin e shqiptarëve.

Nga Kozeta Kurti *

Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi, më lejoni t’i jem mirënjohëse kohës që më rriti me muzikën tuaj, më lejoni t’ju jem mirënjohëse juve që më ushqyet e më frymëzuat me melodi e poezi, me emocione dhe energji në gjithë këto vite.
Mbrëmë e kapa veten disa herë të përhumbur në ngjarje e kujtime, e gjeta atje tek “3 musketjerët” e Stadiumit Dinamo, ku çdo fundjavë bëhej blues e rock cilësor e u lumturova aq shumë që në sallën e Pallatit të Kongreseve ndesha njerëz që kisha afro pesëmbëdhjetë vjet pa i parë rrugëve të këtij qyteti.
Unë nuk pashë vetëm koncert, nuk dëgjova vetëm muzikë të shkëlqyer, por ndjeva dashurinë dhe përkushtimin tuaj të më përvëlonte lëkurën.
Pata përshtypjen se ju kishin kompleksuar pak komentet për çmimin e biletës. Me siguri ju keni dëgjuar plot prej këtyre komenteve, ashtu si unë, si shumë të tjerë, por besomëni: as sakrifica juaj nuk vlente aq, por shumë më tepër, as investimi i gjithë jetës suaj, por mbi të gjitha, shija që morëm ne, ishte pa çmim.
Jam gati t’i jap sot kujtdo të njëjtën shumë, nëse më garanton se ma “blen” edhe një herë shijen e mbrëmjes së kaluar, por jam e bindur që askush nuk do ta merrte përsipër.
Në këtë sfilitje veshësh, deformimesh të shijeve, midis të cilëve shpesh herë ndjehem e detyruar të bashkëjetoj, ju detyrohem kaq fort për emocionet dhe energjinë që na transmetuat.
Ato bluzat e djersitura më shumë se tre herë gjatë mbrëmjes janë diamanti verbues përballë llumit dhe prostitucionit “muzikor” që na ofrohet përditë.
Ato paratë, për të cilat falënderuat aq shumë gjatë mbrëmjes (edhe unë i falënderoj, sepse po të mos ishin ata, s’do kisha qenë aty), janë aq pak, krahasuar me llastikun e këputur të topave me kartëmonedha nga të gjitha ngjyrat që hidhen lumë përpara çdo kofshe e gjoksi gome, por ka një ndryshim të madh ama: ata që “blejnë” kofshën, jargaviten për mirëqënie fizike, kurse me ju, njeriu shkon në rrugët e qytetit të vjetër, ku asgjë nuk është më si më parë, përveç kujtimeve, shenjave që kanë lë mbi ne, dhe dëshirën për t’i jetuar sërish, njësoj si mbrëmë…

* Tiranë, 16 maj 2017

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej