Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

I biri i Teme Sejkos para pushkatimit: Qëlloni, nuk dua mëshirë

Nga Media 1

Historia tragjike e djalit të Çamërisë, 24-vjeçarit Sokol Sejko, i dënuar me vdekje pas një procesi të montuar nga diktatura komuniste.

Pas genocidit grek, popullsinë e Çamërisë e priste një tjetër betejë, persekutimi komunist ndaj tyre. Ka një histori të gjatë të vrasjes e burgosjes së burrave e djemve të Çamërisë nga diktatura komuniste. Një prej tyre është ajo e familjes Sejko, Teme Sejkos dhe birit të tij, Sokolit. Historia rrënqethëse e Sokol Sejkos, e përshkruan me detaje sjelljen e regjimit komunist ndaj elitës së popullsisë së Çamërisë, e ardhur në Shqipëri për t’i shpëtuar genocidit grek.

Ishte mesnata e 6 marsit të vitit 1974, kur është pushkatuar Sokol Sejko, djali i ish-admiralit të Flotës, dënuar në vitin ’60 për veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullor. Para krismave fatale “në vendin e caktuar”, një grusht njerëzish të armatosur deri në dhëmbë i bënë thirrje për të shprehur dëshirën e fundit.

Gati në formë urdhri, i dënuari me vdekje shqiptoi çfarë mendonte, pa vrarë mendjen për reagimin e palës tjetër:

“Afrohuni dhe pak e qëlloni!”. E njihte mirë logjikën e procedurës kriminale, prandaj nuk mund të rrinte pa shprehur atë që e gërryente nga brenda. Ballëlart e me kurajë, foli shkoqur e me zë të lartë, duke u paraprirë plumbave vrastarë. Vetëm në pak minuta pas kësaj, gjithçka u pushtua nga breshëritë e krismave. Prokurori që ka përpiluar procesverbalin e ekzekutimit, sipas rregullit të detyrës, është munduar t’i përmbahet ngjarjes pikë për pikë. Sakaq, të tjera dokumente të dosjes “Sokol Sejko” përmbajnë mistere të shumta nga prapaskenat e makinës represive të shtetit komunist ndaj djalit të vogël të Teme Sejkos…

Arrestimi në mesnatën e së dielës

Sokol Sokoli, djali i admiralit të pushkatuar është arrestuar mesnatën e 3 qershorit 1973, kur priste të festonte 24-vjetorin e lindjes. Prangosja e tij ishte pjesë e fushatës represive të fillimviteve ’70, që kishte nisur menjëherë pas Festivalit të 11 të Këngës në RTSH dhe dënimit të grupeve armiqësore në Ushtri dhe Ekonomi. Në situatën e krijuar pas këtyre ngjarjeve të pazakonta, krerët e regjimit ideuan aksionin për forcimin e luftës së klasave dhe goditjen e elementëve antiparti, ku pjesa e “luanit” u mbetej strukturave të Ministrisë së Brendshme, të cilat do bënin finalizimin konkret të tij. Reflektimi ishte i menjëhershëm. Degët e rretheve filluan nga piketimi i kontingjenteve armiqësore dhe pinjollët e familjeve me biografi të keqe. Në Berat, fushata nisi me Sokolin. Djali i Teme Sejkos, admiralit të Flotës të dënuar me vdekje pas një procesi të bujshëm, ishte viktima e parë e gjahut të radhës…

Akuza: do hidhte në erë kombinatin

Një ngjarje e zakontë më 22 prill ’73 në kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun”, ku u dogj një tufë pambuk në një nga makineritë e remontit, u bë pikënisje e legjendës për të goditur djaloshin rebel. Tetë ditë më pas, më 30 prill, u hap lajmi se kishin marrë në degë të dashurën e Sokolit, tekstilisten Th.L. Ajo në njëfarë mënyre ishte përzgjedhur si “karemi” për të futur në valle djalin e admiralit të pushkatuar në fillimin e viteve ’60. Qysh ditët e para të arrestimit të Th.L. njerëzit nën zë pohonin se pas aktit të saj për t’i vënë flakën kombinatit, qëndronte Sokoli, djali i “tradhtarit” Teme Sejko. Në fakt, ishin vetë njerëzit e Degës së Brendshme që i hapnin të tilla lajme për të përligjur veprimet e mëtejshme ndaj objektivit të shënjuar. Ndërkaq, “mjeshtrit” e Policisë Sekrete vazhdonin për të provuar atë që qarkullonte si thashethemnajë në qytet. Ajo që ndodhi më tej ishte pjesë e skenarit të thurur me djallëzi nga ekspertë vrastarë…

Gjyqi

Gjyqi ndaj Sokol Sejkos ka nisur më 25 janar 1974 dhe ka përfunduar në pasditen e së nesërmes. I kryesuar nga Irakli Puka, trupi gjykues pas pretencës së prokurorit, ka finalizuar çfarë ishte servirur nga Sigurimi i Shtetit. Në procesverbalin përkatës, pasi përshkruhen procedurat zyrtare, shtjellohet dinamika e veprimtarisë armiqësore e të pandehurve, ku Sokol Sejko artikulohet si kreu i grupit kriminal. “Sokol Teme Sejko, nënvizohet në dokument, si armik i betuar i pushtetit popullor, duke ushqyer ndjenja të hakmarrjes kundër RPSH, vite me radhë është përpjekur që në rrugën e armiqësisë të bashkohet me elementë të degjeneruar dhe së bashku me ta të hidhet në veprimtari të hapur e të organizuar për përmbysjen, minimin e dobësimin e pushtetit popullor në Shqipëri dhe të fuqisë ushtarake të tij e tipareve kryesore të revolucionit popullor në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore. Ai, në krye të një grupi, ka bërë planin të hedhë në erë kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun”, vepër kjo nga më të rëndësishmet e ekonomisë socialiste

/panorama.com.al/

Komente (1)

  1. Eshte koha e reabilitimit te tradhetareve dhe fashisteve qe bene c’munden per ta shitur vendin. Veprimtaria armiqesore e Teme Sejkos eshte vertetuar katerciperisht si agjent ne sherbim te grekut, nderkohe qe tek ne mbante postin e larte te admiralit te forcave detare. Dosja e tij eshte hapur prej kohesh dhe kushdo qe mund ta lexoje e qe ka fare pak ndjeshmeri per fatet e atdheut, do e neverise kete figure te qelbur. Kreret e Camerise gjithe jeten e kane konceptuar nen sherbim te dyfishte, ndaj dhe e hengren te semave sic e meritonin.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej