Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Bankat të shqetësuara për situatën makro, shtrëngojnë standardet e kredisë për bizneset

Nga Klodiana 0

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues treguan shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset dhe lehtësim të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë. Shtrëngimi i lehtë i kushteve të kreditimit për bizneset është shënuar për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatore, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë.

Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike. Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve.

Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, zvogëlimit të komisioneve, dhe rritjes së raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave.

Kërkesa për kredi regjistroi rritje në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas raportimeve të ekspertëve të bankave, si nga bizneset ashtu edhe nga individët. Për bizneset, rritja u shënua kryesisht nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shfaqën rënie të kërkesës. Për sa i takon kërkesës së individëve, bankat raportuan rritje të kërkesës, si për kredinë konsumatore ashtu dhe për kredinë për blerje banese.

Bankat presin që standardet e kredisë për biznese të mbeten thuajse të pandryshuara, ndërkohë që ato për individë pritet të lehtësohen gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016. Kërkesa për kredi pritet të shënojë rritje në tremujorin e katërt të vitit 2016, si për bizneset ashtu edhe për individët.

 

Kredia për bizneset

 

Standardet e kredisë. Standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar në tremujorin e tretë. Ky shtrëngim është vënë re kryesisht në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa kanë mbetur të pandryshuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një prirje e ngjashme pritet të vijojë edhe në tremujorin e katërt të vitit 2016 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues.

Faktorët me ndikimin kryesor në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e tretë, sikurse dhe më parë, mbeten problemet specifike të sektorëve ku vepron biznesi, kreditë me probleme dhe perceptimi mbi situatën makroekonomike. Nga ana tjetër, konkurrenca në tregun bankar, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e mirë e likuiditetit në sistem janë faktorë që kanë vijuar të ndikojnë në lehtësimin e kushteve të kreditimit

 

Bankat zbatuan shtrëngimin e standardeve të kreditimit të bizneseve nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral në tremujorin e tretë të vitit 2016. Ndërkohë, ulja e marzhit mesatar dhe ulja e komisioneve të aplikuara për kreditë e dhëna mbeten ndër faktorët kryesorë që kanë vepruar në kahun e kundërt, duke ndikuar në lehtësimin e standardeve. Gjithashtu, edhe madhësia e kredisë dhe maturiteti i saj kanë ndikim lehtësues, por në një masë të ulët.

 

Kërkesa për kredi nga bizneset është rritur lehtësisht në tremujorin e tretë të vitit 2016. Kjo rritje është ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa kërkesa nga ndërmarrjet e vogla e të mesme raportohet me rënie. Bankat presin rritje të kërkesës edhe në tremujorin e katërt të vitit 2016, të gjeneruar si nga ndërmarrjet e mëdha ashtu edhe nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kërkesa e rritur e bizneseve në tremujorin e tretë, sipas perceptimit të ekspertëve bankarë, ka qenë si për kapital qarkullues ashtu edhe për kredi për qëllime investimi.

 

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur si nga nevoja për financimin e investimeve, ashtu edhe për financimin e kapitalit qarkullues. Kushtet e përmirësuara të kreditimit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë rezultojnë faktorë me ndikim pozitiv në rritjen e kërkesës së bizneseve për kredi. Në të njëjtin kah, por në një masë më të vogël, kanë ndikuar edhe mungesa e burimeve alternative të financimit.

 

Kredia për individë

Standardet e kredisë. Bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet e kredive të akorduara individëve në tremujorin e tretë të vitit 2016. Sipas përgjigjeve të agreguara të bankave, standardet u lehtësuan për kreditë konsumatore, ndërsa kanë mbetur thuajse të pandryshuara për kreditë për blerje banese. Bankat u shprehën se standardet e kredisë së akorduar individëve do të lehtësohen në tremujorin e katërt të vitit 2016, si për kreditë për blerje banese ashtu edhe për financim konsumi.

 

Faktorët që kanë ndikuar standardet. Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët pasqyroi kryesisht presionet e vazhdueshme të konkurrencës në sektorin bankar. Balanca neto pozitive e vlerësuar për gjendjen e likuiditetit të bankave dhe mjaftueshmërisë së kapitalit sugjeron gjithashtu për ndikim në rritje të këtyre faktorëve në lehtësimin e standardeve. Kreditë me probleme, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, dhe gjendja financiare e individëve kanë vepruar në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për individët.

 

Kushtet për miratimin e kredisë. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredive për individët gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë. Gjithashtu në kahun lehtësues por në një masë më të vogël, kanë vepruar edhe kushtet e tjera, si ngushtimi i marzhit për kreditë me rrezik, zvogëlimi i komisioneve dhe kërkesave për kolateral, rritja e raportit të këstit ndaj të ardhurave, e madhësisë dhe maturitetit maksimal të kredisë.

 

Kërkesa për kredi. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2016. Ky rezultat është në linjë me pritjet e bankave nga vrojtimi i kaluar. Rritja e kërkesës është regjistruar si për kredinë konsumatore ashtu dhe për kredinë për blerje banese. Ekspertët e bankave presin që kërkesa e individëve të jetë me rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit.

 

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2016 është nxitur nga disa faktorë, si përmirësimi i kushteve të kreditimit, rritja e nevojës për financimin e konsumit si dhe për financimin e blerjes së banesës. Bankat raportojnë se edhe mungesa e burimeve alternative dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë pasur rol pozitiv në ecurinë e kërkesës për kredi nga individët. Ndërkohë, ekspertët bankarë shprehen për ndikim negativ të besimit konsumator dhe zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, në kërkesën për kredi gjatë tremujorit të tretë.

/monitor.al

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>