Shqipëria, ndër vendet e para në botë që do të rregullojë kriptomonedhat nëpërmjet blockchain. Rreziqet sipas BSH, AMF dhe pse nuk e rregullojnë vendet e tjera kriptomonedhën. Blokchain shmang rregullatorët, rrezik për pastrim parash. Nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh, pa kontrollin e bankës qendrore, aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave
Nga një rrezik drejt tjetrit, nga rreziku i falimentimit të buxhetit nga koncesionet dhe kontratat PPP drejt kriptomonedhave, Shqipëria është vendi i parë në botë që do të fusë në rregullim teknologjinë blockchain për kriptomonedhat. Në një vend ku më shumë se 50 mijë biznese nuk kanë ende llogari bankare, të diskutosh një ligj për kriptomonedhat, me një Parlament të gjymtuar dhe me shumë deputetë analfabetë funksionalë, është hiç më pak se një marrëzi.
Vendet më të industrializuara dhe me shërbimet financiare më të avancuara dhe të kompjuterizuara, po hezitojnë të adoptojnë rregullimin e kriptomonedhave. Por Shqipëria, sigurisht është një vend ku eksperimentet nuk kanë munguar, që nga skemat piramidale që u rrënuan në vitin 1997, te borxhi publik i fshehur sipas raportit të KLSH, blockchain pritet të jetë flluska e vitit 2020.
Flluska e kriptomonedhave në Shqipëri
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi në sesionin për teknologjinë e lartë, në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë se “qeveria e Shqipërisë ka hapur konsultimin publik për një ligj të ri për tregjet financiare, bazuar tek teknologjia blockchain”. Kryeministri tha se “duke vendosur për konsultim publik këtë pjesë të legjislacionit, ne po përpiqemi të hapemi gjithashtu për përdorimin e monedhave kripto, por në një kuadër të rregulluar, diçka, le të themi, që askush nuk e ka bërë ende”.
Pak ditë më vonë, në një aktivitet mbi testimin e teknologjisë 5G, kryeministri Rama “relatoi” sërish projektligjin me avantazhet që sjell për Shqipërinë, pa përmendur risqet për të cilat Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë vendosur në dilemën se “kujt t’ia lënë në derë” propozimin e projektligjit. Ishte e çuditshme që lançimin e projektligjit nuk e bëri as ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e as kreu i Bordit të AMF, Ervin Mete, që ishin të pranishëm në takim, por vetë kryeministri, i cili thotë “jam artist”, por prej vitesh po shtyn fort nismën për një ligj për kriptomonedhat nëpërmjet blockchain.
Kryeministri Rama thotë se “nuk jam këtu për të folur për sa i përket blockchain, personalisht jam artist, nuk jam person i teknologjisë, por nuk mendoj që detyrimisht duhet të jesh shkencëtar, apo person që detyrimisht merresh me teknologjinë, që të kuptosh që blockchain, për herë të parë ka bërë të mundur në gjithë historinë e njerëzimit, çdo lloj ndërveprimi pa asnjë lloj dyshimi ndërmjet dy palëve, pa qenë nevoja për të qenë një palë e tretë, ose një palë ndërmjetëse. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të besimit dhe besueshmërisë për sa i përket komunikimit, duke mos pasur në mes një ent ose ndërmjetës”.
Financat “hedhin gurin” dhe fshehin dorën
“Monitor” ka pritur gjatë për përgjigjet rreth pyetjeve për kriptomonedhat dhe ishte e qartë se asnjë nga institucionet nuk e merr flamurin e propozuesit dhe mbrojtësit të projektligjit, që për momentin mbahet nga kryeministri si një sinjal që nuk kërkon kundërshtarë, gjatë rrugës deri në miratimin në Kuvend. Ministria e Financave, e cila është propozuesja e projektligjit dhe ka nxjerrë për konsultim publik, nuk iu përgjigj pyetjeve të Monitor. Banka e Shqipërisë tha nuk ka marrë ende një informacion zyrtar lidhur me këtë projektligj, pasi është në fazë konsultimi publik (shiko nën-ndarjen:
Banka e Shqipërisë: Nuk jemi as pro dhe as kundër
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tha se “projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë për krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. (shiko nënndarjen: Si do të parandalohet pastrimi parave).
“Monitor” botoi, para pak kohësh, qëndrimin e ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, aktualisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë në konferencën e Bankës së Shqipërisë. Ahmetaj thotë se “ka ardhur, besoj, momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjbërësit të mendojnë seriozisht sepse crypto currencies sa mund të jenë një bekim, mund të kthehen edhe në një mallkim, sidomos për ekonomi dhe sisteme si tonat. Besoj që duhet futur në axhendën e diskutimit mes jush, qeverisë dhe ligjvënësit”.
Sot, në botë, ka shumë diskutime për kriptomonedhat që ka përcaktimi nëse janë commodities apo monedha. Shumica e rregullatorëve të tregjeve financiare nuk kanë marrë përsipër ta rregullojnë veprimtarinë e kriptomonedhave për risqet e mëdha që mbartin për pastrim parash, pasi shmangen rregullatorët.
Edhe në projektligjin e propozuar relatohet se “për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme siç janë krijimi i skemave mashtruese apo skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet”.
Rama thotë se “për shumë persona dhe për mua personalisht, kur fillova të informohesha dhe të kryerja detyrat e mia të shtëpisë për sa i përket blockchain, blockchain ishte vetëm me ndërveprimin e monedhave kripto, por në fakt është një instrument shumë më i gjerë sesa vetëm kaq. Është shumë e qartë që përmes teknologjisë së blockchain, ne do të kemi mundësinë për t’i dhënë në të ardhmen sistemeve tona efikasitet më të lartë dhe një siguri më të madhe për sa i përket, p.sh. pronës, pronësisë dhe gjithashtu, padyshim, një vend si Shqipëria mund të ofrojë një mënyrë shumë më efikase për dërgesat e të ardhurave nga jashtë, duke ulur të gjitha kostot dhe duke rritur shpejtësinë e ndërveprimeve”.
Paradokset e blockchain
Ajo çfarë premton blockchain s’është asgjë më pak se rilindja e revolucionit teknologjik të shekullit të 21 – t’i kthejë pushtetin njerëzve. Në këtë shekull, më shumë se kurrë më parë, fuqia vjen nga informacioni (data). Blockchain premton t’ia kthejë kontrollin e data njerëzve, por kjo së paku kërkon besimin në teknologji. Paradoksi këtu është se blockchain, në fakt, shmang pikërisht nevojën për të besuar dhe heq hallkat ndërmjetëse, si për shembull noterët, siguruesit dhe bankierët – duke na kërkuar që të besojmë në teknologji. Por si mund të besosh në teknologji, nëse kodet e blockchain janë thyer në mënyrë të përsëritur.
Në hakerimin e famshëm të Bitcoin në vitin 2010, kur pak persona kishin investuar, vulnerabiliteti i kodit lejoi një person që gjeneronte 184 miliardë bitcoins në një transaksion. Në 2016, sistemi u hakerua përsëri, me një kontratë 75 milionë dollarë. Në vitin 2019, drejtuesi ekzekutiv i një fondi, që menaxhon crypto-asete, ndërroi jetë dhe bashkë me të, humbën kredencialet për të aksesuar fondin 150 milionë dollarë që ai menaxhonte. E pamundur të rikuperoheshin. Ishte faji i blockchain? Jo, kompania dështoi të zbatonte parimin kontrollo dhe balanco për të parandaluar këtë skenar.
Blockchain është një teknologji e re dhe jo më e thjeshta për t’u kuptuar. Kjo teknologji vlerësohet se do të kërkojë vite për t’u zbatuar nga komunitete shumë më të edukuara nga pikëpamja financiare se Shqipëria për të zgjidhur problemet me standardet e sigurisë dhe për të kthyer reputacionin nga hakerimet e fundit. Për bizneset startup ka një statistikë interesante, 92 % e projekteve të bazuara në blockchain kanë falimentuar pa mbushur 15 muaj. Standardet janë ende në proces për t’u përmirësuar dhe për të reduktuar kompleksitetin që është dhe armiku i sigurisë. Por standardet, në vetvete, nuk mund të sigurojnë gjithçka, janë njerëzit ende gardianët e teknologjisë dhe për këtë arsye, duhen edukuar për të ndërtuar njohuritë mbi sigurinë e blockchain sot. Nëse jo, e nesërmja nuk do të jetë rilindja, por epilogu i bashkëjetesës sociale.
Blockchain shmang rregullatorët, rrezik për pastrim parash
Blockchain premton t’ia kthejë kontrollin e data njerëzve, por kjo së paku kërkon besimin në teknologji. Paradoksi këtu është se blockchain, në fakt, shmang pikërisht nevojën për të besuar dhe heq hallkat ndërmjetëse, si për shembull noterët, siguruesit dhe bankierët,duke na kërkuar që të besojmë në teknologji. Por si mund të besosh në teknologji, nëse kodet e blockchain janë thyer në mënyrë të përsëritur.
Nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh pa kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat / shoqëritë financiare që duhet të njoftojnë në kohë reale pastrimin e parave për transaksione mbi 10 000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash.
Kush po e sjell blockchain në Shqipëri?!
Kompania italiane, “Consulcesi”, thotë se po e konsulton pa pagesë AMF në marrëdhënie me implikimet teknologjike dhe ligjore në këtë ligj
Kryeministri është i vetëdijshëm kur thotë se “është ndërmarrje shumë guximtare e ndërmarrë nga Shqipëria, falë punës së madhe të kryer nga një grup shumë i respektuar personash”. Po cilët janë personat e respektuar që po sjellin blockchain në Shqipëri? Ministria e Financave nuk dha përgjigje për pyetjet e “Monitor” për personat e përfshirë në Grupin e Punës për projektligjin, ndërkohë që kompania italiane “Consulcesi” është konfuze në përgjigje kur pyetet për rolin e ish-kryeministrit italian D’Alema.
“Presidenti Massimo D’Alema nuk ka asnjë rol. Ai është një ekspert i Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi, ndaj dhe kemi vlerësuar si interesante përfshirjen e tij në tavolinën e rrumbullakët” – u shpreh përfaqësuesi kompanisë “Consulcesi” në përgjigjet kontroverse për “Monitor”. Në të njëjtën fjali mohohet dhe pohohet roli i ish-kryeministrit italian. Ashtu siç dhe konfirmohet dhe mohohet roli i vetë “Consulcesi” në këtë proces kur përgjigjet se “nuk kemi asnjë rol në këtë projekt, kemi kryer aktivitete ndihmëse për rregulloret e reja të përfshira, ashtu siç kemi bërë më parë edhe në shtete të tjera”.
Por, në transmetim “live”, kryeministri Rama e shpalli nismën për kriptomonedhat nëpërmjet blockchain, në krah të ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema dhe kompanisë italiane “Consulcesi”, një kompani call center, por nuk publikohet në njoftimin e Kryeministrisë. “Vërtet dëshiroja t’i shprehja falënderimet e mia, mirënjohjen time, kompanisë që i ka zyrat qendrore diku tjetër, por ka degën e saj në Shqipëri dhe po ofron këto lloj shërbimesh për sistemin tonë të shëndetësisë dhe me rezultate vërtet shumë të mira. Është një kompani italiane, që ka dhënë më shumë rezultate në Shqipëri sesa ka pasur në Itali. Ofron të njëjtat shërbime si në Itali, edhe në Shqipëri dhe duket sikur ne shqiptarët, nuk jemi dhe aq mirë në krahasim me italianët, u shmangemi rregulloreve” – u shpreh kryeministri pa cilësuar emrat, por është e qartë se bëhej fjalë për kompaninë call center “Consulcesi”, e vendosur në Tiranë, pranë Ring Center.
“Monitor” i drejtoi disa pyetje në një intervistë të shkruar kompanisë italiane.
Cilët janë aktivitetet kryesore të firmës suaj në Shqipëri? Sa ishte xhiro 2018, numri i punonjësve dhe gjithçka mund të na thoni për profilin e kompanisë suaj?
“Consulcesi” është një realitet ndërkombëtar që vepron kryesisht në tre sektorë: atë edukues, ligjor dhe ITC. Në konferencën botërore mbi privatësinë të mbajtur në Tiranë, “Consulcesi” ka marrë pjesë me divizionin Tech, të specializuar në fushën e fintech dhe blockchain, e cila ka një shoqëri edhe në Shqipëri. Në këtë moment, Grupi ka mbështetjen e rreth 1000 punonjësve. Detajet e aktiviteteve të ndryshme mund t’i konsultoni, në mënyrë më të detajuar, në faqen tonë zyrtare të internetit.
Cili është roli juaj në konsultimin e qeverisë shqiptare në projektligjin “Për tregjet financiare të zbatuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” meqenëse keni zhvilluar disa aktivitete publike me praninë edhe të kryeministrit shqiptar?
Kemi mbuluar rolin e konsulentit pro bono për AMF në marrëdhënie me implikimet teknologjike dhe ligjore në këtë ligj.
Cili është ekipi juaj i konsulencës dhe roli i ish-kryeministrit, Shkëlqesisë së Tij, z. D’Alema në këtë projekt?
E kemi zhvilluar këtë aktivitet grupi në bashkëpunim me dy studio të rëndësishme ligjore dhe me vetë divizionin Tech. Presidenti Massimo D’Alema nuk ka asnjë rol. Ai është një ekspert i Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi, ndaj dhe kemi vlerësuar si interesante përfshirjen e tij në tavolinën e rrumbullakët.
Në cilat vende të tjera keni zbatuar projekte të ngjashme dhe cilat janë avantazhet dhe risqet e këtij projektligji?
Nuk kemi asnjë rol në këtë projekt, kemi kryer aktivitete ndihmëse për rregulloret e reja të përfshira, ashtu siç kemi bërë më parë edhe në shtete të tjera.
Për sa u përket avantazheve, mendojmë se Shqipëria, e cila po vepron për modernizimin e rregullores së saj të brendshme mbi tregun financiar, ka përfituar nga një mundësi shumë e mirë, falë qasjes në brendësi të këtij rishikimi, të rregullores për përfshirjen e sektorit të asset-it digital. Nga çfarë kemi mësuar, si ligji mbi kapitalin e tregut, ashtu dhe ai mbi investimet kolektive, ishin në fazë rishikimi dhe ndaj mospërfshirja e një parashikimi mbi “financën e decentralizuar” do të kishte qenë një gabim.
Për sa u përket rreziqeve të mundshme mendojmë se krijimi i normave për një sektor në zhvillim është më mirë se moskrijimi i tyre, sepse rreziqet e lënies së lirë të një sektori kaq delikat, do të ishin pafundësisht më të shumta. Sot, kjo rregullore lejon kontrollin e një fenomeni dhe si pasojë, uljen e rreziqeve, nëpërmjet një sistemi të qartë kontrolli mbi operatorët e sektorit, siç ndodh për të gjithë sektorët e tjerë të financës. Për më tepër, ligji ka meritën e madhe i të qenët “euro-kompatibël” nën të gjitha aspektet kryesore, përfshirë ato të lidhura me direktivën e pestë mbi riciklimin, duke lejuar identifikimin e subjekteve, siç ndodh për çdo veprim tjetër financiar.
Flet Guvernatori Sejko: Të shmangin rreziqet nga kriptovalutat, por ta shohim edhe si shans për zhvillim
Banka e Shqipërisë: Nuk jemi as pro dhe as kundër
Banka e Shqipërisë nuk ka ende një qëndrim të qartë për kriptomonedhat, ndërkohë që çdo ditë lajmet rreth rreziqeve dhe problematikës së rregullimit të tyre zënë peshë të rëndësishme në lajmet e mediave botërore.
I pyetur nga “Monitor” në konferencën e fundit për shtyp, Guvernatori Gent Sejko tha se “e kemi parë që është hedhur për konsultim publik, një projektligj për këtë çështje. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë ende një informacion zyrtar lidhur me këtë projektligj, pasi është në fazë konsultimi publik. Sigurisht që ne do të prononcohemi dhe do të japim komentin dhe opinionin tonë lidhur me efektet që ky projektligj do të ketë”.
Duke kërkuar të tërheqë edhe institucionet financiare ndërkombëtare në këtë diskutim, Guvernatori thotë se “Banka Qendrore, vazhdimisht i ka studiuar dhe i ka parë, si të gjitha bankat qendrore, këto zhvillime në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo na bën të mendojmë që do të na duhet një konsultim më i gjerë edhe me autoritetet ndërkombëtare, për zhvillimin dhe për të pasur një projektligj dhe në fund, një ligj sa më të mirë, në mënyrë që të shmangim të gjitha rreziqet që do të na vinin nga këto kriptovaluta por, nga ana tjetër, të shikonim dhe mundësitë më të mira të përfitimit të ekonomisë shqiptare lidhur me këtë projektligj dhe ligj në fund”.
Pak ditë më parë është hedhur për konsultim publik një projektligj që synon të lejojë kriptovalutat në Shqipëri. Cili është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me këtë projektligj?
Guvernatori: Edhe ne e kemi parë që është hedhur për konsultim publik, një projektligj për këtë çështje. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë ende një informacion zyrtar lidhur me këtë projektligj, pasi është në fazë konsultimi publik. Sigurisht që ne do të prononcohemi dhe do të japim komentin dhe opinionin tonë lidhur me efektet që ky projektligj do të ketë. Banka e Shqipërisë është një institucion përgjegjës, në radhë të parë për politikën monetare, për stabilitetin e çmimeve, por edhe për stabilitetin financiar. Pra, ne do ta shohim këtë projektligj në kontekstin e rolit tonë si Bankë Qendrore dhe specifikisht në lidhje me përfitimet, por edhe me rreziqet që mbartin elementet e kriptovalutave, dhe gjithçka tjetër që do të na prezantojë ky projektligj.
Gjithsesi, dua të theksoj se ne nuk kemi qëndruar indiferentë. Banka Qendrore vazhdimisht i ka studiuar dhe i ka parë, si të gjitha bankat qendrore, këto zhvillime në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo na bën të mendojmë që do të na duhet një konsultim më i gjerë edhe me autoritetet ndërkombëtare, për zhvillimin dhe për të pasur një projektligj dhe në fund një ligj sa më të mirë, në mënyrë që të shmangim të gjitha rreziqet që do të na vinin nga këto kriptovaluta, por nga ana tjetër të shikonim dhe mundësitë më të mira të përfitimit të ekonomisë shqiptare lidhur me këtë projektligj dhe ligj në fund. Kjo është ajo që unë do të thosha për momentin.
Ju keni pasur një qëndrim si Bankë e Shqipërisë, jo shumë favorizues për lejimin e kriptovalutave. A do të thotë kjo që, nëse ligji sjell risi të mira dhe është pozitiv, Banka e Shqipërisë do ta mbështesë atë?
Guvernatori: Ne nuk kemi qenë as pro dhe as kundër, ne kemi përmendur rreziqet dhe problemet, sikundër kanë bërë dhe bankat qendrore sot në botë, lidhur me kriptovalutat. Kriptovalutat janë risi teknologjike, të cilat janë duke u zhvilluar. Zhvillimet e sotme teknologjike në botë ecin shumë shpejt dhe bankat qendrore janë duke zhvilluar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Natyrisht që në rast se do të gjykojmë, vërejmë dhe vlerësojmë që projektligji do të sjellë risi dhe risqet do të jenë të menaxhuara, ne do të jemi dakord. Ligji ka aftësinë që shumë rreziqe t’i rregullojë e t’i parandalojë. Nëse do të jetë ky rasti dhe nëse do të vlerësojmë se ekonomia do të ketë përfitime, ne do ta mbështesim. Gjithsesi, do të na duhet në radhë të parë të shohim projektligjin përfundimtar dhe pastaj të japim opinionin dhe komentet tona.
AMF, prononcim mbi projektligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrit të shpërndarë”
AMF: Si do të parandalohet pastrimi parave
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që është konsultuar probonus nga kompania italiane “Consulcesi” ka shpjeguar për “Monitor” se “projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë për krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. Gjithashtu janë përcaktuar politika të qarta për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me këtë fushë”.
Në mbrojtje të integritetit të tregut, projektligji parashikon ndalimin e praktikave abuzive me tregun, siç janë manipulimi i tregut, apo tregtimi i bazuar në informacion të privilegjuar. Kundrejt personave që kryejnë, apo tentojnë të kryejnë praktika abuzive dhe konsiderohen vepra penale, projektligji i referohet Kodit Penal.
Qëllimi për të cilin u ndërmor hartimi i projektligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrit të shpërndarë” ishte: Shfrytëzimi sa më i mirë i potencialit të Fintech dhe të teknologjisë DLT; Nxitja e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit; Krijimi i alternativave të reja të investimit për investitorët, veçanërisht për tërheqjen e investitorëve të huaj; Ulja potenciale e kostove të sistemit të pagesave; Ndalimi i ofrimit të aseteve virtuale me ofertë fillestare, në mënyrë të paautorizuar, si dhe ndalimi i shpërndarjes dhe tregtimit të këtyre aseteve nga bursa të paautorizuara.
Në kuptim të këtij projektligji, asetet virtuale përfshijnë tokenat digjitalë të titujve, të pagesave, të shërbimeve dhe të aseteve, si dhe monedhat virtuale. Emetimi i rregulluar, sipas këtij projektligji, i aseteve virtuale (tokenave digjitale dhe monedhave virtuale – ICO/STO) krijon premisa për sigurimin e një burimi alternativ financimi, veçanërisht për bizneset e reja me ide inovative që do ta kishin të vështirë, ose të kushtueshme, për të mbledhur kapital përmes kanaleve tradicionale të financimit. Projektligji përcakton detyrimin e shoqërisë emetuese për hartimin dhe publikimin e prospektit, akt-ofertës apo relacionit prezantues. Kërkesat që duhet të përmbajë një prospekt për tokenat digjitalë të titujve janë të njëjta me kërkesat e parashikuara në projektligjin “Për tregjet e kapitalit”.
Nga ana tjetër, ICO/STO krijojnë një mundësi tërheqëse investimi, duke përfshirë edhe investitorët e vegjël që zakonisht nuk kanë akses në financimin e investimeve të mëdha në fazën e tyre fillestare. Kjo krijon mundësi për rritjen e përfshirjes financiare.
Projektligji rregullon edhe mënyrën e tregtimit të tokenave digjitalë dhe monedhave virtuale, në bursat apo vendet e tregtimit që përdorin teknologjinë e regjistrit të shpërndarë (DLT). Rregullimi konsiston në përcaktimin e kapitalit të nevojshëm që duhet të ketë subjekti – bursë, shmangien e konfliktit të interesit, domosdoshmërinë e krijimit të procedurave të përshtatshme, si dhe përgjegjësitë e këtij subjekti.
Blockchain, Shqipëria me kripto ka avantazhe për ekonominë
Dritan Shpuza, drejtor në një bankë në Estoni, po mendon të fusë sistemin blockchain në Shqipëri. Ai thotë për mediat shqiptare se teknologjia blockchain mund të ketë aplikime në shumë sektorë të tjerë, falë karakteristikave të tij.
Në fakt, blockchain është një bazë e të dhënave të përbashkëta. Nëpërmjet blockchain mund të ruani të dhënat në një formë jashtëzakonisht të sigurt, duke krijuar një kontekst të “besimit” edhe midis personave të panjohur. Nëse Shqipëria ndërmerr një hap të tillë, do të ketë shumë përfitime për vendin dhe personat.
Është e vërtetë që Shqipëria mund të jetë vendi i parë ku mund të ketë një kuadër të rregulluar për kriptomonedhat?
Janë disa shtete që kanë rregulluar me licencë nga Ministria e Financave të vendeve përkatëse këtë gjë. Pra, këto struktura, do të jenë bankat e kriptomonedhave. Në Europë, shtetet më përpara në këtë fushë janë Malta e Estonia, të cilat kanë nxjerrë licenca për wallet (ku mund të depozitosh kriptomonedhat, si një llogari banke për paranë) e exchange (ku mund të bëhet këmbimi ndërmjet kriptomonedhave ose këmbime të kriptomonedhave me para si euro, dollarë etj.). Kjo veprimtari kontrollohet e garantohet nga bankat qendrore të vendeve përkatëse. Edhe Austria, Gjermania, Lituania kanë nxjerrë ndonjë licencë dhe pritet së shpejti edhe Zvicra e Spanja. Pastaj në botë, e para është ShBA. Po ashtu, Kina ditët e fundit ka nxjerrë një ligj të posaçëm për blockchain, si dhe Koreja e Jugut, India.
Ju personalisht keni një licencë të tillë, apo jo?
Po, unë kam një kompani, e licencuar në Estoni me emrin NBC oü. Së shpejti, do të dal me një projekt, ku ndërmjet dy platformave do të mundohem të sjell blockchain në shërbim të të gjithëve.
Në ç’kuptim në shërbim të të gjithëve?
Shërbimet e shumta që ofron teknologjia blockchain, si çdo gjë e re, duhen kuptuar e besuar, pastaj përdorur. Por nuk është e lehtë një gjë e tillë, pasi mënyra e të shprehurit dhe komunikimit që përdoret në platforma që ofrojnë shërbime nga blockchain, bëhet shpesh nga persona me nivel të lartë teknologjik, por jo komunikativ. Prandaj këto shërbime janë për një klasë të lartë e jo për çdo individ. Dhe, gjithashtu, mungon fare raporti human, pasi çdo veprim bëhet online. Por projekti NBC Franchising, me hapjen e zyrave dhe me futjen e komunikimit të drejtpërdrejtë njerëzor, do të bëjë që të kenë përfitime shumë më tepër persona nga shërbimet e kësaj teknologjie. Për më gjatë mund të shikoni sitin www.nbc.si. Siti është në italisht, pasi do të fillojmë me tregun italian, por shumë shpejt do të jetë edhe në shumë gjuhë të tjera, edhe në shqip.
Të kthehemi në fillim. Doja t’ju pyesja, pse thoni që vendi ynë dhe shtetasit e tij do të kenë shumë përfitime nëse aplikohet teknologjia blockchain dhe kriptomonedhat në Shqipëri?
Dy gjëra janë pikat më të dobëta për vendin tonë: Transparenca dhe inovacioni. Këto dy të meta mund të kapërcehen me shpejtësi nëpërmjet teknologjisë blockchain, pasi kjo teknologji jep transparencë dhe natyrisht është ndër më inovativet që ka sot. Teknologjia blockchain mund të përdoret në fushën e arsimit, banka e financa, shëndetësi, zgjedhjet politike, pagesa dhe transferime të parave, shitje e dhënie me qira të makinave, për sigurimet, sport, transport, internet vlerash, shërbime noteriale etj., etj. Kam bërë një eBook të vogël ku shpjegoj me pak fjalë, ku dhe si mund të përdoret teknologjia blockchain.
Po kriptomonedhat, a mund të jenë një rrezik për tregun shqiptar?
Nëse kriptomonedhat përdoren siç është në projektin NBC, pra jo si produkt, por si mjet, të gjithë vetëm mund të përfitojnë. Mund të lehtësohen mënyrat e pagesave, investimet në formë këmbimi, ku kapitali investues është vetëm si garanci për momentin e këmbimit të kriptomonedhave (pra asnjë rrezik humbje kapitali), kredi për projekte me formën ICO (mbledhje fondesh në kriptomonedha), ku mund të realizohen shumë gjëra që në botën tradicionale të kreditit nuk është e mundur. Nëse përdoret si investim direkt, atëherë si çdo investim që bëhet në bursë, ose biznes, ka rreziqet e veta. Por mendoj se më mirë është të investosh edhe direkt në kriptomonedha se sa në biznes, bar apo lokal, pa qenë sipërmarrës e pa njohur rregullat e biznesit (dukuri shumë e përhapur në Shqipëri).
Si e mendoni ju Shqipërinë në këtë moment nëse aplikon teknologjinë blockchain?
Jetojmë në një kohë ku teknologjia dominon çdo gjë. Amazon, Domino’s Pizza, WalMart, McDonald’s, Netflix janë kompani që, me anë të teknologjisë, sot kanë dominuar tregjet botërore. Sot, një kompani shumë e fortë, për një kohë shumë të shkurtër, mund të kapërcehet nga një kompani që sapo lind, nëse kjo e fundit është një digital kompani dhe e para jo. Kjo gjë, shumë vite më parë, nuk mund të ndodhte kurrë. E njëjta gjë edhe për shtetet.
Ata që po aplikojnë teknologjinë, po bëjnë hapa rrënjësorë përpara. Pastaj nëse flasim për teknologjinë blockchain, që është më e avancuara, mund të kuptohet qartë se çfarë mund të ndodhë. Sot, pak shtete e kanë aplikuar këtë teknologji dhe jo në të gjitha fushat. Jam i bindur se aplikimi i teknologjisë blockchain në Shqipëri, në të gjitha fushat dhe në një kohë të shpejtë (që është e mundur, pasi jemi një vend i vogël) do të sjellë që Shqipëria të bëhet një magnet, ku Europa do të na afrohet ne, dhe jo si tani që ne i afrohemi Europës dhe ajo s’na hap dyert.