Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër.
Emergjenca Civile njoftoi se furia e zjarrit i është larguar hyrjeve të tunelit të Krrabës, por operacioni vazhdon për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me shkurre dhe dushqe larg hyrjeve të tij, në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan.
Po ashtu, vazhdon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj, Tiranë. Forcave në terren të Pyjores dhe nga Drejtoria së Zonave të Mbrojtura, pritet t’u shkojnë në ndihmë edhe forca të Ushtrisë.
Në fshatin Maknor, Pezë, zjarrfikësit kanë izoluar vatrat e zjarrit dhe tashmë nuk paraqesin problem për banesat. Si pasojë e zjarrit është djegur deri një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e kullota.
Në fshatin Selbë, Dajt, bashkia Tiranë ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Në ndihmë të punonjësve të Pyjores dhe Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura (DZM) kanë shkuar edhe forca të ushtrisë. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Kuç, bashkia Vorë është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre. Në ndihmë të zjarrfikësve me mjete, kanë shkuar edhe forca të ushtrisë, pasi zjarri rrezikoi Fabrikën e Fishekzjarrëve. Vatrat e zjarrit u izoluan por operacioni vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e madhe me shkurre.