Nisi sot procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore, në 6 bashki të vendit. 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Ora 13:00
KQZ ka bërë publike të dhënat e pjesëmarrjes në votime në 6 Bashki të vendit, deri në orën 13:00. Gjysma e qendrave të votimit, kanë ofruar të dhëna në KQZ, ku deri tani pjesëmarrja e përgjithshme është 17.96%.
Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë është ajo e Dibrës, e ndjekur nga Lushnja, Vora dhe Rrogozhina, ndërkohë që Durrësi dhe Shkodra, që në fakt janë dhe bashkitë me numrin më të lartë të zgjedhësve, kanë pasur një pjesëmarrje dukshëm më të ulët.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura në të gjithë vendin deri në orën 19:00, ndërkohë që në terren është vënë re një interesim deri diku i ulët i qytetarëve.
Ora 12:00
Pjesëmarrja në 6 bashki deri në orën 12:00: 15.04%
Ora 11:30
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi iu ka bërë apel subjekteve politike të respektojnë Kodin Zgjedhor për heshtjen zgjedhore.
Ai deklaron se çdo thirrje politike drejt zgjedhësve është në kundërshtim me dispozitat e Kodit.
“I rikujtoj të gjitha palëve të përfshira në Zgjedhjet e 6 Marsi se deri në mbylljen e procesit të votimit jemi në kushtet e heshtjes zgjedhore. Çdo thirrje tjetër politike drejt zgjedhësve përveç atyre për pjesëmarrje në votime, është në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Mirëpresim çdo angazhim nga subjektet zgjedhore në mirëadministrimin e procesit”, deklaron Celibashi.
Ora 11:02
Kandidatja e PS për bashkinë e Lushnjes, Eriselda Sefa ka folur para mediave pasi ka votuar, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të shprehur dëshirën e tyre.
“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë e madhe dhe qytetarët të shkojnë në qendrën e votimit me qetësi dhe thjeshtësi. Procesi i fushatës ka qenë i qetë, shpresoj dhe kam bindjen që do vijojë deri në fund. Merrni disa minuta nga dita juaj e pushimit. Deri në orën 19:00 kanë të drejtë të marrin pjesë kështu që patjetër do të vijojë procesin. Secili kandidat ka vizionin, pamjen dhe modelin e vet të qeverisjes. Do të sjell ndryshe vetëm modelin e qeverisjes”, tha Sefa.
Që nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes, 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës.
Ora 10:15
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka njoftuar se në pjesën më të madhe të qendrave të votimit po vijon procesi pa probleme. Në një konferencë para gazetarëve, Celibashi bëri me dije se në Shkodër nuk ka filluar procesi i votimit në tre qendra votimi.
Celibashi tha se në 18 qendra votimi ka probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ai shtoi se disa qendra votimi po vijojnë procesin manualisht, ndërsa në Vorë deri më tani nuk është hasur asnjë problem.
“Në Shkodër nuk ka filluar procesi në tre qendra votimi. Në Dibër ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit, në 18 qendra kemi probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Në Durrës ka një problem në një qendër votimi, por tani është bërë zëvendësimi i pajisjes. Në një qendër votimi në Durrës po kryhet pa paisjen. Në Vorë janë hapur 44 qendrat e votimit, nuk ka asnjë lloj problemi. Në Rrogozhinë votimi ka filluar në 53 qendrat. Në Lushnje, 5 qendra kanë probleme me kamerat dhe pajisjen, një qendër po voton manualisht”, tha Celibashi.
Celibashi konfirmoi se deri më tani janë regjistruar dy incidente, një në Dibër dhe një Durrës. Komisioneri tha se është një afat prej 5 orësh për ato qendra të cilat kanë probleme dhe nuk ka nisur ende votimi.
Ora 09:57
Skuadra e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri këtë të dielë është ndarë në gjashtë bashkitë e vendit, për të monitoruar procesin zgjedhor me 20 ekipe. Këtë e ka bërë të ditur zyra e BE-së në Shqipëri, përmes një postimi në median sociale Twitter.
Bëhet fjalë për Bashkinë e Durrësit, Vorës, Lushnjës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Shkodrës. Qytetarët shqiptarë votojnë sot për të zgjedhur kryetarët e rinj në gjashtë bashkitë e vendit.
Sipas KQZ, janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Si në çdo proces zgjedhor, votimi do të nisë në orën 7 për të përfunduar në orën 19:00. E vetmja bashki e përzgjedhur për të votuar elektronikisht, do të jetë Vora.
Ora 09: 40
Në disa qendra në Dukagjin nuk ka nisur ende votimi për shkak të kushteve të motit. Komisionerët pretendojnë se janë të bllokuar në rrugë nga dëbora dhe nuk kanë mbërritur ende. Ata nuk përgjigjen as në telefon pasi janë në një zonë ku nuk ka valë.
Ditën e sotme 654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.
Ditën e djeshme, pas verifikimit në terren, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili kishte rrëzuar transferimin e qendrave të votimit doli në një vendimmarrje të dytë dhe pranoi pjesërisht kërkesën duke i hapur rrugë zhvendosjes sipas parashikimeve të kodit zgjedhor vetëm te 5 qendrave të votimit.
Demokratët e vijuan betejën në KAS, i cili rrëzoi vendimmarrjen e Komisionit, duke mos ndryshuar vendndodhjen e 5 qendrave të votimit të Shalës, e cila është zbardhur nga dëbora. Edhe këtë të diel situata me motin është përkeqësuar.
Ora 08:43
Moti i keq po shkakton problematikat e para në zgjedhjet e pjesshme, ku për shkak të dëborës, ka probleme me qendrat e votimit në disa KZAZ në Dibër.
Mësohet se, si pasojë e reshjeve të borës ka probleme me energjinë elektrike në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Zall Dardhë, Zall Reç, Sllovë dhe Luzni.
Procesi i votimit ende nuk ka filluar në qendrat e votimit të këtyre njësive pasi nuk funksionon lexuesi elektronik. Në disa zona të thella ka bllokim të rrugës por janë nisur fadroma për hapjen e rrugëve.
Ora 08:42
Ka pasur ngërç në KZAZ 26 në Vorë. PD kishte dërguar 104 kandidatë për kryetarët, anëtarët dhe sekretarët e qendrave të votimit. KZAZ 25 nuk ka pranuar t’i regjistrojë për shkak se nuk ishin banorë të zonës.
Celibashi ka hapur thirrjen për aplikim dhe në faqen e KQZ kanë shfaqur interes 110 persona. Nga verifikimi i KZAZ 26 ka rezultuar se ato janë të njëjtit kandidat që kishte propozuar PD dhe janë referuar.
Përfaqësuesi i PD në KQZ tha për Top Channel se: “Mbrëmë në orën 02:00, KAS mori vendim që KZAZ të emërojë komisionerët sipas listës që i ka dërguar Celibashi, ata refuzojnë ta bëjnë”.
Ora 08:23
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti, ishte i pari nga kandidatët për kryebashkiak që shkoi dhe votoi ditën e sotme në Qendrën e Votimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.
Hoti shkoi të votonte i vetëm i pashoqëruar nga familja e tij, ndërsa në deklaratën për mediat i ftoi qytetarët që të votonin gjithashtu.
“Të dashur qytetarë të Durrësit! Dilni dhe votoni! Votoni si njerëz të lirë, votoni për veten tuaj! Votoni që bashkia të jetë e juaja! Votoni që t’i japim fund marrjes peng të Durrësit, që qyteti ynë t’u rikthehet qytetarëve! Në shërbim të qytetarëve. Bashkë për Durrësin!,“ tha Hoti.
Ora 08:14
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në 6 bashki. Ndërsa, uron një të dielë të qetë, Rama fton qytetarët të ushtrojnë këtë të drejtë themelore demokratike për të zgjedhur edhe në respekt të atyre që në lindje të Europës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë.
“MIRËMËNGJES dhe me ftesën për qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri ku sot votohet, që ta ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur edhe në respekt të atyre që në lindje të Europës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë, ju uroj një të dielë të qetë, ” shkruan Rama.
654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.
Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimi që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.
Ora 07:56
Votimi në zgjedhjet e 6 marsit për bashkinë e Vorës do të jetë tërësisht elektronik. Sipas burimeve, të gjitha makineritë janë shpërndarë dhe rezultati i fituesit pritet që të dalë fill pas mbylljes së procesit të votimit në orën 19:00.
Nga të gjashta bashkitë, Vora është e vetmja bashki ku edhe do të testohet procesi elektronik, kjo për shkak se numri i pajisjeve të votimit përkon me të gjitha qendrat e votimit, pasi kjo Bashki ka edhe numrin më të vogël të votuesve. Më herët, në procesin zgjedhor të votimeve parlamentare më 25 prill, votimi elektronik u implementua në njësinë numër 10 në Tiranë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi duke folur për zgjedhjen e pjesshme që po zhvillohen sot më 6 mars për gjashtë bashkitë e vendit tha se” votimi elektronik është 100% i sigurt”.
Kujtojmë se zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie do të mbahen në Durrës, Vorë, Shkodër, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje, ndërsa rezultati pritet të shpallet brenda 48 orëve.
Ora 07:47
Ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki. 650 mijë qytetarë do t’i drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e pushtetit vendor, të cilët do të kenë një mandat 1-vjeçar.
Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës. Janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.
Në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve. Ndërsa për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar mbrëmë vonë se ka përfunduar shpërndarjen e bazës materiale, pavarësisht largësisë në distancë apo kushteve të vështira atmosferike. Gjithsej në 6 bashkitë, do të ketë 942 zona zgjedhore, ndërsa për shkak të dëborës dhe terrenit, dorëzimi ka qenë më i vështirë në zonat më të largëta malore të Bashkisë Shkodër, më konkretisht në njësitë administrative Shalë, Shoshë dhe Pult.
Në secilin prej qarqeve kandidatët kanë rendin e tyre në fletën e votimit, ndërsa ndarja është në tre fronte: Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe koalicioni mes mbështetësve të Sali Berisha dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në mbështetje të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” është edhe Partia Demokristiane, ndërsa në Dibër dhe Durrës garon edhe nga një kandidat i katërt, përfaqësues të “Lëvizja e Re”.
Për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë, duke u bazuar në numrin e zgjedhësve të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, shtuar 2 për qind të tyre, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, do të prodhohen në total 667.629 fletë votimi.
Bashkia Shkodër:
Majlinda Angoni – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Bardh Spahia – “Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Xhemal Bushati – “Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Dibër:
Premtim Kryemadhi – “Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Luan Haka – “Partia Demokratike” (PD)
Rahim Spahiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Dritan Torba – “Lëvizja e Re” (LRE)
Bashkia Durrës:
Ardian Muka – Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Emiriana Sako – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Luan Hoti – “Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Vorë:
Lulzim Vrana – Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Blerim Shera – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Ymer Marku – “Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Rrogozhinë:
Ferdinand Saraçi – “Partia Demokratike” (PD)
Edison Memolla – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Hekuran Xhani -Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Bashkia Lushnje:
Eriselda Sefa – “Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Indrit Sefa – “Partia Demokratike (PD)
Elton bano – “Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)