Në një proces që opozita e quan “garë demokratike”, por ku në fletën e votimit ekzistonte vetëm një emër, Sali Berisha u paraqit këtë të shtunë për të votuar… veten. Pasi skualifikoi pesë kandidatë të tjerë dhe mbeti i vetëm në garë për kreun e PD-së, Berisha e cilësoi procesin “shembullor” dhe ndër më demokratikët në Europë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, lideri demokrat u shfaq i qeshur para kamerave, ndërsa ftoi demokratët të merrnin pjesë në votimin ku surpriza më e madhe mbetej vetëm përqindja që do të merrte kandidati i vetëm.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike është ndër të paktat parti në Europë dhe botë që aplikon modelin “1 anëtar-1 votë”, edhe pse në këtë rast anëtarët kishin luksin të zgjidhnin mes “po” dhe “po”. “Ky është një proces shembullor dhe modern”, tha ai, duke garantuar se do të përmbushë me përkushtim detyrat ndaj demokratëve që po i besojnë drejtimin… përballë mungesës së çdo alternative tjetër. Në selinë blu atmosfera dukej më shumë si konfirmim formal sesa garë politike, ndërsa kutitë e votimit prisnin demokratët që të vulosnin rezultatin e paracaktuar.
Nuk munguan as thumbat politike. Berisha rezervoi një sulm për ish-deputetin Ervin Salianji, pasi në disa fletë votimi ishte shkruar emri i tij. Kreu demokrat e cilësoi Salianjin “përfaqësues të botës së krimit”, duke deklaruar se njerëz të tillë nuk kanë vend në PD. Ironikisht, në një proces pa rivalë realë, tensioni më i madh duket se erdhi pikërisht nga votat spontane të demokratëve që kërkuan të krijonin një garë aty ku gara kishte mbaruar para se të niste.










