Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për të rikthyer në Apelin e Shkodrës çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila pranoi rekursin që kishte bërë Prokuroria e Apelit dhe vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Në vendim thuhet se gjykata e Lezhës nuk e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke argumentuar se nga disa të pandehur janë parashtruar pretendime mbi vlefshmërinë dhe përdorueshmërinë e akteve dhe fuqisë provuese të tyre.
“Ndërsa për të pandehurit Ndue Frroku, Gjin (Vasil) Froku dhe Martin Frroku, bazuar në nenet 352/1 e 93/a të KPrPenale, me vendimin e datës 1.3.2019, Gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për një vit dhe ndarjen e çështjes penale në ngarkim të tyre sepse njoftimi i tyre personalisht nuk u realizua, sipas të dhënave të hyrje-daljeve nga pikat e kalimit kufitar rezultuan jashtë shtetit në adresë të panjohur dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për zhvillimin e gjykimit në mungesë konform nenin 351 të KPrPenale personalisht, përpara noterit ose autoritetit shtetëror përgjegjës”, thuhet në vendim.
Gjykata e Lartë thotë se rekursi i paraqitur nga prokurori i Gjykatës së Apelit të Shkodrës plotëson kushtet formale për t’u pranuar pasi paraqitur brenda aftit ligjor.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Prokurori pranë Gjykatës së Apelit Shkodër plotëson kushtet formale për tu pranuar pasi është paraqitur brenda afatit ligjor, prej 45 dite ( nga e nesermja e njoftimit te vendimit te Gjykates se Apelit), të parashikuar në nenin 435 të Kodit të Procedurës Penale”.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka konsideruar në kushtet e paligjshmërisë edhe konkluzionin e Gjykatës së Apelit sipas të cilit verifikimi vendimmarrjes së Shpallës së Parë imponon në mënyrë automatike prishjen e vendimit kryesor dhe kthimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë.
“Kolegji….në kushtet e paligjshmerise, çmon se ky vendim duhet të prishet duke u dërguar çështja për rigjykim pranë të njëjtës Gjykatë –të Apelit – pranë një kolegji të ndryshem nga ai që ka gjykuar çështjen, për tu prononcuar lidhur me themelin e çështjes, të apeluar, prej paleve, të gjykuar me vendimin nr.198, date 17.09.2020, te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Lezhe”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ne shtator 2020, shpalli fajtor 17 të pandehur, përfshirë ish-kryetarin e bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, i cili u dënua me katër vite burg për “shpërdorim detyre”, për akuzën e tjetërsimit të pronave tek Rana e Hedhun në bregdetin e Shëngjinit.
Në mars 2021, Gjykata e Apelit Shkodër e riktheu çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk është zhvilluar si një proces i rregullt ligjor. Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.