Zbardhet vendimi i gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila argumenton se ka shkelje proceduriale gjatë gjykimit të Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit Jaeld Celës.
Sipas Gjykatës, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që s’mund të merrnin pjese në gjykim.
Në argumentet e saj, gjykata thekson se prokuroria i dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza. Sipas saj, gjykata gaboi pasi nuk i dha mundësinë Tahirit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse sipas ligjit mund të bëjë rikualifikim ndryshe të veprës penale, por duke i dhënë mundësinë të pandehurit të paraqesë argumentet e tij.
Tashmë çështja e Tahirit do të rigjykohet nga Shkalla e Dytë e cila do të marrë një vendim përfundimtar, por kësaj radhe nga një tjetër trupë gjykuese. Dënimi i fundit që mori Tahiri ishte me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove. SPAK e ka akuzuar për trafik droge, por deri më tani ish-ministri i Brendshëm është dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe asnjë nga 3 akuzat e tjera të ngritura nga Prokuroria.
VENDIMI I ZBARDHUR I GJYKATES SE LARTE
REPUBLIKA E SHQIPËRISE
GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL
Nr. 56260-00538-00-2020 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2021-656 i Vendimit (50)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Sokol Sadushi Kryesues
Ilir Panda Anëtar
Ervin Pupe Anëtar
në seancë gjyqësore të datës 28.09.2021, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:
TË GJYKUAR: 1- Saimir Tahiri
2- Jaeld Çela
AKUZUAR: Për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
KOLEGJI PENAL I GJYKATES SE LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ilir Panda; Prokurorin pranë Gjykatës së Lartë i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Mbrojtësin e të pandehurit Saimir Tahiri që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues dhe Mbrojtësin e të pandehurit Jaeld Çela, që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim, me pasojë deklarim të pafajësisë për rekursuesin Jaeld Cela, dhe në rast se nga Gjykata nuk do të konstatohet mundësia e shqyrtimit të kësaj çështjeje, kthimin e saj për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues,
VËREN,
I. Rrethanat procedurale të çështjes:
1. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në kuadër të procedimit penal nr. 134/5, viti 2016, ka paraqitur për gjykim para asaj gjykate, në datë 10.3.2019, kërkesën për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
2. Çështja është dërguar në gjyq me vendimin nr. 42, datë 26/03/2019, të gjyqtarit të seancës paraprake të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
3. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 10.07.2019, ka vendosur pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila dhe ndarjen e çështjes penale në ngarkim të tyre nga çështja penale në ngarkim të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Ky disponim i gjykatës bazohet në faktin se për të bashkëpandehurit Gjergji Kohila dhe Sokol Bode është marrë vendim për mosgjetjen e tyre, në konformitet me kërkesat e nenit 141 të KPP, pasi masat e sigurimit “arrest në burg” caktuar ndaj tyre, vijojnë të jenë të paekzekutuara.
4. Nga aktet e administruara në fashikujt hetimorë rezulton se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë:
– Në datë 08/07/2016 ka regjistruar procedimin penal nr. 134, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 284 dhe 333/a të KP. Regjistrimi i këtij procedimi penal është kryer mbi bazën e informacioneve të përcjella në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm të disa personave në kultivimin e lëndëve narkotike; Nga të dhënat e verifikuara në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se janë identifikuar si të përfshirë shtetasit Gjergji Kohila, Renaldo (Rinaldo) Avdylaj (punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë), Artan Habilaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj etj., të cilët vepronin si grup i strukturuar kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
– Në datë 29/04/2017, ka regjistruar procedimin penal nr. 164; Nga të dhënat e grumbulluara evidentohet fakti se shtetasit Nazer Seitaj, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Matan Matani, në bashkëpunim me njëri tjetrin, janë përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipërisë në Itali dhe në vendet e Bashkimit Europian. Këta shtetas kishin në pronësi një mjet lundrueses, tip gomone, të paregjistruar, me të cilin realizonin trafikimin e narkotikëve. Në këto rrethana, ky procedim penal është regjistruar në lidhje me veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 të KP.
– Në datë 17/10/2017 ka regjistruar procedimin penal nr. 313 në lidhje me veprën penale ‘Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të KP, si dhe në lidhje me veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i KP. Ky procedim është urdhëruar mbi bazën e të dhënave dhe fakteve të publikuara në media, për arrestimin nga autoritetet italiane të drejtësisë, të shtetasit shqiptar Moisi Habilaj, si pjesë e një grupi kriminal, që ushtron aktivitet në drejtim të trafikimit të narkotikëve. Sipas medias arrestimi i tij ka lidhje me kapjen dhe sekuestrimin e sasisë prej 3,5 ton lëndë narkotike e llojit cannabis sativa.
– Në datë 25/09/2017, prokuroria disponon me vendim për bashkimin e procedimit penal nr. 134, të vitit 2016 me procedimin penal nr. 164, të vitit 2017, në një procedim të vetëm me nr. 134, të vitit 2016.
– Në vijim, në datë 18/10/2017, prokuroria ka disponuar edhe për bashkimin e procedimit penal nr. 313 të vitit 2017 me procedimin penal nr.134 të vitit 2016, duke argumentuar se ne mbështetje të nenit 79 të KPP, bashkimi i procedimeve vendoset kur vepra penale për të cilën zhvillohen hetimet është kryer nga disa persona në bashkëpunim. Në lidhje me faktet penale për të cilat zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi penal, prokurori thekson se, “personi nën hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë, duke përfituar nga lidhje e ngushtë me ish Ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit. Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar edhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal dhe sigurinë e kultivimit dhe kalimit të sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike”.
– Gjatë hetimeve paraprake, prokurorët (pasi i kanë bashkuar fillimisht) kanë vendosur për ndarjen sërish të procedimit penal nr. 134, në procedimet penale nr. 134/1, 134/2, 134/3, 134/4, duke disponuar dërgimin e tyre për gjykim, sipas rastit.
5. Në datë 25/02/2019, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 134/2016 në procedimin penal nr. 134/5 në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal dhe në procedimin penal nr. 134/2016 në ngarkim të shtetasve të tjerë, subjekte të procedimit penal, për të cilët është vlerësuar se hetimet duhet të vijojnë.
6. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda,Tiranë, gjatë zhvillimit të gjykimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar, konform nenit 406 të KPP, ka pranuar përmbledhtazi këto rrethana të çështjes:
7. Më datë 25/10/2013, në Augusta, është sekuestruar sasia prej 1650 kilogram lëndë narkotike cannabis sativa, e cila ishte transportuar në rrugë detare nga Shqipëria në Itali në të njëjtën ditë.
8. Më datë 27/02/2014, në Palagonia, është sekuestruar sasia prej 289,7 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, e cila ishte transportuar në kohë të pacaktuar nga Shqipëria ne Itali dhe në momentin e kapjes nga policia po mbahej dhe transportohej në territorin italian.
9. Më datë 29/07/2014, në Katania, është sekuestruar sasia prej 293,5 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, e cila ishte transportuar në kohë të pacaktuar nga Shqipëria në Itali dhe në momentin e kapjes nga policia po mbahej dhe transportohej ne territorin italian.
10. Më datë 8.5.2015, në Risposto, është sekuestruar sasia prej 880 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, e cila ishte transportuar nga Porto Palermo, Shqipëri në Risposto, Itali me peshkarexhën “Fatima”, në të cilën lenda narkotike ishte ngarkuar në orët e para të mëngjesit në datë 6.5.2015.
11. Më datë 4.10.2016 janë asgjësuar 5000 rrënjë bimë narkotike e llojit cannabis sativa, në zonën e fshatrave Vezhdanisht dhe Trebovë, Vlorë.
12. Më datë 18.10.2017, në fshatin Babicë e vogël, në banesën e Armand Koçerrit, është gjetur dhe sekuestruar nga policia gjyqësore sasia prej 3978 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa; po kështu në objektin fabrikë vaji në pronësi të Florian Habilaj, e ndodhur në këtë fshat është gjetur dhe sekuestruar një mjet lundrues, gomone, mbi të cilin ndodhej një motor bashkë me karelin metalik. (…).
13. Autoritetet italiane kanë ndjekur dhe dokumentuar veprimtarine kriminale të vëllezërve Habilaj dhe personave të tjerë (në procedimin e lidhur) për trafikimin nga ana e tyre të sasirave të medha të lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali dhe në përfundim të hetimeve të kryera në këtë drejtim, Prokuroria e Katanias ka paraqitur për gjykim çështjen penale në ngarkim të tyre, ndërsa, për të pandehurin Saimir Tahiri prokurori i Prokurorisë së Katanias ka paraqitur kërkesën datë 15.3.2018 për pushimin e çështjes penale (duke konkluduar se në mungesë të provave nuk rezulton të ketë elemente të vlefshme për të ngritur ndaj tij akuzën në gjyq) për të cilën gjyqtari i hetimit praprak në Gjykatën e Katanias ka vendosur miratimin e saj, me vendimin datë 3.10.2018.
13.1. Nëpërmjet disa letërporosive rradhazi, Prokuroria për Krime të Rënda, gjatë hetimit paraprak, ka marrë nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Katanias aktet e hetimit penal të kryer ndaj shtetasve shqiptarë Moisi Habilaj, Nezar Seiti, Meridian Sulaj, Florian Habilaj, etj.
14. Nga monitorimi ajror i territorit, i kryer në vitin 2016 nga misioni Guardia Di Finanza është verifikuar kultivimi i bimëve narkotike “cannabis sativa” në disa zona të vendit. Mes të tjerave sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjella janë konstatuar në hapësiren territoriale nën juridiksionin e Drejtorise Vendore të Policisë Vlorë, (krahas rrethit të Tepelenës).
14.1. Lidhur me këtë fakt misioni Italian i ka dërguar gjithsej 27 raporte monitorimi Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku janë treguar sipërfaqet e mbjella, koordinatat gjeografike. Këto raporte janë vënë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vetëm në datë 7.3.2017 (citohen raportet).
15. Përveç monitorimeve ajrore të Guardia Di Finanza, përhapja në masë të madhe e kultivimit të bimeve narkotike në një pjesë të territorit të vendit dhe veçanërisht në zonën e Vlorës, është referuar dhe nga organet e tjera ligjzbatuese, si Shërbimi Informativ Shtetëror, mbi të cilat, Prokuroria për Krime të Rënda ka rregjistruar procedimi penal nr.134, viti 2016.
16. I pandehuri SaimirTahiri ka qenë në detyrën e Ministrit të Puneve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë në periudhën nga data 11.9.2013 deri në datë 19.3.2017.
17. I pandehuri Jaeld Çela, ka kryer detyrën e Drejtorit të Policisë Vendore, Vlorë, në periudhën nga data 05/09/2014 deri në datë 28/04/2017.
18. Në lidhje me sa më sipër, prokuroria iu ka atribuuar të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela kryerjen e veprave penale, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, duke konkluduar se, gjatë kohës që të pandehurit Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, ushtronin me intesitet aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lendës narkotike nga Shqipëria në Itali, kishin mbështetjen e funksionarëve të lartë të policisë lokale Vlorë, si dhe të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
19. Të gjitha faktet në lidhje me akuzën e paraqitur janë analizuar gjerësisht nga ana e prokurorëve të çështjes gjatë gjykimit të çështjes në kushtet e gjykimit të shkurtuar, njëkohësisht janë kundërshtuar, po gjerësisht, nga të pandehurit, nëpërmjet mbrojtjes së tyre.
20. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 60, datë 19/09/2019, ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
– Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Samir Tahiri për veprën penale të ‘Grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika 1, germa ‘d’ të K.Pr.Penale.
-Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të Kodi i Procedurës Penale, të pandehurit Saimir Tahiri, për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
-Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri dhe vënien e tij në provë për një afat prej 3 (tre) vjet, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale, duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
-Heqjen e të drejtës të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të K.Penal, zbatimi i të cilit fillon me marrjen formë të prerë ( i ekzekutueshëm) të këtij vendimi, meqenëse është pezulluar vuajtja e dënimit me burgim.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të ‘Trafikimit të narkotikëve’, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 283/a paragrafi i parë, neni 28 pika ‘4’ dhe 334 paragrafi i parë të K.Penal, lidhur me:
-Episodin ku është sekuestruar sasia prej 1650 kg lëndë narkotike ‘cannabis sativa’, në Augusta, Itali, më datë 25/10/2013;
-Episodin ku është sekuestruar sasia prej 289,7 kg lëndë narkotike ‘cannabis sativa’, në Palagonia, Itali, më datë 27/02/2014;
-Episodin ku është sekuestruar sasia prej 293,5 kg lëndë narkotike ‘cannabis sativa’, në Katania, Itali, më datë 29/07/2014;
pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika ‘1’, germa ‘d’ të K.Pr.Penale.
-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të ‘Grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika 1, germa ‘d’ të K.Pr.Penale.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e ti j me 5 (pesë) vjet burgim.
-Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të K.Pr.Penale, të pandehurit Jaeld Çela, për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
-Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Heqjen e të drejtës të pandehurit Jaeld Çela për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal, zbatimi i të cilit fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim.
Provat materiale të bashkuara me fashikullin gjyqësore (sipas urdhrit përkatës të prokurorit datë 08/03/2019) të mbeten në funksion të procedimit penal të ndarë në ngarkim të të pandehurve në procedim të lidhur Gjergji Kohila dhe Sokol Bode…”.
20.1. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në vendimin e saj, pasi ka pasqyruar në mënyrë të hollësishme rrethanat procedurale të çështjes, rrethanat konkrete të faktit penal të atribuuar të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, argumentet dhe pretendimet e prokurorit lidhur me akuzën e paraqitur, argumentet dhe pretendimet e të pandehurve kundër akuzës dhe; pasi ka administruar dhe analizuar hollësisht tërësinë e provave të ndodhura në fashikujt hetimore, në kushtet e gjykimit të shkurtuar, ka arritur në përfundimin se: “… provat e paraqitura nga prokuroria në fashikullin e gjykimit jane indicje që nuk plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për të provuar ekzistencen e tyre (neni 152 i KPP) dhe deklarimet e prejardhura të dëshmitareve pa fuqi të plotë provuese ndaj të pandehurve në gjykim, të cilat në tërësinë e tyre ngrenë dyshime të arsyeshme në ngarkim të të pandehurve, por, nuk arrijne të kalojnë atë cak, nuk arrijnë të provojne përtej dyshimit të arsyeshem marreveshjen mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela dhe të pakten njërit prej të pandehurve të tjerë në procedimin e lidhur ndaj Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj etj…për të kryer veprat penale të trafikimit të narkotikeve dhe as të identifikojne apo të provojne veprime konkrete të tyre, të kryera me dashje nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në kuadër të ndonjë marrëveshje për të ndihmuar grupin kriminal të Moisi Habilaj, në ekzekutimin e episodeve konkrete të trafikimit në të cilat është sekuestruar lëndë narkotike. Dyshimet në këtë drejtim çmohen në favor të të pandehurve. (…) Megjithatë, fusha e veprimtarisë shtetërore e të pandehurit Saimir Tahiri, në detyrën e Ministrit të Brendshëm, lidhej pikërisht, mes të tjerave, me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit e veçanërisht të veprimtarive të paligjshme të trafikimit të narkotikeve dhe të gjitha veprimtarive të tjera të paligjshme që lidhen me të, referuar në legjislacionin përkatës. (citohen dispozitat kushtetuese dhe ligjore në bazë të të cilave rregullohet veprimtaria e M.Brendshme dhe Policisë së Shtetit). Në këtë legjislacion parashikohen edhe funksionet e ministrit si dhe funksionet e detyrat e drejtorit të policisë vendore. (…) Mosushtrimi me dashje i përgjegjësive ligjore në cilindo drejtim te veprimtarise nga ministri apo drejtori i policisë, në rastet e mospërmbushjeve thelbësore të funksioneve apo moskryerjes thelbësore të detyrave në drejtime të caktuara nga strukturat vartëse/llogaridhënëse të tyre, që ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, janë elemente që në vlerësim të kësaj gjykate, sipas nenit 248 të Kodit Penal, përbëjnë vepren penale “shpërdorimi i detyres”;(…) Prandaj në konkluzion gjykata, në vendim përfundimtar, bazuar në nenin 375 të KPP, ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale për të pandehurin Saimir Tahiri nga “trafikimi i narkotikëve” i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a, paragrafi i parë, neni 28 pika 4 dhe 334 paragrafi i parë i Kodit Penal në atë të “Shpërdorimi i detyres” të parashikuar nga neni 248 i KP për dy të pandehurit. Ndryshimi i cilësimit ligjor të veprës penale për të dy të pandehurit nuk vjen në kundërshtim me nenin 375 paragrafët “1” dhe “2” të KPP. Vepra penale “shpërdorimi i detyres” e parashikuar nga neni 248 i KP është vepër penale me e lehte se ato për të cilat të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela jane sjellë në gjykim, prandaj nuk është e nevojshme që të pandehurit te njoftohen me pare nga gjykata për mundesinë e ndryshimit te cilesimit ligjor te vepres penale, sikurse parashikon paragrafi i dytë i nenit të sipërcituar. Ndryshimi i cilësimit ligjor në këtë rast nuk vjen në kundërshtim as me vendimin nr. 4, date 10.2.2012 te GJykatës Kushtetuese; Gjithashtu gjykata për krime të rënda ka të drejtë që të dispononë edhe për vepra të tjera që nuk janë në kompetencën e saj kur në vendimin përfundmtar ajo ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale, neni 5, paragrafi i dytë i ligjit nr. 9110/2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Renda”…”.
21. Kundër vendimit të Gjykatës së Shkalles së Parë për Krime të Rënda Tiranë kanë ushtruar apel prokurori pranë asaj gjykate dhe të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela;
22. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr. 60, datë 19/09/2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një kolegji tjetër të saj.”.
22.1. Gjykata e Posaçme e Apelit, në vendimin e saj, duke shqyrtuar në themel faktet e atribuuara të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, në raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorisë, në raport me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake, si dhe në raport me konkluzionet e arritura nga vendimi i apeluar, ka vlerësuar se:
– në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mos respektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori. – gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të KPP, sepse në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt të atribuuar nga prokuroria të pandehurve, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën të pandehurit Saimir Tahiri e Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe as akuzuar – kultivimi i narkotikëve apo/dhe përhapja e kultivimit të narkotikëve në Shqipëri, e lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit e asgjësimit të bimëve narkotike në datat 13/09/2016 , 04/10/2016 dhe 18/10/2017.
– Nga të dhënat e parashtruara në aktet e prokurorit të çështjes, përfshi këtu edhe diskutimin përfundimtar në apel, kolegji i asaj gjykate ka vlerësuar se, të pandehurit nuk kanë pasur mundësi objektive për të parashikuar rikualifikimin e faktit penal nga gjykata, nga trafikim i narkotikëve, neni 283/a/1 i KP lidhur me 4 episode konkrete të sekuestrimit të lëndës narkotike në Itali, në shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i po atij kodi dhe as pët tu mbrojtur lidhur me këtë akuzë të re.
– Në përfundim, ajo gjykate ka çmuar se shkeljet procedurale të evidentuara në atë vendim përbëjnë shkak për prishjen e vendimit të apeluar të Gjykatës së Shkalles së Pare për Krime të Rënda dhe kthimi e çështjes në shkallë të parë, në referim te nenit 428, pika 1, shkronja “ç” të KPP, për rastet “kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen … me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori … dhe me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja …”.
– Në vendimin e kthimit Gjykata e Posaçme e Apelit, i cakton detyrë gjykatës së shkallës së parë, që në rigjykimin e kësaj çështje penale, duhet të saktësojë faktin penal të atribuuar dhe akuzën e ngritur ndaj të pandehurve, duke u shprehur në lidhje me këtë akuzë, siç është përshkruar nga prokuroria që ka të drejtën e ushtrimit të ndjekjes penale.
23. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs i gjykuari Saimir Tahiri, përfaqësuar nga avokat Maksim Haxhia, i cili kërkon prishjen e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues, duke parashtruar këto shkaqe:
Vendimin e Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e konsiderojmë si të marrë në zbatim të gabuar dhe shkelje të rënda të rregullave procedurale, si të tilla që kanë cënuar procesin e rregullt ligjor dhe njëkohësisht kanë rëndësi thelbësore për njehsimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore.
– Shkelje procedurale që kanë shkaktuar shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i papajtueshmërisë së anëtarëve të trupit gjykues.
Vendimi objekt rekursi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët A. Boksi, Dh. Lara dhe N. Kosova.
Me caktimin e çështjes për shqyrtim, në datë 20.2.2020, gjyqtarja kryesuese A. Boksi, duke vlerësuar se kishte pengese ligjore dhe papajtueshmëri për shqyrtimin e saj (për shkak se ka qenë në përbërje të trupit gjykues që ka disponuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017) ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes.
Kërkesa e gjyqtares kryesuese Albana Boksi për dorëheqje është refuzuar nga Zv/kryetarja e gjykatës znj. Saida Dollani, ndërkaq, në datë 27.4.2020 i pandehuri Jaeld Çela ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtareve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni per shkak të pjesmarrjes së tyre në shqyrtimin e kërkesave të palëve gjatë fazës së hetimeve paraprake në procedime të lidhura si dhe pjesmarrjen në gjykimin e themelit për këto çështje. Kjo kërkesë u shqyrtua nga Zv/Kryetarja e gjykatës znj. Saida Dollani, tashmë në cilësinë e gjyqtares, e cila me vendimin nr. 3, date 29.4.2020 ka vendosur shpalljen e papranueshme të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarëve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.
Vendimmarrja e gjyqtares Saida Dollani në cilësinë e Zv/kryetares së gjykatës, kur ka refuzuar kërkesën e gjyqtares Albana Boksi për heqje dorë dhe në cilësinë e gjyqtares që shqyrton kërkesën për përjashtimin e gjyqtareve të paraqitur nga i pandehuri Jaeld Çela, ka shkaktuar shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor në Gjykatën e Apelit, duke bërë që çështja që shqyrtohet nga gjyqtarët të ketë pasur pengesë ligjore në gjykimin e çështjes, të tilla që janë reflektuar bindshëm më tej në vendimmarrjen e tyre.
Pengesa ligjore e gjyqtares Albana Boksi në gjykimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është pasi ajo gjyqtare ka shqyrtuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017. Në atë gjykim i pandehuri Taulant Haxhiraj eshte deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij dhe gjyqtarja ka shfaqur mendim mbi fakte dhe prova të cilat jane shqyrtuar prej saj edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, përgjimet e bisedave telefonike etj. Ndryshe nga sa ka argumentuar zv/kryetarja e gjykatës së posaçme të apelit në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës për dorëheqje të gjyqtares Albana Boksi, rezulton se gjyqtarja Albana Boksi ka pasur njohje për aktet dhe provat e atij procedimi, pasi një pjese e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në gjykimin që i përket vendimit nr. 69, datë 19.9.2018 të kësaj gjykate, në çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj.
Vetë gjyqtarja Albana Boksi e ka vlerësuar se ka pengesë ligjore për shqyrtimin e çështjes, për rrjedhojë ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje.
Vendimi nr. 16, datë 26.6.2020 i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është reflektuar dukshëm njëanshmëria dhe qëndrimi i gjyqtares në lidhje me këto akte dhe prova.
Mjafton të përmendim qëndrimin e kësaj gjykate jo vetëm në tejkalim të shkaqeve të ankimit, por edhe të kompetencave të Gjykatës së Apelit dhe gjykatës në përgjithësi, në faqen 25, paragrafi I dytë i vendimit ku është shprehur se : “Kontradiktor vlerësohet nga ky kolegj edhe qëndrimi i prokurorisë, që nga njëra anë akuzon të pandehurit Saimir Tahiri e Jaeld Çela si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, e nga ana tjetër ndonëse referon vijimin e aktivitetit të këtij grupi edhe në vitet 2016 e 2017, thekson se nuk ju ka atribuuar ndonjë akuzë në lidhje me kultivimin e narkotikëve. Në lidhje me këto fakte, në vëmendje të këtij kolegji të gjykatës së posaçme të apelit është edhe parashikimi i pikës ‘6’ të nenit 28 të Kodit Penal, që përcakton shprehimisht se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera prej tyre në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë kriminale. (vendim ky i shkruar nga gjyqtarja Albana Boksi, si gjyqtare kryesuese).
Po kështu dhe gjyqtarja Nertina Kosova (pasi gjyqtarja Nure Dreni nuk ka marrë pjesë në dhenien e vendimit) ka pasur pengesë ligjore për shqyrtimin e çështjes pasi ka marrë pjesë në trupin gjykues që ka shqyrtuar çështjen për zevendim mase sigurimi ne ngarkim të të pandehurit Meridian Sulaj, në kuadër të procedimit penal nr.134/2016, procedim i ndarë veçmas, por që për efekt të fakteve dhe akteve konsiderohet i lidhur me procedimin nr. 164/2017 në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela.
Papajtueshmëria e këtyre gjyqtarëve, në kuptim te neneve 15/2, 17/1, gërma “c” të KPP (veçanërisht e gjyqtares Albana Boksi) në shqyrtimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, e bën të cënueshëm vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, si një vendim absolutisht të pavlefshëm ne kuptim të nenit 128/1, gërma “a” të KPP, pasi ka cënuar të drejtën e të pandehurve për tu gjykuar nga një gjykatë e paanshme, për rrjedhojë, sjell prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Vendimi është marrë në shkelje procedurale të lidhura me kufijtë e shqyrtimit të çështjes në apel, pasi gjykata ka interpretuar në mënyrë të gabuar rastet e prishjes dhe kthimit të akteve gjykatës së shkallës së parë nga gjykata e apelit, sipas nenit 428/1, gërma “ç” të KPP, konkretisht në lidhje me “mosrespektimin e dispozitave që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale”.
Ndryshe nga sa ka interpretuar gjykata e apelit, rasti për të cilin KPP lejon prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë nuk mund të lidhet kurrsesi me cilësimin e saktë ligjor të fakteve dhe akuzën e ngritur nga prokurori, por, lidhet vetëm me rastet kur rezulton se nuk janë respektuar dispozitat në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori, si psh rastet kur prokurori në gjykim ka pasur papajtueshmëri, për të cilat nuk mund të ndiqte procesin, etj. Kjo rezulton qart nga vetë formulimi i dispozitës, e cila në lidhje me këtë rast parashikon: “… kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen… me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim”, fjali e cila duke përmbajtur lidhëzën “dhe” tregon qartë se dispozita bën fjalë për problem procedural të ushtrimit të ndjekjes penale për shkak të prokurorit që ka marrë pjesë në procedim apo zhvillimit të gjykimit në shkallë të parë pa pjesmarrjen e tij.
Në vendimin e saj gjykata e apelit nuk ka treguar se cilat dispozita procedurale nuk janë respektuar nga prokuroria në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesmarrjen e prokurorit në gjykim, por në kundërshtim me ligjin ka referuar tek mungesa e cilësimit të saktë juridik të fakteve nga prokuroria dhe aplikimi nenit 28/6 i KP, referim i cili tregon një akuzë të re, të pangritur nga prokuroria dhe që nuk mund të përmendet nga një gjykatë themeli, aq më pak nga gjykata e apelit.
Cilësimi i saktë juridik i fakteve dhe akuzës në gjykimin në themel është kompetencë vetëm e gjykatës. Kjo është arsyeja pse neni 375/1 i KPP parashikon se: “Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj. Ligjvënësi ka qenë i qartë në parashikimin e tij që ndërsa i ka dhënë kompetencë gjyqtarit të séances paraprake që në përfundim të hetimit të verifikojë kërkesën e prokurorit për akuzën dhe faktet, në gjykimin në themel ka përjashtuar mundësinë e orientimit të prokurorit duke parashikuar që gjykata e themelit mund dhe duhet të shprehet vetëm mbi akuzat e ngritura, duke bërë cilësimin ligjor te fakteve, më të lehtë apo më të rëndë se prokurori, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.
Ky parashikim ligjor është injoruar tërrësisht nga gjykata e apelit, e cila është sjellë si gjyqtar i séancës paraprake, duke bërë konstatime dhe orientime në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria, duke shkuar deri aty sa i ka quajtur “lajthitje” të saj, si rast i verifikimit të “ushtrimit të ndjekjes penale”.
Interpretimi i saktë i rastit kur vendimi i gjykates se shkallës së parë mund të prishet nga gjykata e apelit, duke kthyer aktet per rishqyrtim (neni 428/1/ ç e KPP), paraqet rëndësi për njehsimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore.
– Gjykata e Apelit ka interpretuar në mënyrë të gabuar nenet 373, 375/2 te KPP, në lidhje me akuzën e re dhe ndryshimin e cilësimit juridik.
Shkaku kryesor për të cilin gjykata e apelit ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe ka kthyer çështjen për rishqyrtim është fakti që sipas gjykatës se apelit, duke deklaruar fajtor të pandehurin Saimir Tahiri për vepren penale të parashikuar nga neni 248 i KP, gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për gjithë akuzat e ngritura ndaj tij, por e ka dënuar për një akuzë të re, e cila nuk është atribuar nga prokuroria.
Lidhur me kete argument gjykata e apelit arsyeton ndër të tjera se: “Duke ju rikthyer çështjes objekt shqyrtimi në apel, ky kolegj konstaton se, Gjykata për Krime të Rënda, ndonëse e vlerëson si kontradiktor këtë qëndrim të prokurorisë, në vijim, duke ju referuar pikërisht episodeve/fakteve që lidhen me sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në vitet 2016 e 2017, rikualifikon faktin penal të atribuuar të pandehurve në lidhje me trafikimin e narkotikëve në 4 episode konkrete, duke e cilësuar si shpërdorim detyre. Ky kolegj i gjykatës së posaçme të apelit, vlerëson se në fakt gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për akuzat që i janë atribuuar të pandehurve (për 4 episodet konkrete të trafikimit të narkotikëve për të pandehurin Saimir Tahiri dhe një episod trafikimi/episodi i fundit për të pandehurin Jaeld Çela), ndonëse thekson se provat e analizuara nuk shkojnë përtej dyshimit të arsyeshëm. Gjykata, nga njëra anë pohon se nuk provohet përtej dyshimit të arsyeshëm kryerja e veprës penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar nga të pandehurit, e nga ana tjetër, argumenton se fakti i trafikimit të narkotikëve duhet rikualifikuar si shpërdorim detyre, duke përfshirë këtu edhe faktet që kanë të bëjnë me kultivimin dhe/apo përhapjen masive të kultivimit të bimëve narkotike në qarkun Vlorë.”.
Ndryshe nga sa arsyeton ajo gjykatë, në fakt, gjykata e shkallës së pare është shprehur për gjithë akuzat e ngritura nga prokuroria, duke analizuar secilën përj tyre, pavarësisht faktit se i pandehuri Saimir Tahiri nuk ka qenë dakort me vendimmarrjen në themel të asaj gjykate, shkak për të cilin ka apelur vendimin. Gjykata e shkallës së parë është shprehur për tre akuzat e ngritura nga këtij të pandehuri dhe në arsyetimin e saj edhe pse në mënyrë të gabuar pjesërisht sa i përket gjetjes së elementëve të vepres penale të nenit 248 të KP, ka shqyrtuar faktet penale te atribuara të pandehurit, duke bere analizën e saj të drejtë apo të gabuar në lidghje me to. Ka qenë kompetence dhe detyrë e gjykatës së apelit të vleresonte nëse analiza e kryer nga shkalla e parë i përgjigjej fakteve dhe provave, apo të ndryshohej sipas kërkimeve të palëve në apelet e tyre.
Rikualifikimi nga gjykata e shkallës së pare që i ka bërë fakteve penale të përmendura nga prokuroria, të cilat sipas saj cilësohen jo si “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të KP, por si “shpërdorim detyre” sipas nenit 248 të KP, pra si një vepër penale më e lehtë se akuza e prokurorit, është bërë duke u aplikuar neni 375 i KPP.
Sipas arsyetimit të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në faqen 137, është argumentuar fakti se nga ana e asaj gjykate nuk janë aplikuar parashikimet e pikës “2” të nenit 375 të KPP, pikërisht për faktin se vepra penale e parashikuar nga neni 248 i KP është një vepër penale më e lehtë se akuza e prokurorit, për rrjedhojë ndryshimi i cilësimit juridik, duke mos u rënduar pozita e të pandehurit, mund të kryhet nga gjykata edhe pa u respektuar neni 375 /2 i KPP. Gjykata madje ka referuar edhe në vendimi nr. 4, datë 10.2.2012 i GJK, i cili ka konsideruar në përputhje me Kushtetutën vendimin e gjykatës për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale në kushtet e gjykimit të shkurtuar, për sa kohë nuk rëndohet pozita e të pandehurit.
Gjykata e Apelit në mënyrë kontradiktore, megjithese pranon që gjykata e shkallës së pare ka arsyetuar kater episodet e trafikimit të atribuuara të pandehurit Saimir Tahiri dhe një akuzë të atribuar të pandehurit Jaeld Çela, duke u shprehur se provat e analizuara nuk shkojnë përtej dyshimit të arsyeshëm, ka arsyetuar me tej se ajo gjykate nuk eshte shprehur për të gjithe akuzat që i janë atribuar të pandehurve.
Megjithese përfundimi i gjykatës së shkallës së parë lidhur me deklarimin fajtor të të pandehurit për vepren penale sipas nenit 248 të KP është i pabazuar në ligj, këto pretendime i takojnë gjykimit të themelit dhe janë ngritur nga ana jonë në apelin e paraqitur. Pavarësisht pabazueshmërisë së saj, cilësimi juridik i fakteve penale të ngritura ndaj të pandehurit si elementë të veprës penale sipas nenit 248 të KP dhe jo sipas neneve 283/a/1, 334/1 të po këtij kodi, konsiderohet si një vepër me e lehtë, për rrjedhojë gjykata e shkallës së parë nuk ndodhej në kushtet e nenit 375/2 të KPP, i cili parashikon detyrimin e gjykatës për të njoftuar palët mbi mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik të faktit penal vetëm nëse fakti për të cilin akuzohet i pandehuiri është më i rëndë. Edhe pretendimet e ngritua nga i pandehuiri lidhur me këtë moment në apel kanë qenë në kuadër të pabazueshmërisë së vendimmarrjes së gjykatës së shkallës së pare, duke kërkuar nga gjykata e apelit që të vleresojë drejt faktet dhe provat, duke e deklaruar të pafajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, sipas nenit 248 të KP.
Gjykata e Apelit ka konkluduar se; “… në rastin konkret nuk jemi para ndryshimit të cilësimit juridik të faktit penal, pasi fakti për të cilin është disponuar ndryshe nga gjykata, nuk është i njëjtë me faktin që i është atribuuar në aktin e njoftimit të akuzës të pandehurve nga prokuroria. Ky kolegj i gjykatës së posaçme të apelit, mbështetur në analizën e sipërcituar konstaton se gjykata nëpërmjet aplikimit të nenit 375 të K.Pr.Penale në këtë rast, ka ngritur një akuzë të re, që nuk i është atribuuar të pandehurve nga prokuroria. Në këto rrethana, kolegji çmon se të pandehurve nuk ju është dhënë as mundësia të mbrohen në këtë gjykim në lidhje me faktin e kultivimit të bimëve narkotike apo me përhapjen masive të kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Vlorës, e lidhur kjo me episodet e evidentuara nga prokuroria dhe gjykata në vitet 2016 dhe 2017. Ky vlerësim lidhet me faktin se, prokuroria thekson që të pandehurit janë pjesë e grupit të strukturuar kriminal që ka vijuar aktivitetin së paku, deri në momentin e arrestimit në Itali të pandehurit Moisi Habilaj, pra duke përfshirë këtu edhe periudhën e viteve 2016 e 2017 (gjatë të cilës ka vijuar aktiviteti i grupit, sipas prokurorisë). Prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuzë për faktin e kultivimit të bimëve narkotike, por ndonëse nuk ka ushtruar ndjekjen penale për këto fakte i ka referuar ato, si në aktin e komunikimit të akuzave ashtu edhe në kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq (por edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel).
Në këtë arsyetim gjykata e apelit ka theksuar pretendimet e të pandehurit, porse në kundërshtim me nenin 4 të KPP i ka konsideruar si të meta të prokurorisë, në dëm të të pandehurit dhe jo në favor të tij, duke e konsideruar si të metë të parikuperueshme në apel.
Ndryshe nga sa arsyeton gjykata e apelit, shkalla e parë e ka mbështetur veprën penale të shërdorimit të detyrës në faktet e parashtruara nga prokurori (përhapja e kultivimit të bimëve narkotike në vitet 2015-2017 veçanërisht në qarkun e Vlorës) është dhënë si argument për të mbështetur indicjet e saj, se pse ajo është bazuar në përfundimin se i pandehuri ka shpërdoruar detyrën, por në asnjë moment ky element nuk përmendet si fakt penal për të cilin akuzohet i pandehuri.
Pra, ndryshe nga sa ka parashtruar gjykata e apelit, në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë nuk ka ngritur akuzë të re, por ka rikualifikuar faktet penale sipas nenit 375/1 të KPP, mbi bazën e bindjes se saj, edhe pse të gabuar.
24. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs i pandehuri Jaeld Çela, përfaqësuar nga avokat Petrit Ismaili dhe Gentjan Rumano, i cili kërkon prishjen e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim, pushimin e saj pasi fakti nuk përbën vepër penale dhe ndjekja penale nuk duhej të fillonte e të vazhdonte, me pasojë deklarimi të pafajësisë për rekursuesin Jaeld Çela lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij; dhe në alternative, kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues, duke parashtruar këto shkaqe:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në rastin objekt gjykimi është në shkelje procedurale për sa i përket papajtueshmërisë në funksionin e detyrës për gjyqtarët që kanë shqyrtuar çështjen. Konkretisht gjyqtaret Nertina Kosova dhe Nure Dreni (zëvendësuar nga gjyqtar Dhimitër Lara) janë anëtarë të trupës gjyqësore për vendimin nr. 29, datë 12.2.2020 të Gjykatës së Posaçme Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është dhënë mbi kërkesën e paraqitur nga i pandehuri Meridian Sulaj në një procedim të lidhur, i cili akuzohet nga prokuroria si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të të pandehurit Moisi Habilaj.
I pandehuri Jaeld Çela akuzohet se, së bashku me të pandehurit Saimir Tahiri dhe Gjergji Kohila kanë kryer veprën penale të parashikuar nga nenet 283/a/ të KP duke vepruar si bashkëpunëtorë të Moisi Habilaj, Meridian Sulaj etj. Po kështu, një nga argumentat e vendimit nr. 60, datë 19.9.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda ka të bëjë me identifikimin e kërkuesit Jaeld Çela si personi që përmendet nga i pandehuri Taulant Haxhiraj, i cili është dënuar nga gjykata e apelit me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 ku pjesë e trupës gjyqësore ka qenë gjyqtare Albana Boksi.
Këta gjyqtarë nuk mund të shqyrtonin dot këtë çështje, duke mos garantuar parimet themelore të një procesi të rregullt ligjor, në respektim të neneve 15.17.18.19 e vijues të KPP, 31, 32 të Kushtetutës së RSH-së, dhe nenit 6 të KEDNJ dhe veçanërisht atë të paanshmërisë së gjykatës në gjykimin penal.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në rastin objekt gjykimi nuk ka marrë parasysh shkaqet e ankimit të paraqitura nga rekursuesi, i cili rekurson në tërësi akuzën dhe vendimin gjykatës së shkallës së pare, me pasojë deklarimin e pafajshëm.
Gjykata arsyeton në favor të shkeljes procedurale nenin 375 të KPP dhe jo në favor të garancive ligjore apo prezumimit të pafajsësisë për rekursuesin Jaeld Çela.
Gjykata e apelit “de facto” pranon pafajësinë” e rekursuesit Jaeld Çela përsa i përket akuzave të ngritura nga prokuroria por nuk e vlerëson si shkak për deklarimin e pafajshëm të tij, sipas kërkimeve të paraqitura në ankim, por në kundërshtim me ligjin vendos prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Të gjitha pasiguritë e prokurorisë në atribuimin e akuzës dhe të gjykatës në rikualifikim apo dhe të gjykatës së apelit për prishjen e vendimit, nga ana e Gjykatës së Lartë duhet të pranohen si një parim “de facto” i një procesi pa prova të besueshme, në ngarkim të akuzave të ngritura në ngarkim të rekursuesit.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Jaeld Çela me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me punonjësit e policisë Gjergji Kohila e punonjës të tjerë policie, kanë mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale, për kultivimin e bimëve narkotike e më pas për trafikimin e saj jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, po të analizohen të katër episodet, lehtësisht konstatohet se në tre episodet e para, Jaeld Çela nuk ka qenë drejtues në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Në këto gjykime dukshëm më disfavor të rekursuesit prokuroria dhe gjykatat nuk kanë mbajtur parasysh prezumimin e pafajësisë dhe me vendimet e tyre vetëm kanë rënduar pozitën procedurale të tij.
Në kushtet e një akuze të pambështetur në prova dhe në ligj, tashmë e konfirmuar nga të dy gjykatat në kushtet e një rikualifikimi të gabuar të veprës penale për shkak të aplikimit të gabuar të nenit 375 të KPP, në gjykimin e apelit duhet të prevalonte shqyrtimi i kërkesave të pales ankuese, garancia e rekursuesit për liri, garancitë për një proces të rregullt ligjor dhe për një vlerësim të drejtë të çështjes me pasojë deklarimin e pafajshëm.
Gjykata e shkallës së parë ne kundërshtim me provat ka arsyetuar se provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri, rekursues, ka kryer vepren penale të parashikuar nga neni 248 i KP.
Prokuroria dhe gjykata nuk mund të ngarkojnë me përgjegjësi penale rekursuesin Jaeld Çela për përhapjen e fenomenit të lendëve narkotike, pasi prokuroria në akuzën e ngritur nuk ka identifikuar veprime konkrete të ketij të pandehuri që të ketë pasur pasojë të drejtpërdrejtë ekzekutimin e episodit ku është kapur lenda narkotike. Prokurori duhet të vërtetonte veprimet konkrete të sejcilit të pandehur dhe kontributin konkret të tyre në realizimin e veprës penale.
Përgjimet ku bashkëbiseduesit i referohen personave të tretë janë indicje që nuk provojnë faktin e supozuar, nuk janë të qarta për nga përmbajtja e tyre në mënyrë që të konkludohet me siguri, komunikimet mes tyre nuk janë të lira pa qenë bashkëbiseduesit të vetëdijshëm se po përgjohen në mënyrë që të mos shtrembërojnë faktet.
Përsa i përket identifikimit të saktë të personave që përmend Taulant Haxhiraj, gjykata ka vlerësuar se “drejtori” është drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që në atë periudhë është Jaeld Çela …
Nga të gjithe materialet e dërguara nga prokuroria në fashikujt e çështjes nr. 134/5 viti 2015 nuk rezulton asnje raport përgjimi i autorizuar nga prokurori që të dokumentojë njohjen e rekursuesit me të pandehurit Florian Habilaj; nuk rezulton asnjë njohje, asnjë miqësi, asnjë përshëndetje, asnjë takim qoftë dhe rastësor ndërmjet Jaeld Çelës me këta persona.
Nga fashikujt hetimorë të procedimit penal në ngarkim të pandehurit Jaeld Çela, rezulton se ai ka ndërmarrë veprime konkrete, të dokumentuara në akte shkresore, për marrjen e ndjekjen e informacionit për kultivim të bimëve narkotike nga këta shtetas deri në asgjësimin e parcelave të kultivuara, për të cilat ka kryer edhe referimin në organin e prokurorisë së Vlorës. Ky është tregues i qartë që jo vetëm struktura e policise e drejtuar prej tij ka funksionuar në luftën kundër kultivimit por dhe asgjesimit të plotë në bashkëveprim edhe me operacionin ajror të monitoruar edhe nga helikopterët e Guardia di Financa, të sugjeruara për monitorim nga strukturat drejtuese të DVP Vlorë, vet rekursuesi Jaeld Çela.
25. Në datë 14.10.2020, me nr. 2399 prot, pala rekursuese, Jaeld Çela, ka paraqitur ne Gjykatën e Lartë kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “arrest ne burg” në “arrest ne shtëpi” ose “Detyrim për tu paraqitur ne policinë gjyqësore”, konform neneve 260, 228, 229, 230 te KPP, duke pretenduar përmbledhtazi se, në fazën aktuale të çështjes, për shkak të rëndimit të gjëndjes shëndetësore të tij, si pasojë e problemeve kardiake dhe të hernies diskale (lumbare), për te cilen ne date 6.8.2020 është hospitalizuar ne Qendra Spitalore e Burgjeve, ekzistojnë elemente te mjaftueshëm juridike dhe te rrethanave te faktit (ne kushtet kur vendimi i gjykatës se shkalles se pare është prishur dhe çështja është kthyer për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues) që të krijojnë bindjen në drejtim të mundësisë që ky i gjykuar të vazhdojë qëndrimin e tij në “arrest në shtëpi” ose duke u paraqitur në policinë gjyqësore. Bashkë me kërkesën nga ana e kërkuesit/të gjykuarit rekursues Jaeld Çela është paraqitur, ndërmjet akteve të tjera dhe procesverbali i dorëzimit dhe shkresa nr. 592/1 prot, datë 9.10.2020, lëshuar nga Qendra Spitalore e Burgjeve, lënda “Informacion shëndetësor për pacientin Jaeld Çela”. Po kështu, lidhur me kërkesën e paraqitur kërkohet që Kolegji i të caktojë ekspert ose grup ekspertësh mjeko-ligjore, për të verifikuar faktet dhe diagnozat e cituara në kërkesë.
25/1 . Lidhur me kërkesën e cituar më sipër, nga aktet rezulton se:
(-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 427, datë 25/11/2017, ka vendosur: Caktimin ndaj shtetasit Jaeld Çela të masës së sigurimit “arrest në burg”. (në mungesë)
-Në datë 16/05/2020, rreth orës 17:40, i pandehuri Jaeld Çela është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
-Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, (e cila shqyrtonte çeshtjen e themelit) me vendimin nr. 18 akti, datë 19.5.2020 ka vendosur: “Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 427, datë 25/11/2017 të Gjykatës për Krime të rënda Tiranë, ndaj shtetasit Jaeld Çela (aktualisht me cilësinë e të pandehurit në këtë proces penal). Kundër këtij vendimi lejohet rekurs për shkelje të ligjit në Gjykatën e Lartë.”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 218, datë 3.7.2020 ka vendosur: “Mospranimin e rekursit te paraqitur nga i pandehuri Jaeld Çela, kundër vendimit nr. 18 akti, datë 19.5.2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”).
II. Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
26. Paraprakisht, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) e konsideron të nevojshme që të sqarojë disa elemente proceduralë të karakterit administrativ gjyqësor, si më poshtë:
26.1. Kjo çështje gjykohet me procedurë të përshpejtuar, për arsye se përfshihet në kategorinë e çështjeve për të cilat nuk ka ende një vendim mbi themelin. Konkretisht, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, si dhe kthimin e akteve asaj gjykate, ndërkohë që ndaj këtij vendimi është ushtruar rekurs në Gjykatën e lartë. Një rregullim i tillë është vendosur edhe me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale (në vijim KPP), të miratuara me ligjin nr. 41/2021, i cili ka hyrë në fuqi në datën 29.05.2021. Gjithashtu, rezulton se njëri nga të pandehurit ndodhet nën masën e sigurimit “Arrest në burg”, ç’ka e bën të vijojnë të konsumohen afatet procedurale të gjykimit.
26.2. Kjo çështje shqyrtohet nga ky trup gjykues për arsyen se në bazë të praktikës së ndjekur nga kjo gjykatë, e mbështetur dhe nga vendimmarrja e Këshillit të Gjykatës, trupa gjyqësore e cila ka vendosur kalimin e çështjes për gjykim do të duhet të shqyrtojë dhe gjykimin e çështjes përkatëse.
26.3. Ndërkohë, mbi bazën e diskutimit lidhur me institutin e papajtueshmërisë së gjyqtarit, gjyqtari Sokol Sadushi ka paraqitur dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje, për arsye se ka qenë pjesë e Kolegjit Penal që ka shqyrtuar rekursin e kërkuesit/të gjykuarit Jaeld Çela, lidhur me verifikimin e kushteve dhe të kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr. 427, datë 25/11/2017, të Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, ndaj tij.
26.4. Kërkesa është shqyrtuar nga një trupë gjykuese tjetër i kësaj gjykate, i cili, me vendimin nr. 538/1, datë 30.7.2021, ka vendosur mospranimin e kërkesës, duke arsyetuar në thelb se, shqyrtimi nga i njëjti trup gjykues/kolegj i çështjes së themelit të rregjistruar në Gjykatën e Lartë, njëkohësisht dhe të çdo kërkesë tjetër të të gjykuarve (që lidhen me masat e sigurimit personal) lidhur me atë çështje, nuk përbën shkak papajtueshmërie, në kuptim të parashikimeve të nenit 15, pikat “1” dhe “2”, të KPP (ndryshuar me ligjin nr. 35/2017).
27. Lidhur me shqyrtim e pretendimeve të paraqitura në rekurset përkatëse, Kolegji ka parasysh rregullimet kushtetuese mbi kufijtë e shqyrtimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë, neni 141, pika 1, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (ligji nr.76/2016, datë 22.07.2016), sipas të cilit, Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit, për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore në përputhje me të.
27.1. Ky parashikim kushtetues është shoqëruar me ndërhyrje përkatëse në KPP, duke e pozicionuar Gjykatën e Lartë si një gjykatë ligji dhe që në sferën e shqyrtimit të saj nuk hyjnë çështjet të vlerësimit të faktit dhe provave. Konkretisht, në nenin 432 të këtij Kodi, është parashikuar se rekursi kundër vendimeve të gjykatës së apelit mund të bëhet për këto shkaqe:
a. për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material ose procedural, me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
b. për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave;
c. kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
28. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me ligjin nr. 41/2021, kanë rregulluar edhe përbërjen e trupave gjykues që shqyrtojnë rekursin në Gjykatën e Lartë. Në nenin 38 të ligjit nr. 41/2021, mbi dispozitat tranzitore, parashikohet se “1. Përbërja e trupave gjykues, si dhe procedura e gjykimit në Gjykatën e Lartë rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera. 2. Rekurset e paraqitura, por ende të pashqyrtuara, konsiderohen të pranueshme nëse plotësojnë parashikimet e ligjit në fuqi në kohën e depozitimit të tyre”. Në kuptim të kësaj dispozite, në lidhje me formimin e trupit gjykues si dhe procedurën e gjykimit, Kolegji zbaton parashikimet e ligjit nr. 41/2021, ndërsa në lidhje me kushtet e pranueshmërisë së rekursit i referohet ligjit procedural që ka qenë në fuqi në kohën e depozitimit të tij.
29. Duke i’u kthyer çështjes në shqyrtim, Kolegji, në dhomë këshillimi, ka konstatuar se rekurset nga të gjykuarit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela janë paraqitur në afat dhe në përputhje me parashikimet e nenit 435 të Kodit të Procedurës Penale. Po kështu, Kolegji ka vlerësuar se rekurset e paraqitura përmbajnë shkaqe nga ato që parashikon neni 432 i KPP. Për këtë arsye e kaloi çështjen për shqyrtim në seancë gjyqësore, në prani të palëve.
30. Të dy palët rekursuese kanë parashtruar si shkak të parë për prishjen e vendimit se, gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit është zhvilluar me shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i papajtueshmërisë së anëtarëve të trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtaret Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Këto gjyqtare, sipas rekursuesit, kanë marrë pjesë në shqyrtimin e gjykimit të çështjeve të themelit, si edhe të kërkesave të palëve në fazën e hetimit paraprak, në procedime të lidhura. Konkretisht:
i) për gjyqtaren (kryesuese) Albana Boksi, është pretenduar si pengesë ligjore në gjykimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, fakti se me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018, ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, që është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017. Gjithashtu është pretenduar se, në atë gjykim (me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018), i pandehuri Taulant Haxhiraj është deklaruar fajtor dhe gjyqtarja ka shfaqur mendim mbi fakte dhe prova, të cilat janë shqyrtuar prej saj edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, përgjimet e bisedave telefonike, etj.
ii) për gjyqtaret Nertina Kosova dhe Nure Dreni është pretenduar si pengesë ligjore në gjykimin e kësaj çështjeje fakti se ato kanë shqyrtuar kërkesën për zëvendësim mase sigurimi në ngarkim të të pandehurit Meridian Sulaj, në kuadër të procedimit penal nr.134/2016, procedim i ndarë veçmas, por që për efekt të fakteve dhe akteve konsiderohet i lidhur me procedimin nr. 164/2017, në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela.
31. Nga aktet e ndodhura në dosjen penale rezulton se gjatë gjykimit në apel, gjyqtarja Albana Boksi, duke vlerësuar se ka pengesë ligjore për gjykimin e kësaj çështje, ka paraqitur dorëheqjen, duke pretenduar si shkak ligjor pikërisht pjesmarrjen e saj në gjykimin e çështjes, për të cilën është shprehur me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018, në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj. Dorëheqja e paraqitur prej saj është refuzuar nga ana e zëvendëskryetares së Gjykatës së Posaçme të Apelit, Saida Dollani; Ndërkohë rezulton se kërkesa e të gjykuarit Jaeld Çela për përjashtimin e gjyqtareve Nertina Kosova dhe Nure Dreni është shpallur e papranueshme me vendimin gjyqësor nr. 3, datë 29.4.2020, të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
32. Lidhur me këtë shkak të paraqitur nga të dy rekursuesit, Kolegji vlerëson se pjesëmarrja e këtyre gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është e papajtueshme, në kuptim të neneve 15/2, 17/1, shkronja c) të KPP. Konstatimi i kësaj papajtueshmërie nga ana e Kolegjit, që lidhet me cenimin e standardit të gjykimit nga një gjykatë e paanshme, e bën të cenueshëm vendimin nr. 16, datë 26.6.2020. Në referim të nenit 128/1, shkronja a) të KPP, një vendim i tillë konsiderohet si absolutisht i pavlefshëm.
33. Me vendimin, objekt rekursi nr. 16, datë 26.6.2020, edhe pse gjykata e apelit nuk e ka zgjidhur çështjen në themel, por ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, Kolegji çmon se, në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka analizuar hollësisht rrethanat dhe faktet e akuzës së ngritur ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela dhe ka orientuar gjykatën e shkallës së parë për zgjidhjen në themel të saj. Në këtë konteks, pavarësisht vendimmarrjes nga Gjykata e Posaçme e Apelit, lidhur me mospranimin e kërkesës të të pandehurve për përjashtim të trupit gjykues dhe mospranimin e kërkesës së dorëheqjes të gjyqtares Albana Boksi, nga ana e Zv./Kryetares së asaj gjykate, Kolegji çmon të analizojë, në referim të nenit 432/1/b të KPP, pretendimin e palëve rekursuese, për shkelje procedurale që lidhen me procesin e rregullt ligjor.
33.1. Lidhur me papajtueshmërinë e gjyqtares Albana Boksi në shqyrtimin e kësaj çështjeje, për arsye se, “… me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018, ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017 dhe se, në atë gjykim, ku i pandehuri Taulant Haxhiraj është deklaruar fajtor, gjyqtarja ka shfaqur mendim mbi fakte dhe prova, të cilat janë shqyrtuar prej saj edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, përgjimet e bisedave telefonike, etj..”, kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit në arsyetimin e vendimit, objekt rekursi, ndër të tjera, (kur ka argumentuar shkeljet e konstatuara prej saj nga Gjykata e shkallës së Parë për zbatimin e nenit 375 të KPP), ka analizuar dhe vlerësuar rrethana dhe fakte që lidhen me procedimin penal nr. 134, viti 2016, në kuadër të të cilit është gjykuar dhe deklaruar fajtor i pandehuri Taulant Haxhiraj; lidhur me rrethanat e faktit penal të atribuuar të pandehurve, konkretisht gjykata arsyeton: “… ky kolegj konstaton se faktet që i atribuohen të pandehurve në këtë proces penal, janë episode konkrete të trafikimit të narkotikëve, që lidhen me sekuestrimin e lëndës narkotike të llojit cannabis sativa në Itali, në datat 25/10/2013; 27/02/2014; 29/07/2014 dhe 08/05/2015. Gjykata e shkallës së parë shkon më tej në argumentimin e saj kur në parashtrimin e këtyre fakteve thekson se pas sqarimit të akuzës nga prokurorët e çështjes, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, nuk parashtruan më pretendime në lidhje me faktin nëse kishte patur apo jo ndryshim akuze në gjykim. Ky element i theksuar nga gjykata, evidenton se mbrojtja është tërhequr nga qëndrimi në lidhje me faktet e referuara në aktin e njoftimit të akuzës për kultivimin e bimëve narkotike. E megjithatë, gjykata në argumentimin e ndryshimit të cilësimit juridik, thekson pikërisht përhapjen masive të kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Vlorës, e lidhur kjo me dy episode konkrete, që për më tepër janë procedime të ndara nga i njëjti procedim fillestar nr. 134 i vitit 2016. Gjykata referon në vendimmarrjen e saj raportet e Guardia di Finanza, që datojnë në vitin 2016 për të argumentuar faktin e përhapjes së kultivimit veçanërisht në këtë vit, por ndërkohë pranon se fakti penal i kultivimit të narkotikëve është një vepër penale më vete, për të cilën prokuroria nuk ka ushtruar ndjekjen penale ndaj të pandehurve Tahiri e Çela. Po kështu, ajo gjykatë citon: “Prokurorët e prokurorisë së posaçme edhe gjatë këtij gjykimi në apel, në parashtrimin e konkluzioneve të tyre në lidhje me apelin e ushtruar theksuan se, “… Në vlerësim të provave të mësipërme, këto biseda provojnë se i dënuari Taulant Haxhiraj rezulton të ketë lidhje me kushërinjtë e Ministrit të Brendshëm, që rezultojnë të jenë vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, kushërinj të të pandehurit Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm në atë kohë, që rezulton e bazuar në prova, merreshin jo vetëm me trafikimin e lëndës narkotike, por edhe me krijimin e lidhjeve e garancive me ‘shtet’, paraprakisht për kultivimin e kësaj lënde nga subjekte të ndryshëm, sikurse janë Taulant Haxhiraj dhe shumë subjekte të tjera të hetuara në kuadër të këtij procedimi. Gjithashtu, rezulton se nga konteksti i bisedës, i dënuari Taulant Haxhiraj ka një marrëdhënie të tillë me drejtorin, të pandehurin Jaeld Çela, Drejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë në kohën e bisedës. Për këtë mbështetje që ju jepej kërkohej 30% e sasisë së lëndës narkotike, që do kultivohej, duke u mundësuar më tej trafikimi edhe i pjesës që ju përkiste atyre”.”.
34. Është me rëndësi themelore, që në një shoqëri demokratike gjykata të përcjellë besim tek qytetarët (shih çështjen Padovani kundër Italisë, Vendimi i dt. 26 shkurt 1993, Seria A nr.257-B p.20, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut). Paanshmëria është elementi më thelbësor i sendërtimit të këtij besimi. Paanshmëri do të thotë mungesë paragjykimi apo anësie dhe ekzistenca apo mosekzistenca e saj mund të provohet në mënyra të ndryshme.
35. Koncepti i gjykatës së paanshme është elaboruar gjërësisht nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (në vijim GJ.E.D.NJ.) dhe e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në të cilat janë evidentuar dy kritere për të analizuar, rast pas rasti, nëse gjykata, trupi gjykues apo gjyqtari, lidhur me një çështje konkrete e kanë respektuar ose jo këtë standard konventor e kushtetues.
36. Kështu, në sinkron me njëra-tjetrën, jurisprudenca evropiane dhe ajo shqiptare kanë pranuar se parimi i paanshmërisë ka në vetvete elementin e vet subjektiv, i cili lidhet ngushtë me bindjen e brendshme që krijon gjyqtari për zgjidhjen e çështjes në gjykim, si dhe elementin objektiv me të cilin kuptohet dhënia e garancive të nevojshme për gjykim të paanshëm nga vetë gjykata, përmes mënjanimit nga vetë ajo të çdo dyshimi të përligjur në këtë drejtim. Ndër të tjera, gjykata duhet të jetë e kujdesshme dhe duhet të marrë parasysh, veçanërisht, problemin e përbërjes së trupit gjykues, në mënyrë që të mënjanohen nga gjykimi i çështjes gjyqtarët që nuk kanë garancitë e kërkuara për paanshmëri në kuptimin objektiv (shih vendimin nr. 1, dt. 25.01.2010, të Gjykatës Kushtetuese). Ky kriter nënkupton se, veç sjelljes personale të çdo anëtari të trupit gjykues, duhet të provohet, nëse ka fakte bindëse, të cilat vënë në dyshim paanshmërinë. Pra, nga njëra anë, paanshmëria subjektive, personale e një gjyqtari të duhur të emëruar prezumohet derisa të këtë prova për të kundërtën dhe nga ana tjetër, në bazë të testit të objektivitetit duhet të përcaktohet nëse, përveç faktit të sjelljes personale të gjyqtarit, ekzistojnë fakte të vërtetueshme që mund të ngrenë dyshime përsa i përket paanshmërisë së tij. Në këtë kuadër edhe dukja e pavarësisë objektive mund të ketë rëndësinë e vet.
37. Edhe Gjykata Kushtetuese, në jurisprudencë e saj, ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme rëndësinë e gjykimit nga një gjykatë e paanshme, me qëllim respektimin e të drejtave të palëve gjatë gjithë procesit. Në kuptim të nenit 42/2 të Kushtetutës, respektimi i këtij parimi duhet të verifikohet duke zbatuar dy teste, testin subjektiv, i cili në thelb kërkon të provuarit e faktit që bindja personale ose interesi i një gjyqtari kanë ndikuar në vendimin e gjykatës dhe, gjithashtu, testin objektiv, i cili kërkon të provuarit nëse gjyqtari ka ofruar garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm në këtë drejtim. Në kuptim të testit subjektiv, paanshmëria e gjyqtarëve duhet të prezumohet derisa të provohet e kundërta. Për sa i përket testit objektiv, ai nënkupton se veç sjelljes personale të çdo anëtari të trupit gjykues, duhet të provohet nëse ka fakte bindëse, të cilat vënë në dyshim paanshmërinë. Në këtë kuadër edhe dukja e jashtme mund të ketë një farë rëndësie (shih vendimet nr. 7, datë 11.03.2008; nr. 11, datë 02.04.2008; nr. 23, datë 04.11.2008, të Gjykatës Kushtetuese).
38. Përjashtimi i këtyre dyshimeve është garanci për besimin që duhet të frymëzojnë gjykatat në një shoqëri demokratike për publikun dhe mbi të gjitha, për palët në procesin gjyqësor (shih vendimin nr. 11, datë 05.04.2013, të Gjykatës Kushtetuese). Në demokraci, ligjshmëria e rolit të gjyqtarit varet jo vetëm nga qenia e tij, por dhe nga shfaqja e tij i paanshëm dhe i pavarur, duke qenë roli i tij në mënyrë esenciale pasiv dhe super partes (mbi palët) (shih vendimet nr. 7, datë 11.03.2008; nr. 11, datë 02.04.2008; nr. 23, datë 04.11.2008, të Gjykatës Kushtetuese). Për rrjedhojë, kur vlerësohet nëse në një çështje konkrete ka një arsye të përligjur që rrezikon paanshmërinë e një trupi gjykues, këndvështrimi i atyre që paraqesin këtë pretendim ka rëndësi, por vendimtar mbetet përcaktimi nëse ky dyshim është objektivisht i justifikueshëm (shih vendimet nr. 10, datë 02.04.2009; nr. 25, datë 10.06.2011; nr. 47, datë 07.11.2011, të Gjykatës Kushtetuese).
39. Jurisprudenca e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë që cilido gjyqtar në lidhje me të cilin ekziston një arsye legjitime për të pasur frikë se i mungon paanshmëria duhet të tërhiqet (shih Piersack kundër Belgjikës, parag. 30). E drejta për t’u gjykuar përpara një gjykate të pavarur dhe të paanshme, të caktuar me ligj kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo gjithashtu, duhet të duket se po bëhet (shih vendimin nr. 25, datë 11.06.2013, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë).
40. Në praktikën e GJEDNJ është mbajtur qëndrimi se, fakti i vetëm që një gjyqtar është shprehur mbi disa akuza penale në raste të ngjashme, por jo në raport me të akuzuarin, apo nëse ka gjykuar më parë të bashkëpandehurit, në një proces penal të ndarë, nuk mjafton në vetvete për të dyshuar mbi paanshmërinë e tij (shih çështjen Kriegisch kundër Gjermanisë; Khodorkovskiy dhe Lebedev kundër Rusisë, § 544, etj.) Megjithatë ky standard nuk vlen – është shprehur GJEDNJ- nëse në vendimet e mëparshme, gjyqtari ka arritur në disa konkluzione që paragjykojnë efektivisht fajësinë e të akuzuarit në çështjen konkrete (shih Poppe Kundër Vendeve të Ulëta, § 26; Schwarzenberger kundër Gjermanisë, § 42; Ferrantelli dhe Santangelo kundër Italisë, § 59, etj.). Ndërsa, në çështjen Meng kundër Gjermanisë, në paragrafin 53-65, GJEDNJ ka konkluduar se ka shkelje të nenit 6/1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të dyshimeve objektive mbi paanshmërinë e gjyqtarit të çështjes, i cili e kishte shpallur kërkuesen fajtore për veprën penale të vrasjes dhe kishte gjykuar në një proces tjetër të bashkëpandehurin, ku kishte shqyrtuar fakte dhe kishte arritur në konkluzione që paragjykonin fajësinë e kërkueses.
41. Pikërisht, kjo jurisprudencë e zhvilluar e GJEDNJ dhe Gjykatës Kushtetuese është orientuese për gjykatat, për të respektuar standardin e paanshmërisë në gjykim.
42.Duke i’u rikthyer çështjes në shqyrtim, Kolegji vlerëson se Gjykata e Posaçme e Apelit, nëpërmjet lejimit të pjesëmarrjes në trupin gjykues të gjyqtarëve që kanë gjykuar në themel çështjet për disa të bashkëpandehur, të cilët i kanë deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tyre dhe kanë shfaqur mendim mbi fakte dhe prova që janë shqyrtuar edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, ajo në këtë mënyrë ka cënuar standardin e procesit të rregullt ligjor që lidhet me gjykatën e paanshme.
43. Lidhur me shkakun e paraqitur nga rekursuesit për mosrespektimin ose interpretimin e gabuar të dispozitave të neneve 373, 375/2, 376 të KPP, për ngritjen e akuzës së re dhe ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Kolegji, në referim të akteve të administruara në dosje dhe në ballafaqim me përmbajtjen e dispozitave procedurale penale që rregullojnë institutin e akuzës dhe ndryshimit të saj në fazën e shqyrtimit gjyqësor, konstaton si vijon:
44. Gjykata e Posaçme e Apelit, ka evidentuar si shkelje procedurale për prishjen e vendimit të shkallës së parë se, “në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori”, duke dalë në përfundimin se gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për të gjithë akuzat e ngritura ndaj të pandehurve (konkretisht për katër episode konkrete të trafikimit të narkotikëve për të pandehurin Saimir Tahiri dhe një episod trafikimi për të pandehurin Jaeld Çela), por është referuar në episode/ fakte që lidhen me asgjësimin dhe sekuestrimin e lëndëve/bimëve narkotike në vitet 2016-2017, për të cilat ata nuk janë akuzuar. Ajo gjykatë de facto ka ngritur një akuzë të re për kultivim të bimëve narkotike, sipas nenit 264 të KP) dhe ka rikualifikuar faktin penal të atribuuar të pandehurve, si “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i KP.
45. Nga shqyrtimi i akteve që vërtetojnë kryerjen e procedurave gjyqësore gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe të vendimit nr. 60, datë 19.9.2019, rezulton se gjykata ka kërkuar sqarime nga prokuroria për akuzat ndaj të pandehurve lidhur me “kultivimin e bimëve narkotike” dhe për episodin e sekuestrimit të sasisë prej 3978 kg lëndë narkotike, të paketuar në fshatin Babicë e Vogël më datë 18.10.2017, të përmendur nga prokuroria si episode trafikimi narkotikësh, mbetur në tentativë, ku prokurorët kanë sqaruar si më poshtë vijon:
“Në seancë gjyqësore prokurorët sqaruan: – episodet e datës 4.10.2016 ku janë asgjësuar 5000 rrënjë bimë narkotike e llojit cannabis sativa, në zonën e fshatrave Vezhdanisht dhe Trebovë, Vlorë, dhe të datës 18.10.2017, ku në fshatin Babicë e Vogel, në banesën e Armand Koçerrit është gjetur dhe sekuestruar nga policia gjyqësore sasia prej 3978 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, janë në mbështetje të të gjithë fakteve penale që kanë të bëjnë me grupin e strukturuar kriminal, për të treguar qëndrushemërinë e grupit të strukturuar; për lëndën narkotike prej rreth 4 tonësh, ne kemi akuzuar të pandehurit e tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal, për të cilët është dërguar një pjesë e dosjes për gjykim dhe vazhdon gjykimi për të pandehurit Nazer Seitaj, Armand Koçeri, Moisi Habilaj, etj, por kjo sasi lëndë narkotike ka lidhje lidhje me çështjen që po gjykoni ju. Ne i kemi sqaruar të gjitha këto fakte për të treguar qëndrushmërinë e grupit të strukturuar kriminal, pa i ndarë faktet e veçanta, pa i veçuar ato, pa i’u dhënë një rëndësi paraprake, por duke i trajtuar ato në harmoni me njëra-tjetrën, që nga viti 2013 e tani (seancë gjyqësore datë 10.9.2019)”.
Të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela nuk janë akuzuar për veprën penale të “kultivimit te bimëve narkotike”, neni 284 i KP; se akuza e ngritur ndaj këtyre të pandehurve nuk përfshin episodin e datës 18.10.2017, ku është sekuestruar nga policia gjyqësore sasia prej 3978 kg cannabis sativa (…).
Në përfundim të këtyre sqarimeve të prokurorisë, mbrojtja e të pandehurve u tërhoqën nga pretendimi se nëse kishte pasur shtesë akuzë lidhur me episodin e dt. 18.10.2017.) Pas sqarimeve të mësipërme të dhena nga prokuroria, edhe gjykata konstatoi se nuk ndodhej para ndonje prej rasteve te parashikuara nga nenet 372-374 dhe 376 te Kodit të Procedurës Penale, pasi gjatë gjykimit nuk kishte pasur ndonjë ndryshim në akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj të pandehurve. (shih vendimin e gjykatës së shkallës së parë, faqe 8-9).
46. Në vijim, pasi i është referuar faktit penal të paraqitur nga prokuroria dhe provave të administruara në kushtet e gjykimit të shkurtuar, gjykata e shkallës së parë, me vendim përfundimtar ka arritur në përfundimin se, nëpërmjet provave të çmuara në përputhje me nenin 152 të Kodit të Procedurës Penale, nuk provohet kryerja e veprave penale të atribuuar të pandehurve nga prokuroria në kërkesën për gjykim. Atij fakti penal, gjykata i ka dhënë një përcaktim të ndryshëm nga akuza, duke arritur në konkluzionin se, nga ana e të pandehurve është kryer vepra penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Meqenëse kjo vepër penale nuk është më e rëndë se ajo e paraqitur nga akuza, nuk ka pasur vend për të zbatuar as paragrafin e dytë të nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale.
47. Në vlerësim të këtij Kolegji, në kushtet kur prokurorët, përfaqësues të akuzës në këtë gjykim, kanë konfirmuar para gjykatës së shkallës së parë (para gjyqtarit të seancës paraprake dhe në seancë gjyqësore) akuzën e njoftuar të pandehurve, në përputhje me nenin 34 të Kodit të Procedurës Penale dhe të paraqitur me kërkesën për gjykim, në përputhje me nenin 331 të po këtij Kodi, vendimmarja e asaj gjykate, duke i dhënë faktit penal të paraqitur nga akuza, një cilësim tjetër ligjor, nuk rezulton e pabazuar në ligjin procedural penal.
48. Ushtrimi i ndjekjes penale është kompetencë e prokurorit, i cili, në ushtrim të saj, gjatë gjykimit të çështjes në shkallë të parë, sipas rregullimeve të parashikuar në nenet 372, 373, 374 të Kodit të Procedurës Penale mund të ndryshojë akuzën e paraqitur prej tij dhe procedon me akuzën përkatëse; ai i komunikon të pandehurit një akuzë të re, përveç asaj të paraqitur me kërkesën për gjykim, me kusht që gjykimi të jetë në kompetencë të asaj gjykatë; ndërsa, kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një fakt i ri që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit dhe për të cilin duhet proceduar kryesisht, prokurori procedon duke terhequr dosjen për të vazhduar me hetimet paraprake.
49. Në çështjen në shqyrtim akuza në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është sqaruar përfundimisht nga ana e prokurorëve përfaqësues të saj. Në të tilla rrethana, gjykata nuk ka pasur pengesë t’i japë faktit penal të paraqitur një cilësim tjetër juridik.
50. Ligji procedural penal ka përcaktuar shprehimisht se, gjykata mund të bëjë një përcaktim të ndryshëm ligjor/rikualifikim ligjor, për faktin kriminal, në rast se ai rezulton i ndryshëm nga sa kishte parashtruar prokurori në kërkesën për gjykim (neni 375/1 i Kodit të Procedurës Penale). Ndërsa në paragrafin e dytë, në vijim, parashikon shprehimisht se Kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë se ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, njofton palët mbi këtë mundësi dhe u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur. Palët kanë të drejtë të paraqesin prova të reja.
51. Lidhur me sa më sipër, Kolegji vlerëson se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndryshe nga sa ka konkluduar Gjykata e Posaçme e Apelit për Krimet e Rënda në vendimin objekt rekursi, është marrë në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit procedural penal, neneve 372 – 376 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilat rregullohen normat procedurale penale lidhur me paraqitjen e akuzave e reja gjatë procesit gjyqësor penal. Një zgjidhje e tillë është edhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 10.2.2012.
52. Kolegji vlerëson se rrethanat ligjore të çështjes së paraqitur për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nuk kanë qenë të tilla që të justifikojnë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, konform nenit 428/1, shkronja ç) të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon të drejtën e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.
53. Në interpretim të përmbajtjes të dispozitës së sipërcituar, rasti për të cilin Kodi i Procedurës Penale lejon prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e akteve për rigjykim asaj gjykate, nuk të lidhet me cilësimin e saktë ligjor të fakteve dhe akuzën e ngritur nga prokurori, por lidhet vetëm me rastet kur rezulton se nuk janë respektuar dispozitat në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, si psh; kur prokurori në gjykim ka papajtueshmëri, të cilat e bëjnë pjesmarrjen e tij të pamundur për përfaqësimin e asaj akuze në gjykim. Kjo rezulton qartë nga vetë formulimi i dispozitës së cituar, e cila parashikon si shkak të prishjes se vendimit dhe kthimin e çështjes në shkallë të parë, vetëm në rastet kur konstatohet papajtueshmeria e gjyqtarit (duke e lidhur me mosrespektimin e dispozitave që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete), po ashtu dhe për papajtueshmërinë e pjesmarrjes në gjykim të prokurorit.
54. Për pretendimet e tjera, në rekurset e paraqitura nga të gjykuarit, që kanë të bëjnë me vlerësimin e provave të paraqitura nga prokuroria në kërkesën për gjykim, Kolegji konsideron se, analiza dhe çmuarja e provave është atribut i gjykatave të faktit dhe si të tilla nuk janë objekt i shqyrtimit në Gjykatën e Lartë; aq më tepër që çështja në shqyrtim është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se të pandehurit kanë qenë dakord me aktet e fashikullit hetimor të prokurorit. Kolegji sjell në vëmendje se, pjesa e pretendimeve në rekurs që ngre çështje të vlerësimit të provave del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë. Në të gjitha rastet kur
rekursi nuk i përmbahet shkaqeve të përcaktuara nga neni 432/1 i Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit. Qëndrimi që mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që referon në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit.
55. Përsa i përket kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela, për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, Kolegji vëren se masa e sigurimit, si e tillë, është trajtuar në Gjykatën e Lartë dhe, me vendimin nr. 218, datë 03.07.2020 është vendosur mospranimi i rekursit të paraqitur kundër vendimit nr. 18 akti, datë 19.05.2020 të Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ndërkohë, kërkesa në fjalë, duke pretenduar veprime procedurale për marrjen e provave, siç është caktimi i një eksperti ose grupi ekspertesh mjekoligjorë për të verifikuar diagnozat mjekësore, vlerësohet si një kërkesë e papranueshme për sa kohë që Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti, në të cilën merren dhe analizohen prova në përputhje me nenin 152 të KPP, por është një gjykatë ligji.
56. Nga sa vërehet, kushtet dhe kriteret për të cilat është vendosur masa e sigurimit për të pandehurin Jaeld Çela nuk kanë ndryshuar; po ashtu edhe nevojat e sigurimit. Mbi këtë bazë, e shqyrtuar në referencë të nenit 260 të KPP, kërkesa duhet rrëzuar.
57. Në përfundim, Kolegji Penal vlerëson se duhet të prishet vendimi nr. 16, datë 26.6.2020 i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të dërgohet çështja për rigjykim në atë gjykatë, më tjetër trup gjykues.
58. Në rigjykim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të marrë në shqyrtim shkaqet e paraqitura në apelet përkatëse të palëve apeluese dhe të zgjidhë çështjen e paraqitur para saj, në përputhje dipsozitat procedurale penale që rregullojnë veprimtarinë e asaj gjykate, brenda kufijve të shqyrtimit të çështjes, në përputhje me parashikimet e nenit 425 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 441, paragrafi 1, shkronja c) dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale,
VENDOSI:
1.Prishjen e Vendimit nr. 16, datë 26.6.2020, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.
2. Rrëzimin e kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
Tiranë, më 28.9.2021.