Emisioni “Në shënjestër sjell këtë të mërkurë detaje nga aksioni për sekuestrimin e 430 kg kokainë kolumbiane që u gjetën në shtëpinë e zyrtarit socialist Viktor Çervanaku, në Frakull të Fierit.
Për herë të parë dalin përgjimet mes të dyshuarve, që zbërthejnë mënyrën sesi funksiononte grupi kriminal. Viktor Çervanaku, aktualisht drejtor i administratës së OST, ish-kryetar komune i komunës Frakull i Madh, si dhe ish-oficer i forcave speciale RENEA, sikurse rezulton nga përgjimet mbante kontakte me punonjës të policisë dhe strukturave të tjera shtetërore.
Profili
Në dukje ai hiqej si një zyrtar i sjellshëm, bashkëpunues. Korrekt me banorët, aq sa kishte fituar edhe simpatinë e tyre. Kështu të paktën e kujtonin në komunën Frakull në Fier, ish-komunarin e tyre.
Profil të cilin Viktor Çervanaku, duket se e kishte krijuar me aq kujdes për veten e tij në sytë e opinionit publik, deri mbrëmjen kur ra në pranga për përfshirje në trafikimin e 430 kg kokainë të fshehura në thasë me pleh organik.
Kokainë e cila kishte nisur rrugëtimin nga Kolumbia dhe ishte stacionuar në banesën e tij në fshatin Frakull e Madhe në Fier. Banesa që shpejt do të shndërrohej, në një laborator të përpunimit të kokainës, pasi aty do të ‘zbarkonin’ ‘kimistët’ kolumbianë, për të kryer ekstraktimin e saj.
Profili i një zyrtari babaxhan, që ndërsa bashkëfshatarët kishin disa kohë që e kishin humbur nga sytë, por që ruanin mbresa të mira për të, duket se një përshtypje të tillë nuk e kishin agjentët e DEA-s amerikane.
Të cilët, duket se kishin muaj të tërë që e kishin vënë në lupën e tyre, Viktor Çervanakun dhe rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve.
Deri me 24 nëntor 2022.
Kur gjithë ëndrra e tij për tu pasuruar nëpërmjet trafikimit të kokainës u zhbënë në hiç, ashtu si gjetja e tyre e padëgjuar më parë për të organizuar transportin e lëndës narkoktike, përmes plehut.
Një gjetje që duket se nuk e kaloi dot provën, pasi DEA amerikane i ishte vënë nga pas ngarkesës për ta mësuar se ku do të përfundonin gjurmët e saj.
Por si ra në pranga Viktor Çervanaku dhe rrjeti i tij i bashkëpunëtorëve?
Cili ishte rrugëtimi i gjatë që kishte ndërmarrë sasia prej 430 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri?
Dhe, a është në të vërtetë ai, bossi i kësaj ngarkese, apo edhe në këtë rast ata që u arrestuan nuk janë gjë tjetër veçse ushtarët e sasisë së madhe të drogës, që nëse do dilte në treg mendohej se do të kapte vlerën e 40 milionë eurove?
Sipas burimeve të emisionit ‘Në shënjestër’, plani për të transportuar kokainën nëpërmjet thasëve me pleh, nisi të thurej në janar 2022, kur vëllai i Viktor Çervanakut, Zenel Çervanaku, regjistroi një biznes në emër të tij, me aktivitet kryesor import-eksportin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të plehrave kimike si edhe mallrave të ndryshme, duke përfshirë këtu, fruta të thata, ekzotike, deri te pemë dekorative.
Kjo me qëllim kamuflimin e dërgesës me kokainë, që pesë muaj më pas do të nisej nga Amerika e Jugut në drejtim të Shqipërisë.
Ku thuhet se Zenel Çervanaku, i njohur si NELI porositi ngarkesën, e cila u nis nga Kolumbia në muajin maj.
Më konkretisht nga porti i Buenaventuras.
Rrugëtim që u ndal fillimisht në portin e Pireut në Greqi, ku qëndroi vetëm 3 ditë. Për të marrë më pas drejtimin për në portin e Barit apo ndryshe të Tivarit në Malin e Zi.
Ndalesa e fundit, para se ngarkesa të mbërrinte në Shqipëri.
Por ndërsa dukej se gjithçka po shkonte në përsosmëri me ngarkesën që tashmë ishte ndalur në Portin e Tivarit, nuk duket se ishte kështu për kryedoganierin e portit malazez të mallrave.
I cili, duket se nuk u bind nga pesha e mallit. Ndaj për këtë arsye kërkoi një verifikim të dytë të thasëve me pleh organik.
Ku kërkimi këtë herë rezultoi surprizues. Histori e cila së fundmi u nxor në pah edhe nga mediat malazeze, që zbardhën të gjithë dinamikën, se si u gjet kokaina e fshehur në 536 thasë të ngarkuar me pleh kimik organik.
Hetimet
Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, ne Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, kanë shkëmbyer informacione lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” e cila është paketuar në një kontejner me numër CAIU4087660, që transportohej me anijen “Monte Cervino”, në Portin e Tivarit.
Sipas të dhënave paraprake te administruara për interesa të këtij procedimi penal rezultonte se, kompania e dërgesave ‘Comercializadora Tober Exportaciones Palmira”, Vale, Columbia, ka organizuar transportin e kontejnerit nga Porti Buenaventura-Kolumbi, përmes Portit të Pireut/Greqi, me destinacion tranzit Malin e Zi, për marrësin shtetasin shqiptar Zenel Çervanaku.
Dyshimi mbi përmbajtjen e thasëve me pleh organik, lindi te autoritetet malazeze, pasi një ngarkesë e ngjashme ishte kapur më herët në Kolumbi, më 21 prill 2022, ku nga analizat kimike që iu bënë në atë kohë plehut organik, u zbulua një sasi prej 171 kg kokainë.
Ishte ky dyshim që drejtoi autoritetet malazeze të kërkonin informacione lidhur mbi porositësin e ngarkesës.
Që në këtë rast rezultonte të ishte Zenel Çervanaku, apo i njohur ndryshe si Neli. Por ndërkohë që anija me ngarkesën me kokainë kishte mbërritur në portin malazez, më 7 Korrik 2022, autoritetet malazeze, morën informacion njëkohësisht se malli do të dërgohej me kamionë në Shqipëri.
Sipas autoriteteve vendase ngarkesa përmbante 20 paleta me gjithsej 600 thasë me ‘pleh artificial’.
Është ky momenti kur malazezët, propozojnë të bëhej dorëzimi i kontrolluar i mallit, për të parë se kush do të ishte marrësi i vërtetë i kësaj dërgese.
Si dhe kush ishin personat e specializuar për të bërë ekstraktimin e kokainës. Ndërkohë që tashmë autoritetet ligjzbatuese në bashkëpunim me DEA-n amerikane, nuk kishin dyshime se ndodheshin përballë një grupi të strukturuar kriminal i shtrirë në disa shtete, ku të përfshirë rezultojnë edhe emra që njihen si ‘peshqit’ e mëdhenj të kokainës.
I pari që u vu në përgjim, në fundin e muajit korrik, ndërsa ngarkesa ishte ende në Portin e Tivarit në Malin e Zi, ishte Zenel Çervanaku.
Ngarkesa me plehun artificial qëndroi në portin e Tivarit deri më datën 19 shtator 2022. Pra afro 2 muaj që nga mbërritja në këtë port më datë 7 korrik 2022. Ku autoritetet portuale u kujdesën që gjatë kësaj kohe të mos binin në sy të porositësve të ngarkesës.
Por t’i lejonin ata që gjatë kësaj periudhe të përgatisnin dokumentacionin e duhur, me qëllim transportin e ngarkesës në Shqipëri. Transport që siç do të shikohet më poshtë, u krye më 19 shtator 2022. Ku në orën 20.00 të kësaj dite, kamioni i ngarkuar me pleh organik, u parkua fillimisht në Terminalin e Doganës së Tiranës. Aty ku kaloi edhe natën. Deri në pritje të zhdoganimit.
Zhdoganim i cili u krye më datë 20 shtator 2022, ku pasi në mesditë ka lënë Doganën, kamioni mësohet se është ndalur në një parkim të hapur në rrugën ‘Jorgo Panajoti’, në Tiranë. Ambient ku thuhet se ngarkesa ka qëndruar prej datës 20 Shtator 2022, ora 14.00 deri më datë 23 Shtator 2022, ora 14.00.
Momenti, kur ngarkesa me pleh organik, këtë herë lë Tiranën dhe niset e ndarë me dy kamionë të tonazhit më të lehtë, drejt fshatit Frakull e Madhe në Fier.
Ku mësohet se mbërriti po në këtë datë, në banesën e shtetasit Refat Çervanaku, babai i Viktor dhe Zenel Çervanakut. Ambient në të cilin sasia e drogës u gjet edhe mbrëmjen e 24 nëntorit 2022.
/News 24/