Prej dy ditësh vijon zjarri në Llogara. Digjen dhjetëra hektarë pyje dhe shkurre në zonën e Dukatit, ndërsa rrezikohet Parku i Llogorasë. I gjithë reparti zjarrfikës, Forcat e Armatosura dhe helikopteri nga ajri vijojnë luftën për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Forcave zjarrfikëse i është dashur të ecin për rreth një orë me këmbë që të shkojnë në vatrat e zjarrit.
Por zjarri i madh nuk është vënë dot nën kontroll, kështu në gatishmëri janë vënë edhe forcat e ushtrisë gjatë orëve të vona të natës.
Zjarri u arrit të vihej në kontroll rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, por ka nisur serish të përhapet. Për shuarjen e zjarrit sot në mëngjes kanë mbërritur edhe dy helikopterë të ushtrisë.