Nga Fitim Zekthi
Prej kohësh programet më të fuqishme televizive, që janë reality show-t, sidomos atje ku seksi, instinkti, sherrnaja, lakmia, dëshira për dominim janë më të pranishme. Programe këto me të reja, të cilat janë aty për të përzgjedhur dhe gjetur “të dashur” drejtpërsëdrejti, programe ku skena joshjeje apo sjelljeje përtej erotikes deri në pornografi, ku ka fyerje dhe sulme përtej etikës janë më të ndjekurat, madje pushtojnë edhe mediat e shkruara apo ato on line. Sjellja dhe veshjet janë krejtësisht të seksualizuara. Ato janë po aq të seksualizuara, madje edhe në disa programe fëmijësh. Pak ditë më parë, në televizionin kombëtar u shfaq një e quajtur paradë mode e fëmijëve, të cilët ishin veshur njëlloj siç vishen në parada të tilla të rriturit. Edhe në koncerte fëmijësh shihen veshje të tilla. Seksi është kudo: në zyra vishen si në konkurse bukurie, në shkolla studentët janë në garë për minifundin më të shkurtër, dekoltenë më të hapur, pantallonat më të ngushta. Gjimnazet më keq, shkollat 9-vjeçare një tmerr i vërtetë.
Shohim parlamentarë që vishen në mënyrë që të shfaqin një aspekt të tërheqjes seksuale, ka prej tyre që e kanë qëllim rënien në sy me anë të zhveshjes dhe paraqitjes duke e seksualizuar atë. Vetë Kryeministri ynë është një njeri që kërkon të bjerë në sy nëpërmjet veshjes së tij duke performuar lloj-lloj spektaklesh.
Këto ditë të zhvillimit të mbrëmjeve të maturës, adoleshentët kërkojnë dhe porosisin (disa herë jashtë mundësive të prindërve të tyre) veshje që mbathen vetëm një herë në jetë, të cilat dëshmojnë vanitetin dhe pasurinë, marrin makina të shtrenjta me qira për të zbritur prej tyre në ndjekje të imazheve televizive më egoiste apo narciziste. Në njërën prej këtyre mbrëmjeve u panë madje edhe djem me rrobën e sheikut duke na treguar nevojën e dëshpëruar për të rënë në sy, por edhe modelin prej të cilit tërhiqen, që me sa duket se është ai i imazhit të një sheiku të mbuluar me ar dhe të rrethuar nga femra.
Kjo kulturë e seksualizimit të shoqërisë ka çuar pa dyshim në pikëpamje, të cilat lirinë seksuale e konsiderojnë një imperativ të lartë moral, në pikëpamje që e konsiderojnë ndjelljen e kënaqësisë një të drejtë themelore që duhet të udhëheqë jetën e njeriut, në pikëpamje që i quajnë sjelljet homoseksuale po aq të drejta, po aq të virtytshme dhe po aq të shëndetshme sa sjelljet heteroseksuale, në pikëpamje ku nuk ekziston fare gjinia, ku njerëzit nuk janë as burra, as gra dhe as femra, as meshkuj, por e zgjedhin ata se çfarë duan të jenë.
Në një lloj kuptimi ky është një ekzaltim i egoizmit dhe i formës së tij më problematike të narcizmit. E gjitha kjo është pjesë e një zhvillimi politik, kulturor dhe filozofik të nisur ndoshta dy-tri shekuj më parë. Pasojat e këtij zhvillimi, të kësaj kulture apo të kësaj filozofie kanë qenë shumë të rënda.
Mendimtarët e mëdhenj të shekullit XVIII-XIX: Adam Smith, Vilhelm von Humbold etj., të cilët mbrojtën me forcë idenë e një rendi ku konkurrenca e lirë do të ishte zemra e zhvillimit ekonomik duke çuar përpara lirinë dhe respektimin e të drejtave, i trembeshin shumë shndërrimit të njeriut në një qenie materialiste dhe të drejtuar vetëm nga fitimi. Për ta, homo economicus, një zgjedhës racional i asaj që i prodhon fitim, do të ishte një qenie pa kapital social, që nuk do të ishte bartës i asgjëje të trashëguar dhe i asnjë norme morale apo shpirtërore. Edmund Burke e quante homo economicus-in njeriun ideal të revolucionit jakobin. Rreth dy shekuj më pas, kjo frikë duket u bë realitet.
Në librin “Letër mbi humanizmin”, filozofi gjerman, Martin Heideger, flet për tëhuajësim të njeriut si pasojë e makinave moderne dhe teknologjisë që kishte mundësuar ndërtimin e sistemeve të sofistikuara mbi të cilat njerëzit nuk kanë kontroll. Një anë shumë e errët e kësaj kulture dhe një element i këtij sistemi është seksualizimi i njeriut dhe i shoqërisë. Homo economicus, në përpjekje për të kthyer gjithçka në mall, ka seksualizuar prej kohësh një pafundësi mallrash me qëllim që seksi të kthehet në mall.
Sociologët shpjegojnë me detaje se si prej vitesh prodhohen mallra dhe reklama me kontekst seksin, që të sjellin në mendje seksin, që i kërkojnë imagjinatës të të çojë te seksi. Pa hyrë në detaje, se ato nuk kanë fund, po themi se bluzat, p.sh., kanë buzë femre apo edhe deri penis apo vaginë. Më e rënda është se edhe mallrat për fëmijë prodhohen masivisht me këtë qëllim. Kukullat janë miss-e, modele, kanë fustane të shkurtra, kanë dekolte etj. E njëjta gjë edhe me librat, kopertinat deri edhe stilolapsat, vizoret dhe gomat që mbushen me pamje seksiste. Këngët po ashtu janë të mbushura me tekste, në qendër të të cilave qëndron seksi.
Në zemër të këtij kuptimi mbi botën dhe njeriun, në qendër të kësaj filozofie qëndron ideja se njeriu është një mekanizëm biomolekular. Nga këtu lind egoizmi radikal.
Në njëfarë mënyre është logjike që egoizmi radikal të marrë jetë nga kjo filozofi. “Në qoftë se Zoti nuk ekziston, – shprehej De Sade, – atëherë universi është vetëm një mekanizëm vetëlëvizës dhe vetërregullues material. Njerëzit janë makina të përcaktuara dhe nuk kanë e nuk mund të kenë përgjegjësi morale”. Vite më pas edhe filozofi i njohur anglez Berrtrand Russell do të shkruante tek “Adhurimi i vërtetë i njeriut” se shpresat, dashuritë, besimet tona janë vetëm rezultat i një përplasjeje aksidentale të atomeve. Jean Paul Sartre e quajti njeriun “një pasion të panevojshëm”. Pra, njeriu ishte vetëm një pasion. Te libri i tij “Ekzistencializmi është humanizëm”, ai merr në shqyrtim pohimin e Dostojevskit se në qoftë nuk ka Zot, atëherë gjithçka është e lejuar dhe thotë se “në të vërtetë ashtu është…nuk ka asnjë të mirë apriori”.
Një filozofi e tillë e tërë prej disa dekadash ka bërë që “vetja” të shihet apo të jetë diçka tjetër. Kjo “vete” e re është ajo që na shfaqet me shumicë sot. Cila është në fakt kjo vete?
Rrugëtimi, zhvillimi apo ndoshta revolucioni për të mbërritur te kjo vete ka kaluar përmes disa etapash. Në fillim personi u bë vete, vetja u seksualizua dhe seksi u politizua.
Në shoqëritë tradicionale, ku njerëzit udhëhiqen nga vlera morale, kulturore dhe politike që përkufizoheshin nga besimi në Zot, vetja ishte diçka që kishte jetë të brendshme. Ky drejtim së brendshmi i vetes sipas besimit islam, atij të krishterë dhe judaik ishte gjithashtu edhe një drejtim drejt Zotit. Ka me dhjetëra vargje në tekstet e shenjta që e dëshmojnë këtë, siç ka edhe me qindra shpjegime të dijetarëve të fesë që e thonë këtë gjë.
Michael Sandel, profesor i filozofisë të së drejtës në Harvard, thotë se vetja që kishte kultivuar shoqëria tradicionale ishte “vetja e kufizuar” përkundruall “vetes së pakufizuar”, që kultivon apo ushqen moderniteti. Vetja ishte person, ishte krijesë e Zotit që kërkonte ta përshtaste jetën dhe gjithçka me të vërtetën dhe moralin objektiv në kërkim të jetës së përjetshme. Vetja moderne kërkon nga ana tjetër të “të jetë i vërtetë me veten”. Pra, në vend që të përpiqet të përshtatë mendimet, ndjenjat dhe veprimet me realitetin objektiv, njeriu modern sheh jetën e tij të brendshme si burim të së vërtetës. Vetja moderne e gjen veten te kultura e “individualizmit ekspresiv” siç thotë sociologu Robert Bellah. Te kjo kulturë e individualizmit ekspresiv secili prej nesh kërkon të shprehë vetëm jetët e tij të brendshme individuale dhe jo t’i shohim jetët tona si të mbërthyera në komunitete dhe të kufizuara nga ligje natyrore dhe nga ligje mbinatyrore. Pra, vërtetësia ndaj ndjenjave të brendshme bëhet rregulli dhe norma, dhe jo vërtetësia ndaj të vërtetave trashendentale. Kjo vete moderne nuk dëgjon mësimet e teksteve të shenjta apo të predikuesve të fesë, por dëgjon terapistët që e këshillojnë se si të jetë i vërtetë me veten dhe me ndjenjat e tij. Në njëfarë mënyre krijohet një vete terapeutike, për të cilën filozofi Carl Trueman thotë se bëhet e seksualizuar. Në shoqëritë tradicionale seksi ishte një dhuratë që i lejonte njerëzit të lidheshin si bashkëshortë dhe të krijonin familje. Për veten moderne apo për veten terapeutike, seksi ka të bëjë me të qenit i vërtetë me dëshirat e tua të brendshme seksuale.
Kjo gjë i hapi rrugën revolucionit seksual, lirisë seksuale si imperativ moral i lartë, ndjekjes së kënaqësive seksuale si ndjekje dhe nderim për të vërtetën e brendshme etj. Kështu, ata që deri dje ishin të vërteta të dukshme, që thoshin se djali është djalë dhe vajza është vajzë, sot thonë se djali mund të mos jetë djalë dhe vajza mund të mos jetë vajzë. Ato të vërteta të dukshme që dje thoshin se homoseksualiteti është i keq, i dëmshëm, i pavirtytshëm dhe shkatërrimtar, sot konsiderohen si të drejta dhe ndjekje sublime të së vërtetës së brendshme apo të respektimit të dëshirave të brendshme si burim absolut i së vërtetës. Kemi arritur në pikën ku seksi është politizuar, është kthyer në çështjen më të debatueshme politike dhe në çështjen që ngërthen gati të gjithë politikën. Kudo në botë debatet mbi çështjen e homoseksualitit, mbi gjininë, mbi abortin, mbi liritë seksuale si imperativ moral etj. po përkufizojnë politikën dhe mënyrën se si ajo bëhet. Sigurisht që edhe vendi ynë është i përfshirë nga këto debate në një formë më të zbehtë, por efektet te ne janë edhe më shqetësuese. Sot egoizmi radikal jo vetëm e ka seksualizuar “veten”, jo vetëm e ka futur pjesën më të madhe të shoqërisë në një kulturë të njeriut të seksualizuar që po na shkatërron, por po na e politizon seksin. Në qoftë se vetja e seksualizuar e shkatërron individin, politizimi i seksit e shkatërron shoqërinë dhe politikën.
Vetja moderne, seksualizmi i njeriut do të çojë detyrimisht te politizimi i seksit. Politika është një përbindësh që nuk lë gjë pa përdorur kur i bën punë. Duke e parë që njeriu i seksualizuar është bërë i madh dhe kultura e seksualizmit e bënë këtë njeri mall, atëherë politika do të ndërhyjë, siç ka bërë, dhe do ta përdorë këtë mall duke e kthyer në axhendë, në program politik ushqimin dhe shtimin e këtij malli. Vetëm deseksualizimi i shoqërisë, i kulturës, i njeriut, do ta shtynte politikën të mos e politizonte seksin.
Kudo në botë bëhet sot një luftë kulturore e madhe për të kufizuar këtë vete moderne, për të mos lejuar që vetja moderne të përpijë gjithçka dhe të shkatërrojë gjithçka.
Një kthim te personi, te njeriu që është i drejtuar së brendshmi, por e bën këtë si krijesë e Zotit që kërkon të ndërtojë jetën dhe gjithçka në përputhje me ligjet dhe mësimet e Zotit në mënyrë që të arrijë jetën e përjetshme, nuk mund të bëhet pa ripërtëritje të vlerave konservatore, të vlerave politike që udhëhiqen apo burojnë nga besimi fetar. Tek vetja moderne, në qendër të gjithçkaje është vetja e pagabueshme, njeriu që di gjithçka, që ka në dorë gjithçka dhe që nuk varet nga asnjë forcë tjetër. Te vetja moderne ekzaltohet egoizmi, ndjekja e dëshirave të brendshme të cilat përkufizojnë gjithçka. Tek personi ekzaltohet vetëkufizmi, vetëpërmabjtja, kërkimi i jetës së përjetshme. Në zemër të së keqes qëndron gjithnjë egoizmi. Nuk ekziston asnjë e keqe, e cila të mos ketë shtysën e kësaj force shkatërrimtare. Edhe në shoqëritë tradicionale, edhe në shoqëritë më të papërkufizueshme e keqja ka qenë gjithnjë e lidhur me egoizmin. Në qoftë se vetja tradicionale, personi, është mënyra për të kufizuar, penguar, kontrolluar egoizmin, vetja moderne është mënyra për ta ushqyer dhe rritur atë.