Si e kalojnë shqiptarët periudhën e verës, çfarë alternativash ka për argëtim dhe cilat biznese dominojnë në ‘tortën’ e përfituesve të të ardhurave në këtë periudhë?
Nga Deada Hyka
Ditët e verës për shumëkënd janë të shkurtra: argëtim, kohë e lirë, pushime. Në mesin e vorbullës që krijon sinergjia e ditëve me diell, mbase pyesim veten se çfarë do të bëjmë nesër. Edhe për ata që përjetojnë ditët e verës të gjata duke punuar, ka alternativa për pasditet dhe fundjavat.
Rrjedhat e zhvendosura të teknologjisë dhe ekonomisë kanë krijuar sfida unike për segmente të industrisë së argëtimit gjatë viteve të fundit. Por, nga ana tjetër, kanë shtuar mundësitë për individët që të gjejnë një pjesëz të rebusit të argëtimit të cilin e shijojnë.
Nga frekuentimi i një kinemaje për një film të ri që po jepet kudo në botë, te një përvojë mes sportit e adrenalinës në një qendër argëtimi, te pijet e muzika në një klub buzë detit, apo zhytja në një pishinë apo më mirë, Aquapark; Të gjitha janë ‘ndalesa’ që shqiptarët po i bëjnë për të mbushur kohën e lirë, për të argëtuar veten e familjen.
Klubet zhvendosen në det
Jeta e natës në Shqipëri mbretëron me shumë kontraste, me një shumëllojshmëri alternativash për të gjitha kategoritë. Ka një vend për t’u argëtuar dhe për të konsumuar diçka, për buxhetet e cilitdo. Ndërsa në qershor, baret kryesore kanë mbyllur dyert në Tiranë, nis aktiviteti për bregdetin.
Dy muajt e parë të verës, qershori dhe korriku, sipas bizneseve, nuk patën fluksin e parashikuar të frekuentimit. Kjo erdhi si pasojë e motit të paqëndrueshëm, ndërsa pritet që gushti të jetë më i frytshëm.
Dorjan Maknori thotë për “Monitor” se, pas mbylljes së sezonit të Lolipop në Tiranë, fokusi zhvendoset në bregdet, ku pushuesit do të kenë mundësi të gjejnë muzikë të mirë. Ai thekson sërish se një ndër problematikat e vjetra të sektorit, mbetet informaliteti.
Sipas tij, ka klube që biletat i shesin në treg informal, si dhe ka konkurrencë të pandershme tek aktorët e tregut që respektojnë ligjin. Sipas tij vijon kontrasti i madh në një natë në klub, shumica e njerëzve kalojnë të gjithë natën me maksimumi 2 pije, ndërsa një tavolinë shpenzon 1 milionë lekë (të reja) me shampanja.
Ani Dobi, menaxher i La Cueva në Sarandë, thotë se sezoni ka nisur mirë në atë zonë. Sipas tij, përveç pushuesve shqiptarë, edhe turistët e shumtë të pranishëm në Jug, kanë dhënë ndikimin e tyre për numrin e lartë të frekuentuesve. Ai thotë se konkurrenca është shtuar shumë vitet e fundit dhe për të mbijetuar në treg do të duhet të sjellësh risi, këngëtarë të rinj apo edhe DJ të zotë.
“Sigurisht që nuk ka të njëjtin ndikim DJ, duke qenë se këngëtarët pëlqehen nga komunikimi i mirë përmes mikrofonit me publikun e pranishëm, të cilët nuk janë rastësisht aty, por si fansa të artistit. Por, ne kemi nisur të sjellim DJ shumë të mirë në klubin tonë në Sarandë dhe po pëlqehen shumë. Si kosto është më e leverdishme për ne si biznes”- thotë Ani.
Si tendencë e këtij sezoni është raporti thuajse 50/50 i këngëtarëve shqiptarë me ata të Kosovës, madje në disa raste duket se po fitojnë ndjeshëm terren edhe kundrejt atyre të Kosovës. Një nga arsyet janë tarifat. Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova, sipas bizneseve të fushës.
Argëtim dhe sport
Një koncept që i është shtuar alternativave të argëtimit në Tiranë është një qendër argëtimi e re, e cila nuk fokusohet vetëm te moshat e vogla, por edhe te të rriturit dhe ndërthur sportet me lojëra, për të pasur një përvojë çlodhëse dhe sportive në të njëjtën kohë.
“Latitude është pritur mjaft mirë nga shqiptarët dhe jo vetëm. Ka pasur vizitorë të shumtë nga Kosova apo dhe turistë të huaj që ju pëlqen adrenalina e një parku ajror si Latitude”, – thotë Suela Bisha, drejtuese e marketingut e Latitude. Sipas saj, moria e aktiviteteve që ofrohet, për të gjitha grupmoshat e bëjnë të prekshme dhe të aksesueshme për të gjithë. Tarifat e hyrjes janë 400 lekë për moshën 1-5 vjeç dhe 800 lekë për më të rriturit, të cilat janë në përputhje me standardin e ofruar.
“KidZone, zona për fëmijët nga 18 muaj deri në 5 vjeç dhe zona mbi 5 vjeç aktivitete, është e mjaft e frekuentuar nga fëmijët e vegjël por ajo çka vihet re janë grupmoshat 10 vjeç + që janë bërë klientë të rregullt të qendrës. Prindërit, gjatë kohës që fëmijët argëtohen, mund të shijojnë diçka për të pirë apo të përfshihen në aktivitetet e ndryshme që ofron Latitude, ndërkohë që kujdestarët e specializuar të stafit kujdesen për mbarëvajtjen e argëtimit të fëmijëve të tyre”, – thotë znj. Bisha, e cila pohon se ky lloj koncepti është përqafuar fort.
Ndërkohë i është kushtuar një hapësirë edhe argëtimit të kolegëve të kompanive të ndryshme në Tiranë, të cilët kanë zgjedhur të realizojnë një ‘staff retreat’. Znj. Bisha thotë se ka pasur prurje të konsiderueshme të grupmoshave adoleshente, të grupeve të punës në formë Team Building, por edhe familjarë. “Latitude pritet të shndërrohet në një qendër argëtimi jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë rajonin”, thotë Bisha.
Tre vite më parë, specialistët e fushës pohuan se tregut shqiptar i mungonte një Aquapark që do t’i shtonte një alternativë moderne frekuentuesve të pishinës, si dhe do të rikonceptonte modelin shqiptar të kompleksit të pishinave. Nuk kaloi viti përpara se të hapej një i tillë në vendin tonë.
Aquapark Blue Magic Water solli në një dimension shumëfunksional tri pishina, rrëshqitëse dhe lodra uji për fëmijë e të rritur, në një kompleks prej 50 mijë metrash katrorë. “Në këtë investim kemi synuar t’u ofrojmë klientëve të gjitha llojet e shërbimeve, duke filluar nga fast-food, kafe, restorant, Beach Bar”, – thotë Arjan Mene, drejtuesi i Aquapark.
Ai shton se ky biznes ishte ideuar përpara pesë vitesh dhe nisi aktivitetin në shkurtin e 2017-s. “Ne kemi përdorur një teknologji të lartë e cila garanton cilësinë e ujit, me filtra që e qarkullojnë atë mbi 24 herë/orë. Viti i shkuar ishte i mbarë, përtej parashikimeve tona. Frekuentimet kanë qenë të shpeshta nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht nga qytetet përreth, si Durrësi, Shijaku, Tirana, Kruja etj. Synojmë të tërheqim edhe turistë, siç ndodh kudo në botë”, – pohon z. Mene.
Padyshim një alternativë argëtimi në kryeqytet mbetet kinemaja, gjatë gjithë vitit. Sezoni veror është gjithmonë sezon i ulët për kinematë globalisht, ndaj edhe në Tiranë reflektohet ky fenomen.
Sipas menaxheres së Marketingut të Cineplexx, Ingrid Xhaja, “këtë vit, falë disa titujve të rëndësishëm të pozicionuar strategjikisht në verë nga studiot e prodhimit, kemi pasur vazhdimisht vizitorë në kinema”.
“Filmi ‘Lion King’ i cili doli në korrik dhe filmi ‘Fast and Furious: Hobbs & Shaw’ në gusht janë padyshim titujt më të rëndësishëm të kësaj vere. Në kinematë tona ka rreth dy filma të rinj çdo javë. Filmat që performojnë mirë qëndrojnë në kinema deri sa të ketë kërkesë, ndërsa ata që nuk tërheqin më, zëvendësohen nga titujt e rinj”, – thotë znj. Xhaja.
Sa i përket faktit se cila është grupmosha që e frekuentojnë më tepër kinemanë si alternativë argëtimi, znj. Xhaja thotë se ka hapësira për të gjithë. “Për familjet, përveç filmave që azhurnohen vazhdimisht, një vend të rëndësishëm kanë edhe evente e titulluara ‘Family Day’, ku shpesh dhurojmë produkte për vizitorët e vegjël, animacione, maskota apo fotografi të personalizuara me personazhet e dashura”, -thotë Ingrid.
Për të rinjtë, shton ajo, ka natyrisht më shumë zgjedhje filmash dhe eventesh, të cilat i organizojmë sipas temës së filmave.
“Qëllimi i eventeve me temë si ‘Ladies Night’, ‘Superheroes Night’, ‘Premierë’ etj., është të ofrojmë një përvojë më argëtuese se vetëm një vizitë në kinema”, -thotë ajo
Pishinat
Pishinat po konsiderohen si domosdoshmëri edhe për hotelet në vijën bregdetare prej 362 km të Shqipërisë. Thuajse të gjitha hotelet në Shqipëri kanë si pjesë të kompleksit edhe pishinat. Drejtuesit e hotel Adriatik në Durrës shprehen për “Monitor” se frekuentimi i pishinës së hotelit ka nisur që në fund të prillit.
“Ndonëse me detin afër, pishina pëlqehet, sidomos nga prindërit me fëmijë që duan t’i mbajnë nën mbikëqyrje në një thellësi të vogël. Pishina ofron një lloj komoditeti që deti nuk ta jep dot. Sidomos para nisjes së sezonit veror, ne kemi shumë frekuentues që konsumojnë një pije apo drekë në pishinat tona. Është një lloj ‘mode’ dhe pastërtie që pishina e ofron, kundrejt detit që jo çdokush preferon rërën”, – pohojnë përfaqësues nga Adriatik Hotel.
Në zonën e Shëngjinit, ndërkohë, janë ndërtuar jo pak hotele vitet e fundit, bashkë me konceptimin që në nisje të pishinave në kompleksin e tyre.
Përfaqësues nga Princ Adriatik Restort në Shëngjin, një hotel i hapur vitin e shkuar, thonë se ndonëse vija bregdetare është joshëse, me rërën e butë dhe detin e pastër, pishina përfshihet sërish në dëshirën e pushuesve. “Kemi pasur vizita në fundjavë edhe vetëm për të qëndruar në pishinë. Parashikojmë se në rezervimet për këtë verë, fëmijët do të jenë më të tërhequr nga pishinat”.
Menaxheri i Palma Nova thotë se tendenca e frekuentimit të pishinave mbetet ajo para nisjes së sezonit, ose përpara marrjes së pushimeve. Por, nuk përjashtohen edhe vizitat e fundjavave në mënyrë periodike. Ajo që po zhvillohet shumë tre vitet e fundit është kombinimi i ushtrimit të një sporti pranë pishinave apo marrja e kurseve të notit, përpara nisjes së pushimeve.
Pjesa më e madhe e drejtuesve të pishinave rreth Tiranës thonë se trafiku i korrik-gushtit në autostradën Tiranë-Durrës i kanë rritur frekuentimet në pishina. Familjet në Tiranë apo edhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur t’i kalojnë tre fundjavat e fundit në pishina, ndonëse me kohë të paqëndrueshme, duke qenë se trafiku në autostradë i mban larg bregdetit.
Vitet e fundit, Shqipëria është bërë destinacioni i përsosur veror për adhuruesit e festivaleve.
Nga festivalet përgjatë Rivierës së mrekullueshme deri në ngjarjet tradicionale në qytetet historike të vendit, Shqipëria ka shumë festa të tilla verore, që nisin në fakt që në maj e përfundojnë në shtator.
Festivali Kala
Kala është festivali më i ri shqiptar që zhvillohet në qershor në fshatin Dhërmi dhe rrethinat e tij, përfshirë disa plazhe mahnitëse dhe sekrete përgjatë Rivierës Shqiptare të arritshme vetëm me varkë. Ishte festivali i parë ndërkombëtar i muzikës në vend, i lindur në vitin 2018, dhe tashmë është cilësuar si një nga festivalet më të mirë të verës në botë. Gjatë ngjarjes njëjavore, disa nga DJ-të më të mirë europianë luajnë hitet e tyre kryesore.
South Outdoor Festival
South Outdoor Festival është një nga festivalet më interesante në Gadishullin Ballkanik. Ai ofron një seri të madhe të aktiviteteve në natyrë në fshatrat e Bashkisë së Himarës dhe rrethinave. Festivali, i cili zhvillohet çdo vit në fund të muajit prill në fshatra të ndryshëm, zgjat tri ditë dhe u ofron pjesëmarrësve mundësinë që të përfshihen në shumë aktivitete në natyrë si shëtitje, zhytje, paragliding, turne me biçikletë dhe joga. Natën, bandat lokale luajnë këngët e tyre dhe stendat shesin enët tradicionale të përgatitura me produkte organike.
Festa e Breshkave
Turtle Fest është festivali më i madh veror në Shqipëri kushtuar muzikës elektronike që zhvillohet çdo korrik në plazhin mahnitës të Drimadhes, me siguri një nga më të mirët në Europë, afër fshatrave të Dhërmiut. Turtle Fest sjell së bashku disa nga DJ-të më të mirë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët luajnë muzikën e tyre përpara detit të bukur Jon.
Peza n’Fest
Çdo shtator, në fshatin e bukur të Pezës, i vendosur vetëm një orë nga Tirana, zhvillohet Peza n’Fest. Një festival i bukur muzikor që sinjalizon fundin e verës, me disa artistë të famshëm vendas dhe ndërkombëtarë që zbukurojnë skenën e tij vitet e fundit. Peza n’Fest është një rast i mirë për të zbuluar periferitë e Tiranës dhe për të vizituar pjesë më pak turistike të qytetit.
Zâ Festival
Thethi, vend magjik në Shqipëri, pret Festivalin Zâ çdo gusht. Është një ngjarje muzikore që bashkon këngëtarët më të mirë shqiptarë të momentit. Zâ është gjithashtu festivali i parë që i kushtohet tërësisht trashëgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare, dhe organizatorët nuk mund të kishin gjetur një vendndodhje më të mirë se Thethi i bukur, i njohur edhe si perla e Alpeve shqiptare.
Festivalin Nyou
Qershori është koha e muzikës xhaz në Tiranë! Nyou Festival është një festival muzikor kushtuar muzikës xhaz ballkanike dhe është pritur në amfiteatrin e rinovuar së fundmi në Tiranë, i vendosur në Grand Park, pranë liqenit të qetë artificial. Është një moment për të zbuluar artistët më të mirë të xhazit të Gadishullit Ballkanik dhe të shijoni një atmosferë të bukur në një nga vendet më të mira të kryeqytetit shqiptar.
Festivali Fustanella
Për traditën, folklorin dhe muzikën tipike shqiptare, shmangni bregdetin dhe Tiranën dhe shkoni në Gjirokastër, qyteti më i rëndësishëm kulturor në Shqipëri. Pasi të arrini këtu, merrni pjesë në Festivalin Fustanella, një nga festivalet më të mira tradicionale të Ballkanit, që zhvillohet në Kalanë mahnitëse të Gjirokastrës, një vend që duhet vizituar. Përgatituni të vallëzoni dhe këndoni këngë tradicionale shqiptare për tri ditë argëtuese.
Festa e Birrës në Korçë
Korça është shtëpia e birrës më të famshme në Shqipëri, Birra e Korçës, dhe çdo gusht i kushton kësaj pije një nga festivalet më të bukura të verës në Gadishullin Ballkanik, Festivalin e Birrës Korça. Ngjarja është një rast i mirë për të zbuluar një nga qytetet më të rëndësishme në Shqipëri, i cili shpesh anashkalohet nga turistët të tërhequr nga destinacionet më të famshëm në vend.
INSTAT: U shpenzuan 325 milionë euro për argëtim
Sipas INSTAT, artet, argëtimi dhe kultura kontribuuan me 3% në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë, nga 2.47% në 2015-n. Në vlerë absolute, shpenzimet për argëtim ishin 40.6 miliardë lekë, ose rreth 325 milionë euro (sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, mbështetur në vlerën totale të shtuar bruto, të raportuar nga INSTAT).
Në degën e ekonomisë art, argëtim dhe kulturë përfshihen një sërë aktivitetesh, shfaqjet artistike deri tek aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve, nga aktivitetet në muze dhe biblioteka te palestrat dhe aktivitetet e tjera çlodhëse. Pjesa më e madhe e kësaj shume të shpenzuar ka shkuar për lojërat e fatit (kompanitë kanë raportuar rreth 130 milionë euro në vit të ardhura), aktivitet ky që nga 1 janari i këtij viti është tashmë i ndaluar me ligj.
Vetëm në Tiranë, shpenzimet për argëtim llogariten në rreth 210 milionë euro në 2017-n, ose gati 60% e shumës që shpenzohet për këtë qëllim në të gjithë vendin. Edhe pse mbahen për “kurnacë”, kur vjen puna tek argëtimi gjirokastritët nuk e shtrëngojnë dorën. Kjo degë e ekonomisë zinte 3.2% në totalin e vlerës së shtuar të ekonomisë së qarkut. Pesha e kësaj dege të ekonomisë në Qarkun e Gjirokastrës shënoi rritje krahasuar me vitin 2015, ku zinte vetëm 2.6% të totalit të vlerës së shtuar.
Qarku i Korçës renditet i treti. Korça është shndërruar në vitet e fundit si destinacion kryesor i turizmit kulturor, me vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. Vlera e shtuar bruto nga kjo degë e ekonomisë në Qarkun e Korçës për 2017-n përllogaritet 2.9%. Aktiviteti në këtë degë të ekonomisë ka pasur tendencë rritëse edhe në Korçë, pasi në 2015-n vlera e shtuar bruto përllogaritej 2.4%.
Ndryshe nga qarqet e mësipërme, vlonjatët i kanë kufizuar qejfet në 2017-n. Vlera e shtuar bruto për këtë degë të ekonomisë shënoi 1.9% të totalit, nga 2.3% që ishte në 2015-n. Ndonëse Qarku i Vlorës është një zonë turistike e frekuentuar, njerëzit kanë mbledhur dorën me shpenzimet për art, argëtim dhe çlodhje.
Vendi i Vlorës është zëvendësuar nga Durrësi dhe Lezha, të dyja destinacione turistike. Në 2015-n, Durrësi renditej në vend të shtatë për sa i përket peshës së argëtimit në ekonominë totale të qarkut, ndërsa në 2017 kapërceu tre vende për t’u renditur i katërti. Qarqet me shpenzimet më të ulëta për argëtim janë Kukësi me 1.6%, Elbasani me 1.5%, Berati me 1.3% dhe Fieri me 0.9%.
/monitor.al/