Këshilli i Ministrave ka vendosur të rrisë pragun e notës mesatare për pranimin në universitetet shqiptare nga 6 në 6.5.
Ndërkohë një rritje prej 0.5 pikësh ka dhe mësuesia e cila kishte si dysheme notën mesatare 7 nga arsimi i mesëm.
“Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5 (gjashtë pikë pesë).
Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi duhet të jetë nota 7.5. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare”, përcaktohet në vendimin datë 10 maj 2019 të Këshillit të Ministrave.