Qytetarët e Tiranës do ta kenë më të lehtë pagesën e faturës së ujit në të gjitha bankat dhe agjencitë alternative të pagesave, përmes një procesi transparent në faturim, leximin e matësit përmes fotografisë dhe ndërveprimit të menjëhershëm me sistemin.
Kjo risi në kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve vjen si një lehtësim për shërbimin ndaj qytetarëve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, vlerësoi vendimin e qeverisë për të zgjatur edhe me një muaj afatin e vetëdisiplinimit të konsumatorëve familjarë, duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë.
Kryebashkiaku theksoi se ambicia është furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, brenda 5 viteve i qytetarëve dhe ofrimi i një shërbimi profesional ndaj tyre.
“Më vjen mirë që këtë vit do të kemi investime madhore, sidomos në zonën e Astirit, në Unazën e Re, ku patëm edhe krizën prej thatësirës, dhe pas atyre investimeve, do të vazhdojmë në nivel kapilar, për të mbajtur premtimin tonë, që brenda 5 viteve, të kemi një Tiranë me 24 orë ujë të pijshëm, jo me fjalë, por me investime. Sot, ky është një hap i parë, por jo i fundit, për të modernizuar totalisht ndërmarrjen tonë”, tha Veliaj.