Krahas ndërtimit të këndeve të lojërave, palestrave e ambienteve sportive nëpër shkolla, Bashkia e Tiranës promovon edhe nismën “Buka n’strajc”, e cila synon të nxisë të ushqyerit shëndetshëm për fëmijët.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, ka bërë apel prindërve që të përdorin sa më shumë ushqime të pasura me vitamina dhe kalori dhe sa më pak produkte të konservuara që nxisin sëmundjet e mbipeshës.
“Para 25 vitesh, problemi kryesor në Shqipëri ishte se s’kishim mjaftueshëm për të ngrënë. Problemi që kemi sot është se hamë më shumë se ç’duhet dhe oboziteti është sëmundja kryesore e fëmijëve. Ndaj, duam të nxisim prindërit me nisma të tilla, duke shkuar në çdo oborr shkolle, në pushim të madh, për t’u thënë: Mos i ushqeni më fëmijët me patatina, me pije të gazuara me shumë sheqer, por ushqimi i shëndetshëm, buka me vete, është mënyra më pak e kushtueshme, por edhe më shumë e shëndetshme për të pasur një Tiranë, e cila vlerëson shëndetin te fëmijët, që ushqehet me të gjitha kaloritë dhe nesër nuk rritet si klient spitalesh, por si një qytetar i shëndetshëm i Tiranës”, tha Veliaj.
“Gjenerata e re është në fakt paja e Tiranës. Në qoftë se ne i inkurajojmë fëmijët të hanë shëndetshëm, të hanë produkte organike, besoj se mund të kemi një qytet shumë herë më të mirë se qyteti që kemi sot”, shtoi Veliaj.