Nga Vatikani, Enkel Demi
Ende nuk dalë drita e diellit, por rrugët e Romës janë të mbushura plot nga pelegrinët, të cilët drejtohen në Sheshin “Shën Pjetër”. Janë të pazëshëm, veç ecin. Me një buzagaz si drita që nuk ka çel ende bëjnë përpara drejt atij sheshi, i cili është shndërruar në një kishë të madhe.
Besimtarët bëjnë përpara përshëndeten me sho-shoqin, megjithëse nuk njihen dhe vijnë nga tërë anët e kësaj bote. Dikush prej Shqipërie, dikush prej Indie, dikush ka ardh’ nga Shtetet e Bashkuara. Janë mbledhur të tërë nga çdo e qosh i rruzullit për të nderuar shenjten më të re, e cila ashtu e vogël, e gërrmuqur ka qenë e pranishme në jetën e gjithkujt.
Masat e sigurisë janë të rrepta. Vatikani është i rrethuar nga karabinierë, policë, roje të shumta, vullnetarë. Bëhen kontrolle të imëta. Mendohet të kalojnë në sitë mbi 100 mijë njerëz, por askush nuk ndjehet. Po shkojnë në kishë dhe për atje askush nuk shtyhet. Shtëpia e Atit ka vend për të tërë.
Janë të shumtë flamujt kombëtarë. Besimtarët prej Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, diasporës i has kudo. Janë padyshim krenarë, sepse kanë të njëjtën origjinë me shenjtoren. Sot, kanë përse ta mbajnë ballin lart si shqiptarë.
Ndoshta nuk janë aq shumë krenarë për ata që protokolli i përzgjedh në bash të vendit, për udhëheqësit e tyre, por ata duken shumë të vegjël në këtë Shesh, ku kremtohet shqiptarja e tyre.
Dikush prej Shkodre ka marrë me vete fotot e martirëve të kishës, ata që duke i vrarë lartësuan besimin.