Nga Artan Fuga
Unë e mbaj veten shumë liberal, kur flitet për jetën e njeriut dhe fatin e tij individual.
Në këtë pikëpamje Valdrini në Shkodër, i zgjedhur si kandidat për kryetar bashkie atje nuk ka ndonjë faj.
Sigurisht, nëse del i implikuar në trafiqe ilegale, ai e paska marrë dënimin e tij. Eh, sigurisht nuk është mirë ta shkelësh ligjin, aspak mirë. Por, ja që ndodh, jeta është e ndërlikuar. Gjithsesi në këto tre dekada jo pak shqiptarë brenda dhe jashtë vendit u implikuan në veprimtari fitimprurëse kriminale. U shpërndanë të braktisur si zogjtë e korbit nga foleja dhe ranë preh e gjithfarësoj kurthesh e tundimesh!
Nuk është fare puna këtu dhe ne si qytetarë nuk kemi asnjë lidhje me fatin personal të atij apo këtij njeriu.
Problemi vjen e bëhet interesant dhe i rëndësishëm në tre rrafshe të tjera.
I pari: Po mirë mo po kaq qimen e derrit paska pasur Partia Socialiste sa që nga milona shqiptarë shkon e kandidon një person me rekorde jo të përshtatshme (nëse vërtetohet) për kryetar bashkie në një qytet kaq të veçantë për të, sikurse është Shkodra, në një çast politik kaq delikat, kur votimet ishin krejt jodemokratike?
Se ligjet e statistikës nuk e pranojnë këtë. Duke u nisur edhe nga raste të tjera ka dy mundësi alternative më të besueshme: ose shkon gjen njerëz me të tilla rekorde, ndoshta edhe pse me një të kaluar të kapërcyer prej tyre vetë, për t’u bërë shantazh ose pasur ata nën kontroll; ose këta njerëz duke qenë hiperaktivë energjinë që dikur e kishin në një drejtim e çojnë tashmë në drejtimin politik.
E drejta e tyre, por komuniteti nuk e ka askujt për borxh këtë.
Por edhe kjo çështje këtu për mua mund të anashkalohet, sepse është e tipit social-psikologjik që kërkon investigime laboratorike. Mirëpo ka diçka tjetër shumë më të qartë.
Vijnë njerëz nga askundi dhe i imponohen në majat e hierarkisë ministrore, bashkiake, parlamentare, politike, partiake dhe pastaj plas skandali, sepse të kaluarën e tyre nuk ua njeh njeri. Ky është problemi. Sepse, nëse komuniteti ose militantët socialistë do të ishin konsultuar seriozisht ky problem nuk do të kishte dalë. Kandidatit do t’i ishte thënë: “Faleminderit për gadishmërinë tuaj, por na duhet dikush tjetër!”.
Ose funksionon një sistem informacioni që është krejt i rremë. Dhe dihet që kur sistemi i informacionit nga poshtë është i centralizuar, askush nuk është në gjendje të dijë se kush është kushi!
Historitë me platforma bashkëqeverisëse janë shakara të hidhura!
Ka mbaruar karriera në parti, karriera graduale, e besueshme, ku drejtuesit njihen me kujdes dhe në hollësi. Dhe më vjen ndërmend Aristoteli në traktatet e tija politika kur argumenton se një rregjim demokratik kërkon shërbimin nga qytetarët, nga ata që njeh, që kanë lidhje sociale sepse populli mbështet vetveten, kurse në shoqëritë oligarkike ose tiranike në pushtet kërkohen sa më shumë individë që ngrihen me sustë, vijnë nga jashtë, nga jashtë vendit ose komunitetit, sepse ata nuk duhet të influencohen nga qytetarët dhe as të mos jenë në lidhje sociale me ta.
Këtu është problemi. Pushtetarët lokalë nuk na përfaqësojnë ne qytetarët sepse ata emërohen nga larg dhe zgjidhen pikërisht ata që janë sa më larg nesh për të qenë të influencueshëm nga hierarkia e partisë dhe jo nga masa e qytetarëve.
Problemi i dytë: Opozita ka një rast të artë në Shkodër. Të hyjë në zgjedhje dhe t’i fitojë. Unë e kam mirëkuptuar në strategjinë politike globale në çfarë kërkon, por nëse në Shkodër do të kishte zgjedhje, atje është për të hyrë pa hezitim qoftë edhe me këtë kod zgjedhor. Përndryshe jam i bindur që qytetarët e Shkodrës do të fyeheshin. Mua këtu më intereson interesi qytetar në këtë konjukturë dhe jo një politikë e ngurtë partiake.
Së treti edhe Presidentit Meta i ka ardhur rasti në dorë. Zgjedhje? Ai nuk ka nevojë për një dekret të dytë: Ja ku e keni datën do të thotë ai, 13 tetorin.
Dhe pas kësaj nuk di se çfarë do të na duhej më në këtë rast Gjykata Kushtetuese dhe komisioni hetimor parlamentar që më kujton një gjyq inkuizicioni mesjetar.