Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile po punojnë me ritëm të shpejtë për të evakuuar banorët dhe gjënë e gjallë në fshatin Ferras në Fier, të cilët rrezikohen nga përmbytja, pasi niveli i ujit ka arritur lartësinë maksimale të argjinaturës dhe rrezikon ta tejkalojë atë.
Një i moshuar i sëmurë është evakuuar nga banesa e përmbytur në Ferras, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë dhe ekipit mjekësor, të cilët e transportuan drejt Spitalit Rajonal Fier.
Situata vijon të jetë e tensionuar në zonë, pasi niveli i ujit ka arritur pranë kufirit maksimal të argjinaturës. Për të shmangur çdo rrezik përmbytjeje, strukturat përgjegjëse dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë me vendosjen e thasëve me rërë përgjatë argjinaturës, duke forcuar pikat më problematike.
Ekipet e ushtrisë kanë ndihmuar banorët në evakuimin e gjësë së gjallë aty ku është kërkuar ndihmë, si në rastin e një pularie në Ferras. Ndërkohë, komisioni i emergjencave ka marrë të gjitha masat për sistemimin e konviktit të shkollës bujqësore “Rakip Kryeziu” për strehimin e banorëve që mund të evakuohen, si dhe janë vënë në dispozicion autobusë për transportin e tyre.
Ministri Vëngu, në një prononcim për mediat, ka pohuar se procesi i evakuimit të banorëve në Ferras është drejt përfundimit. Është zbatuar me vonesë për shkak të refuzimit të tyre për t’u larguar, ndërkohë që situata do të mbetet në monitorim të plotë, pasi edhe dita e shtunë parashikohet me reshje intensive.

gijotina.com/










