Detaje të reja janë bërë publike lidhur me gjendjen shëndetësore të efektivit të Policisë nga Korça Edison Adri, i cili ndodhet i shtruar prej disa ditësh në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, pasi u plagos gjatë operacionit në Maliq.
Sipas informacionit të dhënë nga Spitali, efektivi vijon të mbahet në terapi intensive, ndërsa mjekët raportojnë stabilizim të parametrave jetësorë dhe shenja të vazhdueshme përmirësimi.
“Gjendja shëndetësore e efektivit të Policisë, i ardhur nga Korça dhe i shtruar pak ditë më parë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), vijon të jetë i intubuar, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
Ekipi mjekësor i SUT-së do të vijojë ndjekjen në dinamikë të gjendjes shëndetësore të efektivit të Policisë dhe do të informojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Spitalit të Traumës.
Efektivi i Policisë, Edison Adri, mbeti i plagosur gjatë operacionit të zhvilluar në Lozhan të Maliqit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë aksionit, Braçellari hapi zjarr ndaj forcave të policisë, duke lënë të vrarë efektivin e “Shqiponjave”, Enea Mekolli.










