Dy net më parë, Fatjon Murati u shoqërua dhe më pas u prangos në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kjo pasi gjurma e tij e gishtit ishin gjetur në një prej dhjetra armëve që u gjetën në dy depot e zbuluara gjatë operacionit “Ruger”, i cili çoi në pranga Kristian Gjinin dhe Françeska Kolgjeja.
Policia e Tiranës shoqëroi mbrëmjen e së shtunës, Endrit Doklen, Gentjan Reçin dhe Fatjon Muratin, të cilët u kapën teksa lëviznin në Tiranë me një automjet të blinduar. Dokle dhe Reçi pasi dhanë shpjegimet e kërkuara nga Policia u lanë të lirë, ndërsa Fatjon Murati ndodhet në burg për akuzat për armëmbajtje pa leje. Ai dyshohej se ishte bashkëpunëtor i Kristian Gjinit, i cili u arrestua në korrik të këtij pas zbulimit të një arsenali armësh në kryeqytet.
Sipas dëshmisë së siguruar nga Ora News, Fatjon Murati ka mohuar të ketë lidhje me arsenalin e armëve të gjetura. Ai ka thënë se armët nuk janë të tij dhe nuk ka dijeni se si gjurma e gishtit të tij ndodhej në një prej kutive të pistoletave, duke dhënë edhe një version të tijin.
“…armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…,”- tha ai. Ndërkohë që Murati gjithashtu ishte shpallur në kërkim për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën e Fushë Krujës, ku mbetën të vdekur tre persona, mes tyre edhe Brilant Martinaj.
Armët e gjetura në depot në Tiranë ndërkohë janë dërguar për verifikime në laborator, për të mësuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale, apo nëse kanë shenja të tjera gishtash.