Policia italiane ka identifikuar trupin e pajetë të gjetur më datën 7 qershor në brigjet e lumit Po, pikërisht në zonën “Isola Serafino”.
Ajo është shqiptarja 40 vjeçare Ladine Kruja, me profesionin kujdestare për të moshuarit e rezidente prej disa vitesh në komunën Mirandolo Terme në provincën e Pavias. Trupi i shqiptares Ladine Kruja u gjet nga disa punëtorë gjatë procesit të pastrimit të ujërave të lumit Po. Viktima është identifikuar nga e motra me anë të disa fotografive të kufomës e objekteve personale si një varëse me zemër e një palë vathë. Autopsia e trupit ka vërtetuar hipotezën e një vdekje të shkaktuar nga dhuna, por autorësia e këtij krimi mbetet ende një mister. Shqiptarja Ladine Kruja ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Zhdukja e saj ishte denoncuar që në fund të muajit maj nga e motra e saj. Makina e Ladine Krujës u gjet e braktisur ditë më parë në rrugën pranë lumit Po në zonën Orio Litta.
Policia italiane vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.