Zinedine Zidane ka hyrë në historinë e futbollit botëror si trajneri i parë që fiton tri herë rresht trofeun e Champions League, sikurse edhe për faktin që vendosi të largohej nga ekipi me të cilin regjistroi këtë sukses të jashtëzakonshëm pa i dhënë mundësi vetes të mbronte titullin.
Tashmë ish-trajneri i Realit të Madridit ka shpjeguar në një intervistë të dhënë për “Uefa.com” sekretin që e çoi drejt triumfit të paprecedentë në kompeticionin më prestigjioz për klube, atë të trofeut me “veshë të mëdhenj”.
“Gjithnjë i kam mbetur besnik filozofisë sime të futbollit, të cilën u përpoqa t’ua transmetoj lojtarëve të mi, pavarësisht kundërshtarit që kishim përballë”, thotë trajneri francez.
“Zizou” është po aq krenar për të gjitha triumfet; i pari që erdhi në vitin e debutimit, i dyti pas një superperformance kundër Juventusit në Cardiff, dhe i treti për shkak të kulmit të përvojës madrilene.
Megjithatë, sezoni i kaluar shënoi edhe një statistikë negative, sipas së cilës “Los Blancos”-it humbën edhe më shumë pikë në ndeshjet e luajtura në “Bernabeu”.
“Shpesh pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në transfertë na humbiste përqëndrimi në ndeshjet në shtëpi. Gjithsesi, skuadra nuk u përfshi kurrë nga paniku. Me ata ishte gjithçka e lehtë, sepse kishin cilësi të jashtëzakonshme. Unë thjesht duhet t’i ndihmoja të ruanin qetësinë”, shpjegon Zidane.
Veçohen mbi të gjitha ndeshja në “Bernabeu” kundër Juventusit, e cilësuar si “rasti tipik kur ne menduam se kualifikimi ishte arritur”, ndërkohë që humbja në grupe me Tottenhamin “na ndihmoi të ishim edhe më të fortë” derisa mbërritëm në finalen e Kievit.
Në kryeqytetin ukrainas, formacioni titullar ishte i njëjti që luajti edhe në finalen e Cardiffit, por me një taktikë të ndryshme.
“I kërkova Iscos të qëndronte sa më lart nga linja e mesfushorëve të tjerë, ndërsa Marcelos i kërkova të shtynte sa më shumë përpara nga krahu, pasi Ramosit i kisha siguruar mbështetje”, rrëfen Zidane. “Sigurisht që eksperienca është fundamentale në të tilla nivele për të marrë vendimet e duhura”.
Presingu në sulm i Modriç dhe Kroos, përfshirja e Casemiros në qendër dhe zotërimi i topit ishin çelësat e suksesit të mesfushës madrilene, por nuk duhet harruar karizma e lojtarëve të tillë si Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo.
“Sergio është një lider natyral në fushë dhe jashtë saj. Cristiano është i aftë të frymëzojë të gjithë shokët e skuadrës me atë që bën në fushë”, shpjegon Zidane. Por, leksioni më i madh i asimiluar nga Zidane ishte “t’i detyroja lojtarët e mi të ruanin qetësinë. Ishte pikërisht ajo që kam pasur më shumë nevojë kur luaja vet, ndaj përpiqesha t’ua transmetoja edhe atyre”.