Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën dhe mbarë opinionin publik, pasi 27-vjeçarja për të cilën u bë thirrje urgjente për ndihmë vetëm pak orë më parë, ka ndërruar jetë.
E reja kishte sjellë në jetë binjake, por pas lindjes kishte pësuar hemorragji të rëndë, çka e kishte futur në gjendje kritike shëndetësore. Për këtë arsye, familjarët dhe institucionet përkatëse bënë apel publik për ndihmë të menjëhershme.
Thirrja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe media, duke sjellë reagim të madh nga qytetarët që u mobilizuan për ta ndihmuar.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe solidaritetit të qytetarëve, 27-vjeçarja nuk arriti t’i mbijetojë gjendjes së rëndë.
Ngjarja ka prekur thellë shumë qytetarë, ndërsa familjarët po përballen me dhimbjen e madhe të humbjes në një moment që duhej të ishte gëzim për ardhjen në jetë të dy foshnjave.










