Sot do të nisë identifikimi i viktimave të aksidentit fatal të trenave në Greqi. Mediat greke raportojnë familjarët e tyre janë duke pritur në dyert e spitalit rajonal të Larisë për të marrë lajmet e hidhura.
Sakaq, numri tragjik i të vdekurve nga aksidenti fatal me përplasjen e trenave në Larisa është vazhdimisht në rritje pasi sipas informacioneve të fundit zyrtare nga Zjarrfikësja, numri i të vdekurve ka shkuar në 47.
Siç njoftoi përfaqësuesi i Zjarrfikësve në konferencën zyrtare që u zhvillua pak para orës 11:00 të së enjtes, ekipet e shpëtimit gjetën shtatë trupa të djegur nga makina e restorantit të trenit fatal të pasagjerëve ‘Intercity 62’. Gjatë operacionit, prerjet bëhen me makineri speciale në kushte të vështira.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës së të martës në Greqi. Një tren me 350 pasagjerë që po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut u përplas me një tren mallrash. Shkak për shpërthimin e zjarrit dyshohet se është bërë prerja e një kablli elektrik në njërën prej vagonët të trenit me pasagjerë që në momentin e përplasjes ka rezultuar fatal.