Dorëzim pa kushte në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë për Kastriotin. Tirana shkatërron krutanët 4-1 ndryshe nga ndeshja e pak ditëve më parë për llogari të kampionatit ku kaloi me vështirësi me një gol në minutën e 10 shtesë.
Këtë herë bardheblutë e kthyen në një stërvitore, duke përfituar ndoshta edhe nga mungesa e interesit që shfaqi skuadra e Emiljano Çelës për të harxhuar energji në një kompeticion që nuk e ka aspak objektiv.
Braziliani Patrik po rezulton njeriu i Kupës për Tiranë pasi shënon dy gola edhe në Kamëz pas tre të tjerëve të regjistruar në fazën paraardhëse me Lushnjen. Ishin Berisha e Nikqi që shtuan dy gola të tjerë ndërsa në krahun tjetër, Selmani realizoi golin e “flamurit” për Kastriotin që është me një këmbë jashtë Kupës duke e çuar Tiranën mes 4 më të mirave të këtij sezoni.
Në sfidën tjetër, atë të luajtur në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Laçit mbetet gjithçka e hapur. Asnjë gol i shënuar në një ndeshje të fortë. Kjo po rezulton me një përballje të ngjashme me atë të sezonit të kaluar ku dy skuadrat u ndeshën në çerekfinale dhe Laçi kaloi për më tej pas dy barazimeve që kulmuan me “lotarinë” e 11-metërshave.
Nesër do të luhen dy ndeshjet e tjera, Teuta-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani.