18-vjeçarja Martina Pajollari u la në burg pasi është e dyshuar si bashkëpunëtore për vrasjen e Martin Çeços, me të cilin ajo mbante një lidhje paralele. Në seancën e sotme ajo është njohur me masën e sigurisë dhe para togave të zeza ka mohuar gjithçka lidhur me vrasjen e Martin Çeços.
Pajollari është shprehur në seancë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Madje ajo ka shkuar më tej kur tha se gjithçka ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e Policisë.
Dyshohet se Martina ka qenë arsyeja e konfliktit mes viktimës dhe autorit kryesor Valter Mollaj. Thuhet se ajo mbante lidhje të dyfishtë, ndërsa në sy të Valterit shprehej se Martini e detyronte për të qëndruar me të, gjë që nuk rezulton e vërtetë.
Po ashtu, dyshohet se Pajollari ka qenë prezente në momentin që Valteri me 2 të arrestuarit e tjerë bënin planin për vrasjen e Martinit. Ndërsa sipas informacioneve ajo ka qenë po ashtu prezente në momentin që u krye vrasja. Këto janë detaje që janë mundur të zbulohen gjatë hetimeve, duke hedhur dritë më tepër mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në qershor.