Avokati Maks Haxhia ka njoftuar se do të kërkojë ndjekje disiplinore për avokatët që kanë thyer bojkotin, si shenjë protestë për hartën e re gjyqësore.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë pak kohë më parë njoftoi bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore në shenjë protestë ndaj hartës së re gjyqësore. Ndër të tjera, këshilli i Përgjithshëm i dhomës së Avokatisë vendosi se moszbatimi i këtij vendimi “ do të ketë pasoja të rënda dhe procedimin disiplinar të atyre që thyejnë këtë vendim”.
Avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore prej kohësh ndërsa në mesin e tyre ka patur edhe “rebelë” që kanë vijuar punën rregullisht.
13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit, i cili ka krijuar debate në shoqërinë civile.