Pas dështimit për të fituar titullin kampion dhe rrezikut për të mbetur jashtë Ligës së Kampionëve, drejtuesit e Milanit po përgatisin ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të klubit.
Pronari Gerry Cardinale duket i vendosur për një riorganizim të thellë, ndërsa largimi i drejtorit sportiv Igli Tare konsiderohet pothuajse i sigurt. Në vend të tij, emri më i përfolur është Tony D’Amico, aktualisht pjesë e Atalantës.
Sipas mediave italiane, Cardinale ka zhvilluar të enjten një takim në Londër me administratorin Giorgio Furlani, Zlatan Ibrahimovic, anëtarin e bordit Massimo Calvelli dhe drejtoreshën e markës Francesca Montini, ku janë diskutuar skenarët për të ardhmen e klubit.
Burime pranë Milanit bëjnë me dije se edhe pozicioni i Furlanit është nën vlerësim, ndërsa Massimo Calvelli mund të marrë një rol më të rëndësishëm në drejtimin administrativ të klubit kuqezi.
Ndryshime priten edhe për Zlatan Ibrahimovic, roli i të cilit mund të orientohet drejt një funksioni më strategjik. Edhe pse gjatë këtij sezoni ka qenë më pak në qendër të vëmendjes, suedezi vazhdon të konsiderohet një nga njerëzit më të afërt dhe më të besuar të Cardinale.
Vendimet përfundimtare pritet të merren pas mbylljes së sezonit, por lëvizjet e fundit tregojnë se Milani po përgatitet për një transformim të rëndësishëm në nivel drejtues, me synimin për t’u rikthyer mes klubeve elitare të Europës.










