Europa Nostra – Zëri Europian i shoqërisë civile të angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore – dhe organizata partnere e saj, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, kanë shpallur sot 7 Monumentet dhe Vendndodhjet e Trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2020:
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë, SHQIPËRI
Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, përballet me rrezikun e afërt të shembjes.
Kështjella Jezeří, Horní Jiřetín, REPUBLIKA ÇEKE
Kështjellë baroke, e cila ishte skena e shfaqjes së parë private të Simfonisë së 3-të të Bethovenit në vitin 1804, është në stad të përparuar degradimi.
Kështjella e Sammezzanos, Toskanë, ITALI
Ndërtesë historike tërheqëse me bukuri të stilit eklektik, tipike për modën Orientaliste të fundit të shekullit të 19-të, ka rënë viktimë e lënies pas dore dhe vandalizmit.
Blloku Y, Lagjja Qeveritare, Oslo, NORVEGJI
Ndërtesë Moderniste e viteve 1960, ku shquhen murale ikonike të Pikasos, u dëmtua nga sulmi terrorist në vitin 2011 dhe është caktuar tani të shembet.
Centrali elektrik Szombierki, Bytom, POLONI
Central elektrik Modernist i viteve 1920, kërcënohet nga rreziku i shembjes, në kundërshtim me disa përpjekje që bëhen për ta kthyer këtë vendndodhjen në çerdhe për industritë krijuese.
Fortesa e Beogradit dhe Rrethinat e saj, SERBI
Autenticiteti dhe integriteti i një fortese mbresëlënëse – përfshirë në Listën Paraprake të UNESCO-s si pjesë e vendndodhjes më të madhe transnacionale mbareuropiane të trashëgimisë botërore, Kufijve të Perandorisë Romake – kërcënohet nga një projekt i dëmshëm teleferiku.
Stadiumi Pleçnik, Ljubljanë, SLLOVENI
Një nga ndërtesat më të hershme të këtij lloji në Europë, ndërtuar në vitin 1925, projektuar nga arkiteti i mirënjohur Jože Plečnik, është në rrezik që të humbë për shkak të zhvillimit të papërshtatshëm.
Ekspertë, që përfaqësojnë Europa Nostra-n dhe Institutin e Bankës Europiane të Investimeve, së bashku me organizatat nominuese dhe partnerë të tjerë, do të vizitojnë vendndodhjet e përzgjedhura dhe do të takohen me palët kyçe të interesuara. Ekipe shumëdisiplinore do të japin këshillim ekspertësh, do të identifikojnë burimet e mundshme të financimit dhe do të ndihmojnë në mobilizimin e një mbështetjeje të gjerë për të shpëtuar këto pika referimi të trashëgimisë. Ata do të formulojnë dhe do të komunikojnë gjerësisht një tërësi të kompletuar rekomandimesh për veprim.
Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, deklaroi: “Lista e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara 2020 mbulon një shumëllojshmëri vendndodhjesh të trashëgimisë, që po përballen me lloje të ndryshme kërcënimesh serioze. Të gjitha këto thesare të trashëgimisë tregojnë një histori europiane që është pjesë e kulturës dhe historisë sonë të përbashkët. Duke i vendosur ato në listën tonë ne u dërgojmë komuniteteve dhe aktivistëve përkatës një mesazh të fuqishëm solidariteti: përpjekjet tuaja për të shpëtuar këto vendndodhje mbështeten nga lëvizja jonë e gjerë e trashëgimisë europiane.”
Dekani i Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Francisco de Paula Coelho, tha: “Edhe një herë, Instituti i BEI është krenar që mbështet programin 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara. Duke i fokusuar këto vendndodhje në qendër të vëmendjes, programi 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara luan një rol kritik në mbrojtjen e aseteve më të mëdha që ka Europa: diversiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore.”
Nominimet u paraqitën nga organizma të shoqërisë civile ose ente shtetërore që janë pjesë e rrjetit të Europa Nostra, i cili përfshin organizata anëtare dhe të asociuara nga gjithë Europa. 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara për vitin 2020 i përzgjodhi Bordi i Europa Nostra-s mes siteve të listës me 14 vendndodhje të përzgjedhura më parë nga një panel ekspertësh. Përzgjedhja u bë në bazë të domethënies së jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilës prej vendndodhjeve, si edhe në bazë të rrezikut të afërt që u kanoset. Shkalla e përkushtimit të komuniteteve lokale dhe përpjekjet e palëve të interesuara shtetërore dhe private për të shpëtuar këto vendndodhje u konsideruan si vlera të shtuara vendimtare. Një kriter tjetër përzgjedhës ishte potenciali i këtyre vendndodhjeve për të vepruar si katalizator për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në lokalitetet e tyre dhe më gjerë, në rajonet përkatëse.
Programi 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara drejtohet nga Europa Nostra në partneritet me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve. Ai ka gjithashtu mbështetjen e Programit Europa Krijuese (Creative Europe) të Bashkimit Europian. I nisur në vitin 2013, programi është pjesë e një fushate të shoqërisë civile për të shpëtuar trashëgiminë e rrezikuar të Europës. Ai rrit ndërgjegjësimin, përgatit vlerësime të pavarura dhe propozon rekomandime për veprim. Ndërkohë që nuk garanton financim drejtpërdrejtë, listimi i një vendndodhjeje të rrezikuar shpesh shërben si katalizator dhe nxitje për mobilizimin e mbështetjes së nevojshme publike ose private, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare. Mund të lexoni këtu për impaktin pozitiv të programit bazuar në disa nga “historitë e suksesit” të tij.
Ashtu si dhe për vitin 2020, ky program do të zhvillohet në bazë vjetore. Thirrja për Nominim për programin 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara 2021 do të publikohet në Qershor 2020.
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë, SHQIPËRI
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që është një nga qendrat më të spikatura kulturore në Shqipëri, njëkohësisht dhe një hapësirë e rëndësishme shoqërore e publike e kryeqytetit Tiranë, përballet tani me kërcënimin e prishjes së menjëhershme.
I ndërtuar në vitet 1938-39, Teatri është një shembull i shquar i arkitekturës moderne italiane të asaj periudhe dhe pjesë përbërëse urbane e boshtit qendror monumental të qytetit. Teknika e ndërtimit, e bazuar në përdorimin e paneleve të parafabrikuara me fibër druri të çimentuar, ishte pjesë e lëvizjes Autarkike në Itali dhe konsiderohet novatore për kohën e saj.
Europa Nostra tashmë ka shprehur publikisht shqetësimet e saj të sinqerta në lidhje me vendimin për të zëvendësuar Teatrin me një ndërtesë të re bashkëkohore. Planet për ta shëmbur atë janë përballur me protesta popullore të zhvilluara rregullisht përpara Teatrit, të mbështetura edhe nga ekspertë, të cilët po nxisin shfrytëzimin e plotë të potencialit ekzistues të Teatrit për pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Tiranës. Megjithë përpjekjet e mbështetësve të ruajtjes së Teatrit të organizuar në “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, autoritetet në Shqipëri janë të vendosura ta shembin ndërtesën dhe ta zëvendësojnë atë me një strukturë moderne.
Nominimi i Teatrit Kombëtar nga Fondacioni “Gjirokastra” është pjesë e kësaj fushate të gjerë të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën. Teatri mund të ruhet dhe përmbajtja e tij artistike dhe shoqërore të rivendoset, kështu ai do të mund të bëhet një simbol për qytetin e Tiranës, në festën e 100 vjetorit të saj si kryeqytet.
Informacion mbështetës
Europa Nostra është Zëri Europian i shoqërisë civile i angazhuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore europiane. Një federatë mbareuropiane e OJQ-ve të trashëgimisë, mbështetur nga një rrjet i gjerë organizmash shtetërore, kompanish private dhe individësh, ajo mbulon mbi 40 vende. Themeluar në vitin 1963, ajo sot është rrjeti më përfaqësues i trashëgimisë në Europë.
Europa Nostra lobon për shpëtimin e monumente të rrezikuara, vendndodhjeve dhe peizazheve të Europës, veçanërisht përmes programit 7 Vendndodhjet më të Rrezikuara. Ajo vlerëson ekselencën me Çmimet e Trashëgimisë Europiane / Çmimet e Europa Nostra. Europa Nostra kontribuon në formulimin dhe zbatimin e strategjive dhe politikave europiane për trashëgiminë, përmes një dialogu pjesëmarrës me institucione europiane dhe koordinimin e Aleancës Europiane të Trashëgimisë 3.3. Europa Nostra ishte një nga nxitëset dhe organizatoret e Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018.
Instituti i Bankës Europiane të Investimeve (I-BEI) u krijua brenda grupit BEI (Banka Europiane e Investimeve dhe Fondi Europian i Investimeve) për të promovuar dhe mbështetur nismat sociale, kulturore dhe akademike me palë të interesuara europiane dhe publikun e gjerë. Ēshtë shtyllë mbështetëse e komunitetit të grupit BEI dhe angazhimit qytetar.
Creative Europe – Europa Krijuese është programi i BE-së që mbështet sektorët kulturorë dhe krijues, duke u mundësuar që të rrisin kontributin e tyre në drejtim të punësimit dhe zhvillimit. Me një buxhet prej 1.46 miliard euro për periudhën 2014-2020, ajo mbështet organizatat në fushat e trashëgimisë, arteve performuese, arteve të bukura, arteve ndërdisiplinore, publikimit, filmit, televizionit, muzikës dhe videolojërave, si edhe dhjetëramijëra artistë dhe profesionistë të kulturës dhe fushës audiovizuale. Financimi u mundëson atyre të veprojnë në mbarë Europën, duke arritur audienca të reja dhe duke zhvilluar aftësitë që kërkon epoka digjitale./www.europanostra.org/