Nga Raimonda Shundi Dervishi
Përdhunimi dhe torturimi i vajzës nga Nikla –> provë e veprimit të pushtetit mafioz. Mbrohen kriminelët nga bekimi i Edi Ramës àdhunojnë sërisht viktimën. Si nëna, gra e vajza koha të reagojmë fort për largimin e pushtetit çnjerëzor dhunues.
Të reagojmë sot, sepse nesër do të jetë vonë! Të gjithë jemi viktimë në një sistem të rrënuar. Të gjithë duam të shpëtojmë nga reja e mjerimit, dhunës dhe pasigurisë, sepse është e drejta e të gjithëve ne për të jetuar mirë dhe të lirë. Por faktet tregojnë se Shqiptarët po luftojnë hidhësinë e rrënimit, po qajnë pa zë dhe po ikin, për të zëvendësuar sado pak dhimbjen e tradhëtisë prej të besuarve tanë pushtetarë.
Populli ynë nuk ndjen më se ka një ligj në fuqi, një forcë ku të mbështetet, sepse e vërteta e shpirtit ka kohë që nuk është e vërteta e ligjit. Çdo ditë grupe të organizuara njerëzish kanë detyrë kryesore ngjyrimin e çdo fjale dhe mendimi. Lëvizin në çdo fushë të mundshme me fruçë në dorë në pritje për të lyer cepat e ngjyrës së vërtetë. Nuk ka më liri mendimi, ka vetëm mendim të përlyer.
Të gjithë kemi nevojë për siguri për të jetuar. Aq të dëshpëruar bëhemi, sa do të kapeshim edhe pas çdo shkopi të kalbur. Lisat e ullishtet tona kanë marrë flakë e po shkrumbohen, ndërsa këto që po zaptojnë rrugët e trotuaret, nuk vijnë si dhuratë, por si lëmoshë, për të hedhur hije mbi dritën e së vërtetës, për të lyer cepat e mbetura me hidhësinë e ëmbël të mashtrimit.
Ky është mjerimi I vërtetë. Në një shtet ku të gjithë e dinë të vërtetën, por e ruajnë thellë për të mos e përlyer edhe atë pak në çmendurinë e më të fortëve. E kush janë më të fortët? Jam e sigurt se të gjithë e dimë, por emrat ndjellin frikë të shqiptohen. Kemi frikë, sepse po të pranojmë edhe neverinë që na ngrihet, do të na bënte më shumë dëm. Ne kthejmë kokën ndaj dhunës që ushtrohet përpara syve. Grupi I specializuar I bojaxhinjve të shtetit ka kovën gati për të lyer me mashtrim.
Nuk mund të ketë kurrë mashtrime të shëmtuara sepse ato janë të veshura me ngjyrat më të bukura.
Kurse ata që kërkojnë të vërtetën, ata që guxojnë të largojnë dehjen vrastare, mjaftojnë të shkojnë pak më tutje, ku pemët e reja nuk kanë arritur ende të mbillen.
Përse duhet të fshihen gratë e vajzat tona ende? Sepse ato, ne, mund të shohim më mirë përtej mashtrimit. Neve na duhet të përballemi më shpesh me gjaknxehtësinë e burrave pa dinjitet dhe moral, dhe duhet të ulim kokën për të mos përfunduar në greminën e fundit. Por nuk e dinë ata burra, që në atë greminë po bie e gjithë Shqipëria, dhe se nuk do të ketë kurrë asnjë shtet të ëndrrave të tyre pa e parë errësirën në fund? Atë errësirë që sa shumë vajza kanë parë e shohin, atë errësirë që asnjë ngjyrën nuk mund ta përlyejë. Ajo është ngjyra e së vërtetës sonë. Është ngjyra lejla në trupin e vajzave, dhe ngjyra e murrme e gjakut të tharë në fytyrën e djemve. Mjerimi.
Me premtime boshe do të vazhdojmë të jetojmë në Shqipërinë që nuk ekziston. Por duhet t’I besojmë së vërtetës që prekim vetë dhe që na vjen e rëndohet mbi shpinë. Ata që na shohin nga lart me duar në rovole, s’mund të jenë kurrë pjesë e zgjidhjes. Ata kanë më shumë frikë se ne, sepse kanë kaq shumë për të fshehur. Kaq shumë helm gëlltisin për të mos lejuar çmendurinë tu dalë në shesh, helm të cilin na e shesin edhe neve. Shqipëria është e mbushur me helme të tilla, dhe ne kemi vazhduar të bëhemi tregtarë helmesh, në vend që të pranojmë frikën e zgjedhjeve të gabuara. Mjerimi ka pasoja të tilla, që na mban pjesë të tij, gati për tu hedhur pas gënjeshtrës me ngjyrën më të fortë. Ashtu siç edhe vajzave të varfëra u premtohet shpëtimi në kembim të jetës së tyre. Nuk ka shpëtim në gënjeshtër. Le të mos përzihemi me vetë-vrasësit e t’i lëmë të vazhdojnë rrugën e tyre të rrënimit. Ne duhe të zgjedhim të ecim me hapat tona, të ngadalta, jashtë dhimbjes, drejt zhvillimit të vërtetë. Sepse forca nuk tregohet me dhunë, por me humanizëm e maturi.
Shqipërisë dhe Shqiptarëve u vlon ende gjaku I trimërisë dhe revolucionit. Forca dhe shpresa nuk kanë vdekur as me varrin e të tanëve, dhe kurrsesi nuk kanë për tu përkulur për hir të të marrëve. Ne kemi duruar vite të tëra pushtimesh e sulmesh, prapë si malet në dhè jemi ngulur. Edhe këto vite mjerimi po i durojmë me të njëjtin stoicizëm, por ka ardhur një kohë që stoicizmi ynë i pa-gojë po na kthehet kundër. Sepse viktimat sa vinë e shtohen në anët tona. Vërtetë, sistemi i rrënuar u jep ushqim të rrënuarve, por ne nuk mund të tolerojmë më të na marrin edhe ne me vete. Sepse kur Shqiptarët duan të flasin, kur gratë kanë përtypur lotët dhe kur burrat e vërtetë kanë dëgjuar mjaftueshëm, nuk ka më vend për siguri të shtirë bojë-mallkimi. Është koha për diçka të vërtetë. Është koha për drejtësi!