Gjatë mitingut të parë për zgjedhjet e 18 qershorit të Partisë Socialiste, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh se Edi Rama do jetë kryeministër edhe pas 18 qershorit.
Përpara të rinjve të cilët votojnë për herë të parë, Tahiri paralajmëroi një fushatë intensive derë më derë për të kërkuar votën e qytetarëve.
“S’duam Shqipëri të shkatërruar, nuk duam një qeveri që punon për vetë, por një qeveri që punon për shqiptarët. S’duam një km që mendon për familjen e tij, por një kryeministër që mendon për çdo familje në Shqipëri.
Ata duan të na bëjnë të dukemi një lloj. Mua më bëjnë trafikant droge, Edi Rama ashtu, ambasadori i SHBA, BE, mafiozë, por s’kanë kuptuar se populli i kupton dhe e di se ata janë e shkuara dhe nuk mbajnë peng të ardhmen, ndaj fitorja është në dorën tuaj. Jepini dorën njëri-tjetrit për Shqipërinë që duam.
Lloj-lloj mediokri mund të qeverisë nesër nëse ju e lini vendin bosh, nëse ju nuk ngulni këmbë për Shqipërinë që duam. Të shkojmë dhe të trokasim në çdo fshat, në çdo shtet, nuk ka rëndësi kutia e Tv, ka rëndësi dita e zgjedhjeve. S’ka rëndësi ç’a thonë ata në çadër, por çfarë duan njerëzit. Ka rëndësi Shqipëria sot dhe Shqipëria që duam ne. Ka rëndësi Shqipëria!
Në PS, ne flasim, bisedojmë për të gjetur rrugën e duhur. Sot ka rëndësi të bëjmë shtet dhe të mos lëmë të shkatërrohet ajo që është ndërtuar.
Në 18 qershor ka dy rrugë, ose Shqipëria futet në çadër, ose Shqipëria do të fitojë.
Në 18 qershor do mbyllin për herë të parë kapitullin e shkuar, të Shqipërisë së shkatërruar, kryeministri ynë sot, kryeministri ynë nesër do jetë Edi Rama“, u shpreh Tahiri.