Nga Ilir Seci
E pamë të tanë Rigerta Lokun tue folë në parlament. Fjalë në tokë nuk i ra apo jo?! Mirëpo për habi fjala e saj në vend që me i ba njerëzit me mendue, ua shtini dreqnit ma zi. Reagimi i opinionit të gjanë mbas fjalës së Rigertës, në fakt meriton studim.
Pse tanë ky kacagjelim publik fill mbas fjalës së saj?! Iu turrën me sulme, me fyemje, ia gjurmuen rranjët e familjes, ia analizuan të thanat e të pathanàt, ia numruen deri edhe kakërdhitë e dhive që mban në vathën e saj në Mirditë. Njerëzit mosbesues ndaj parlamentit nxituen me thanë: “Ishte lojë e Rilindjes”, “Rigertën e thirren si aktore”, “Fjalimin ia shkruan”, e plot të tjera. Rrjetet sociale dhe mediet u përmbytën totalisht, banë me dalë nga shtrati lumi i ndotun i akuzave, fyemjeve, poshtërimeve të përditshme. E sulmuen gazetarë dhe gazetare, të cilëve ua asht ba profesioni palestër duke u ba fresk politikanëve të Establishmentit të sotëm… Bjerini Rigertës! Asht tabelë qitje e kollajtë!
Shumica e panë fjalën e saj si nji inskenim të Rilindjes, “sepse ndryshe si mund ta lejonin ata të fliste ashtu në parlament!?” Lidhun me këtë dyshim unë personalisht e shoh ma mdryshe. Mendoj se ftesa e Rigertes në Kuvend, lejimi i saj me folë aty asht thjesht tregues force nga ana e Establishmentit Politik të sotëm. Establishmenti me këtë akt thotë : “Aq të fortë jemi sa iu lamë edhe me na ardhë në parlament, me thanë çka të doni, me na e plasë të vërtetën aty dhe neve prapë mos me na hy therrë në kambë!”
Përlotja e deputetëve?!
Besoj u ka qillue ndonjiherë me u gjendë në atë situatën, kur doni me qeshë me të madhe, por s’mundeni prej rrethanave e nga përmbajtja e tepërt, nga ngërçi, nga gulçi emocional i grumbulluem, u dalin lotët!? Njashtu edhe ata deputetë… duke e shijue knaqsinë e pushtetit -“Aq të fortë jemi, sa iu lamë edhe me na ardhë në parlament, me thanë çka të doni, me na e plasë të vërtetën aty dhe neve prapë mos me na hy therrë ne kambë!”, – ata deputetë mezi e përmbanin veten mos me shpërthye në gaz. Shpërthyen në lotë nga papërmbajta. Kjo ishte bonus! Edhe ma mirë, ku kishte ma bukur se titujt e portaleve: “Rigerta përloti parlamentin!”
Mbas atij fjalimi njerëzia iu reshën në gurë Rigertës. Ajo u ba tabela e qitjes, asaj ia vunë taná fajet, athue se u gjet shkaku i gjendjes, në të cilën asht Shqipnia. A asht kush qe i jep dum kësaj pune!? Rigerta Loku që foli në parlament ka mbarue studimet e larta për shkenca politike në “La Sapienza” në Romë, por ka përfundue me nxjerrë jetesën me blegtori në Mirditë, ndërsa e bija e Ismail Kadarese, e cila ka 27 vjet që jeton në Paris, asht caktue ambasadore e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së në New York!? Ka pyetë njeri ndonjëherë për kualifikimet e ambasadores së Shqipërisë në OKB!? Apo mjafton se e bija e kujt asht!? Kurrkujt nuk i ban përshtypje ky fakt…, në vend që me ba pyetjen pse ndodh kjo, i turren Rigertës, gati me ia nxjerrë sytë!? Në vend që me pyet pse në krye të diplomacise asht i biri i Sul Bushatit, në vend që me pyet pse në përfaqësitë tona diplomatike asht i biri i Xhelil Gjonit njerëzit i reshen gurë Rigertës. Kjo asht e kjartë si drita e diellit… Megjithatë prapëseprapë për shkaqe të panjoftuna për Logjikën Njerëzore opinioni e gjen ma të kollajtë me iu kacagjelue mirditores me diplomë nga “La Sapienza”. Pse?! … Sepse perceptimi për mirditoren përshtatet me stereotipizimin e krijuem me kohë prej tyne: -“Malokja e ka vendin te dhitë!?”. Krejt iu reshën në gurë Rigertës. Imazhin e saj në foltoren e parlamentit u munduen me e zhdukë ashtu si shkyhet nji fotografi, kur njerëzve nuk u pëlqen vetja si kanë dalë. Pritni pak para se me e fshi atë imazh. Fotografinë mundeni me e fshi, por pasqyrës në të cilën kqyreni çdo mjes nuk keni çka me i ba.
“Ta gjuejë me gurë i pari ai që asht i pamëkat”…