Futbollistët dhe stafi i Egnatias po vijojnë pushimet në destinacione të ndryshme.
Pasi festuan siç i ka hije fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë për herë të parë në historinë e tyre, rrogozhinasit kanë konfirmuar se më 12 qershor do të nisin përgatitjet. Këtë herë do të jenë vërtetë ndryshe, sepse janë në vigjilje të përfaqësimit të parë dhe historik në Ligën e Konferencës. Prandaj, do t’u duhet që t’i “karikojnë bateritë” më së miri për këtë debutim në Europë.
Edhe pse ka qenë një kohë e shkurtër pushimi, vetëm 10-ditore, trajneri Edlir Tetova dhe drejtuesit e tjerë të Egnatias kanë qenë të impenjuar për një rifillim sa më të mirë të punës nga kjo e hënë. Disa detaje të rëndësishme të këtij momenti dhe për vazhdimësinë, i bën të njohura përmes një interviste për “Panorama Sport” vetë trajneri Tetova.
Edlir, nga suksesi te pushimet dhe përgatitjet që do të nisin të hënën. Si po shkojnë këto ditë për ju?
Mirë duhet të them. Në fakt, ne tashmë e kemi mendjen tek ajo që na pret. Pasi mbyllëm një sezon futbollistik mjaft të suksesshëm, kemi përgjegjësi të tjera në këto momente. Edhe pse pushimeve po u vjen fundi, ky relaksim sado i vogël them se ka vlejtur për të gjithë.
Cili është plani juaj me ekipin për këtë periudhë?
Të hënën Egnatia do të rikthehet në stërvitje. Do të zhvillojmë seancat stërvitore në Rrogozhinë për 10 ditë, derisa të njihemi edhe me shortin e UEFA-s për turin e parë të Ligës së Konferencës. Pastaj kemi planifikuar të transferohemi në Turqi, ku dihet se aty kushtet janë shumë optimale. Skuadra do të ketë mundësi të marrë ngarkesat e plota, sikurse mund të zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore. Duke qenë se në Europë do të luajmë ndeshjen e parë më 13 korrik, do të përgatitemi fort që të përfaqësohemi sa më denjësisht të jetë e mundur. Jemi në periudhë merkatoje.
Klubi ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit Stivian Janku, çfarë lojtarësh prisni tjetër?
Duam të bëjmë edhe 2-3 afrime. Në këtë moment nuk mund të flas më shumë, sepse jemi në bisedime me lojtarët dhe pa u zyrtarizuar gjërat për kontratën, nuk mund të zbulojmë asnjë emër.
Duke parë edhe rivalët e mundshëm për turin e parë në Ligën e Konferencës, besoni se keni shanse të kaloni një tur?
Si objektiv parësor kemi më së paku kalimin e një turi. Pastaj hap pas hapi, duke parë zhvillimet që do të kemi. Do të varet sigurisht edhe nga shorti që do të na bjerë. E kemi për herë të parë përfaqësimin në Europë, ndaj dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Dëshira është e madhe për të bërë një paraqitje sa më të mirë dhe shkuar sa më larg./PanoramaSport