Një alarm është ngritur në Turqi, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme në provincën e Şanlıurfa, duke plagosur të paktën 16 persona.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, më 14 prill, kur një i ri, i cili u identifikua si 19-vjeçari Omer Ket përdori një armë gjahu dhe qëlloi brenda ambienteve të shkollës. Forcat mjekësore dhe policia u drejtuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa një njësi speciale rrethoi godinën.
Autoritetet raportojnë se shumë nxënës, në panik, u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa pjesa më e madhe e shkollës u evakuua me shpejtësi. Të plagosurit janë transportuar në spitale pasi morën ndihmën e parë në vendngjarje.
Sipas guvernatorit të provincës, Hasan Şıldak, autori i dyshuar është një ish-nxënës i shkollës, i lindur në vitin 2007, i cili më pas dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Dëshmitarë okularë kanë përshkruar skena paniku dhe të shtënash të shumta brenda dhe jashtë shkollës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e sulmit.










