Dren Gashi ka arsye të ndihet krenar. Ai u zgjodh nga “University of Westminster” si student më i mirë për dy vjet radhazi, në studimet e tij për inxhinieri ndërtimi. Ky zhvillim i solli shumë oferta pune në Londër dhe më gjerë.
Lidhja e tij me ndërtimin nuk është e vonshme dhe nuk ka ndodhur rastësisht. Ai vjen nga qyteti i Pejës, që gjithmonë ka pasur mjeshtra dhe dikur kishte Çarshinë e mbushur me zantalinj.
Edhe Dreni vjen nga një familje e cila ka traditë të gjatë në industrinë e drurit dhe drugdhendjes. Pasi kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, vazhdoi studimet në Londër. Më parë atje i kishin shkuar dy xhaxhallarët e tij Beni dhe Lutfiu, të cilët tashmë me zanatin e drugdhendësit udhëheqin kompaninë “L&B Joinery”, gjë që i krijoi një ambient më të mirë për të shkuar atje, shkruan.
“Ideja se Londra kishte universitete me renome, dhe se unë do kisha një vend për t’u strehuar gjatë studimeve më krijoi një dëshirë të palëkundur për të vazhduar me studime në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2014 udhëtova në Londër për herën e tretë dhe mësova të githa procedurat e aplikimit; në 2015 aplikova dhe u pranova në dy universitete, njëri prej tyre ishte Universiteti Westminster ku unë tash vijoj studimet për inxhinieri të arkitekturës dhe ndërtimit”, tregon Dren Gashi.
Sfida që e pret secilin të huaj në Londër, e priti edhe Drenin. Sfida financiare. Mirëpo fati i familjarëve, kishte bërë që ai ta ndiente më pak. Teksa sfidat në studime i kishte të pakta, pasi thotë që bazën e arsimit që e mori në Kosovë i kishte ndihmuar shumë.
“Ligjet e Njutonit që m’i mësoi zotëri Musli Murtezaj në shkollën fillore kujtoj që ishin çelësi i të gjitha sfidave në teste, dizajnim dhe konstruksion. Andaj ju sygjeroj të gjithë nxënësve që dëshirojnë të zhvillojnë karrierë në ingjinieri, të fillojnë të mësojnë fizikën dhe matematikën që nga fillimi, duke krijuar një bazament të fortë”.
“Është shqetsues fakti se bota po mëson gjëra më praktike ndërsa studentët kosovarë ende mësojnë më shumë se sa duhet për tekonologji tashmë të vjetra të ndërtimit”
Ai kthehet në kohë dhe tregon se si ishte magjepsur nga inxhinieria e ndërtimit, kur në shkollë fillore bashkë me një shokun e tij, Gegë Cena, iknin në zyrat e babait të shokut që merrej me këtë punë.
“Së bashku ne ndërtonim ënërrat e së ardhmës, e pjesa më e bukur ishte ta vizitoja zyrën e babait të tij ku unë gjeja vijat, shkencën, matematikën dhe aromën e gjallërisë. Ndërtimi është vërtetë i gjallë, dhe shqiptarët gjithandej Europes po i japin jetë”, flet më tej Gashi, teksa përmend se në Londër ka inxhinierë shqiptarë që kap prekur nivelet e larta të punës, sikur është Lekë Gjinali.
“Ky njeri ka qenë inspirim i vërtetë për mua dhe më ndihmoi duke më ofruar punë në konsulatën e tij ku ai është partner kyç”, vazhdon të tregojë Dreni, teksa rrëfen momentin e parë kur është futur në zyrat e punës së Gjinalit. “Kur hyra të parën herë në zyrat ku punon Leka, ishte një emocion i vërtetë, plot inxhinierë të avancuar britanikë, spanjollë, serbë, italianë, gjermanë, rumunë, etj. Por ajo që më la më së shumti përshtypje, ishte flamuri kuq e zi në tavolinen e Lekës i cili shihej nga të gjitha anët”.
Si u zgjodh studenti më i mirë
Fakulteti i Ndërtimit në “University of Westminster” në nivelin e 6 ku tanimë është Dren Gashi nga Peja, ka të përzgjedhur 100 studentë më të mirë nga e gjithë bota. Më pas mesatarja e notave që arrihen gjatë vitit, bën një student që të zgjidhet më i miri, që kësaj radhe dhe herës së kaluar u zgjodh Dreni.
“Me punën time arrita që për dy vite të kisha mesataren më të lartë ku vitin e kaluar u zgjodha edhe nënkryetar i Organizatës së Ndërtimit në Westminster duke shënuar vizita në ndërtime me renome në Angli”, tregon Dren Gashi.
“Shqetësuese që studentët në Kosovë mësojnë për teknologjitë e vjetra”
Duke pasur një përvojë në shkollimin anglez, ai u pyet nga Ndertimi.info për atë se çka mendon në lidhje me kurrikulat dhe atë se çka mësojnë studentët kosovarë në Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë në Prishtinë.
“Kam pas rastin ta vizitoj Fakultetin e Ndërtimit në Prishtinë dhe faktikisht kam parë edhe kurrikulën e inxhinierisë dhe arkitekturës atje. Është shqetsues fakti se bota po mëson gjëra më praktike ndërsa studentët kosovarë ende mësojnë më shumë se sa duhet për tekonologji tashmë të vjetra të ndërtimit”, ngre shqetësimin e tij Gashi.
Por, nuk përfundon me aq. Ai tregon se si asnjë lëndë nuk i jep rëndësi trendeve të fundit në këtë fushë.
“Po ashtu, profesorat atje nuk u japin rëndësi fare trendeve të fundit siç janë platforma BIM, programet softuerike dhe po ashtu nuk ka asnjë lëndë që ka lidhje me praktiken profesionale e cila të bën inxhinier apo arkitekt me përgjegjsi për ambientin dhe për njerzit. Më e keqja dhe më qesharakja është se atje nuk dihet se cili është arkitekti e cili është inxhinieri. Studentët e arkitekturës mësojnë në kurrikulë ekstensivisht për betonin, statikën, izolimin e gjëra të tjera për të cilat kujdesen inxhinierët. Ndërsa në Londër arkitektët mësojnë art, dekor dhe estetikë siç do duhej të bënin edhe në Kosovë”.
“Në mungesë të inxhinirëve të akredituar të statikës çdo gjë mbidizajnohet duke rritur koston në Kosovë”
Ai flet edhe për ndërtimet në Kosovë. Këtë e sheh sikur problematikë, ngaqë thotë se gjithçka rrjedh nga ekonomia e dobët që ka gjeneruar Qeveria e Kosovës, e që si rrjedhojë prodhon edhe një arkitekturë, inxhinieri dhe infrastrukturë të varfër.
Për më shumë ai thotë se ndërtimet në Kosovë ka gjasa që të kenë energjinë konsumuese më të lartë në bazë të territorit dhe kërkesës, teksa padyshim thotë që mungesa e profesionistëve për evaluim të kostove dhe inxhinierave të akredituar bëjnë që të rritet kosto shumë në ndërtim.
“Kjo sepse ndoshta 90% e strukturave domestike, komerciale dhe të tjera janë të ndërtuara nga struktura të betonit dhe tullave të cilat marrin shumë energji për t’u prodhuar. Për më tepër në mungesë të profesionistëve në evaluim të kostos të cilët në Londër i quajmë ‘Quantity Surveyors’ dhe në mungesë të inxhinerave të akredituar të statikës çdo gjë mbidizajnohet duke rritur koston dhe duke krijuar risqe të tjera të cilat do ishin të papranuara në shtetet perendimore”, shprehet Gashi.
Dren Gashi, pejani që tashmë Londra dhe jo vetëm, po e dëshirojnë në kompanitë e tyre të ndërtimit ka një qëllim, jo më të vogël që të kryejë edhe një fakultet e avancime tjera.
“Qëllimi im është që të kryej edhe një fakultet në inxhineri civile dhe më pas do të angazhohem të punoj jashtë Kosovës për një eksperiencë deri 5 vjet ku paralel do specializohem për inxhineri mekanike dhe strukturore dhe do akreditohem ndërkombëtarisht nga institute të jashtme në këtë lëmi”.
https://ndertimi.info/dren-gashi-studenti-pejan-i-inxhinierise-qe-po-e-kerkon-e-gjithe-londra-bisede/