Një i verbër endet dy ditë dyerve të spitalit duke pritur të vijnë dritat, ndërsa qytetarëve u thuhet se nuk mund të marrin shërbimin që u nevojitet. Kjo është Shqipëria reale, larg konferencave, sloganeve dhe projekteve që mbushin rrjetet sociale.
Sipas një denoncimi të mbërritur në JOQ Albania, babai i qytetarit, i cili është i verbër, është paraqitur dje dhe sot në Spitalin e Ballshit për të marrë një rekomandim drejt Fierit, procedurë e nevojshme për një shtrim të mëvonshëm në QSUT. Por sipas tij, përgjigjja që ka marrë ka qenë e njëjtë: “Nuk kemi drita”.
Denoncuesi pretendon se prej disa ditësh energjia elektrike vjen dhe ikën vazhdimisht, ndërsa shumë pacientë që udhëtojnë nga fshatrat e zonës detyrohen të presin me orë ose të kthehen pa marrë shërbim. Në vend që të presin radhën te mjeku, qytetarët po presin radhën e dritave.
Ndërkohë që ministrat, fondet dhe organizatat gjejnë kohë të diskutojnë tema gjithnjë e më të largëta nga hallet e përditshme të shqiptarëve, në Mallakastër qytetarët kanë një problem shumë më bazik: një spital që sipas denoncimit nuk arrin të funksionojë normalisht për shkak të mungesës së energjisë.
Ndoshta para se të diskutojmë për identitete, ideologji dhe axhenda që preokupojnë një pjesë të politikës dhe aktivizmit, duhet të sigurohemi që spitalet të kenë drita, pacientët të marrin shërbim dhe të sëmurët të mos enden korridoreve në pritje të energjisë elektrike.
Sepse për qytetarin që ka hallin e shëndetit, prioriteti nuk është debati i radhës. Prioriteti është të gjejë një spital që punon.










