E hëna e parë e shtatorit nis me sesionin e ri parlamentar. Në orën 18:00, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët rikthehen në parlament me një axhendë të ngjeshur. Në seancën e parë plenare ligjvënësit do të njihen për çështjet e depozituara në Kuvend nga socialistët.
Në nisje të seancës plenare, deputetët e grupit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës pritet të depozitojnë në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për të njohur Luçiano Boçin në vend të Enkelejd Alibeajt kryetar të grupit të ligjvënësve blu. Këtij grupimi, së fundmi i janë bashkuar edhe deputeti i Dibrës Xhelal Mziu dhe ai i Beratit Tomorr Alizoti.
RENDI I DITËS:
- Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 21.7.2022, 24.7.2022 dhe 28.7.2022. (Neni 44, pika 2, i Rregullores)
- Njoftime për çështjet e depozituara në Kuvend. (Neni 44, pika 3, i Rregullores)
- Njoftim për programin e punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator – 14 tetor. (Neni 26 i Rregullores)
- Njoftim për kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator – 30 shtator.
(Neni 27 i Rregullores)
Ky sesion i ri do të sjellë dhe debate për çështje të hapura pak muaj më parë. Nisma e socialisteve për të ndryshuar ligjin e dekriminalizimit ku të parashikohet pastrimi jo vetëm i radhëve të parlamentit, por gjithë politikës e institucioneve të pavarura nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, do të diskutohet në seancat në vijim. Çështjet të tjera të rëndësishme të mbartura nga sesioni i shkuar janë përfundimi i dy reformave, asaj zgjedhore dhe asaj territoriale.