Nga Rudi Berisha*
Ne shqiptarët e ndershëm dhe të dinjitetshëm, ne të gjithë atdhetarët jemi të gatshëm të bëjmë Ri-bashkimin e Shqipërisë. Në shkrimet tjera e kam thënë më shumë se sa një herë, që Ri-bashkimi duhet të ndodhë patjetër, me çdo kusht, por në radhë të parë duhet të shikojmë rrethanat kombëtare, politike në trojet shqiptare dhe duhet të jemi të kujdesshëm duke përcjellë Bashkësinë Ndërkombëtare, politikat botërore dhe lëvizjet e fuqive të mëdha në botë!
Në këtë kohë nuk është ylli në anën tonë, lëvizjet botërore dhe fuqitë e mëdha globale fatkeqësisht nuk janë edhe krejt në anën tonë. Një gjë sot ka rëndësi të madhe; duhet të analizojmë fare mirë se kush udhëheq në Shqipëri, Kosovë, Iliridë (Maqedoni) dhe duhet të jemi të vedishëm që këta udhëheqës si është gjendja dhe jeta e tyre me realitetin, lidhja e tyre me popullin shqiptar dhe lidhjet e tyre cilat janë, me cilat forca botërore? Nëse këtë e mësojmë shumë gjëra do ndërrojnë përballë këtyre udhëheqësve dhe do mësojmë rrugën e tyre dhe idetë e tyre për Ri-bashkim kombëtar.
Rolin me të pa mjaftuar nuk po e merr Shqipëria përballë shqiptarëve dhe kufijëve aktualë të Republikës së Kosovës. Qeveria e Shqipërisë dhe pushteti aktual duhet të jetë mbrojtësi më i madh për Kosovën, por në radhë të parë duhen të jenë institucionet e Republikës së Kosovës të lindura nga sakrificat e mëdha, nga gjaku i martirëve, dëshmorëve, heronjve dhe mundi e djersa popullore shqiptare në Kosovë.
Në radhë të parë duhet të çmojmë atë që kemi sot, atë që kemi fituar me gjak duhet ruajtur, forcuar dhe me pas të ecim tutje për të punuar në Ri-bashkim dhe afrim të popullit të ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha.
Kurrë në jetë nuk i kam dashuruar lojrat e fatit, sot disa të paditur dhe karrieristë në trojet shqiptare janë duke luajtur lojra të fatit. Çështja jonë kombëtare është përtej lojrave të fatit, lufta gjithmonë bëhet duke kontribuar me vullnet, dije, guxim, obligim dhe moral për të arritur lirinë, gjaku është fitorja dhe liria që sot gëzojmë ne shqiptarët e Kosovës.
Nëse nuk kemi mundësi që sot të ruajmë këta kufinj aktualë, nuk do duhej të shkojmë tutje me këtë strategji dhe ide për “korigjim”. Nëse nuk pajtohemi me formën dhe idenë, ne nuk jemi kundër Ri-bashkimit.
Por, nuk heqim dorë nga Ri-bashkimi i Luginës se Kosovës, atje kemi gjakun tonë, kemi motra dhe vëllezërit tanë atje.
Dielli sot nuk është në ngrohëtësinë tonë, rrezet e diellit kanë ikur në horizontin e errët për ne shqiptarët këto vitet e fundit, udhëheqësit tanë janë kthye në “monarki”, kjo na shqetëson jashtë mase…
Nëse do kemi një platformë dhe një mendim të qartë, të sinqertë dhe të drejtë që na mëson dhe na sqaron të vërtetën neve shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në gjithë globin nga përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës do jemi dhe ne pro marrëveshjes Kosovë-Serbi, por me këto mjegulla të krijuara në sy të kamerave kombëtare dhe botërore ne abstenojmë nga ky dialog…
Çështja e Kosovës nuk është çështje veç e jona, është çështje më e madhe dhe është Çështje Kombëtare dhe obligim i çdo shqiptari të dijë çka në të vërtetë po ndodh me tokat shqiptare në Kosovë. Politika shqiptare e Shqipërisë duhe të jetë pas nesh, duke na korigjuar dhe na këshilluar për të arritur të ruajmë këtë teritor që kemi fituar me gjak e pse jo edhe të marrim akoma territorin tonë që na takon me çdo ligj ndërkombëtar, me drejtësinë e Zotit.
Gjaku i derdhur këtu në Dardani (Kosovë), i familjarëve tanë, i të afërmëve tanë na detyron më shumë të jemi të parët në vendimmarrje për Kosovën, por nuk është e ndershme t’ju themi politikës shqiptare të Shqipërisë të na rrinë larg dhe t’ju themi që për Kosovë vendosim ne shqiptarët e Kosovës. Ne jemi motra dhe vëllezër shqiptarë, nuk do jetë etike, morale dhe jo njerëzore të veprojmë kështu. Një gjë duhet kujtuar që Kushtetuta e Shqipërisë obligon Shqipërinë të mbrojë shqiptarët jashtë kufinjve të saj.
Nuk jemi dobësuar për ëndrrat t’i bëjmë realitet, nuk jemi lodhur fare që të punojmë për Ri-bashkim, por të kemi kujdes që atë që e kemi në dorë, atë që e posedojmë, atë që e kemi të fituar me gjak mos të humbim. Por, duke ruajtur këtë që kemi fituar, duke fuqizuar faktorin shqiptar do arrrijmë deri të Ri-bashkimi i vërtetë dhe të Ri-bashkimi i Shqipërisë Natyrale.
Tani është kohë e ligë, është kohë e rëndë për shqiptarët, politika ka sjell shumë shoqata dhe njerëz të dëshmuar në një lajthitje të madhe dhe të rëndë, tani janë ndarë shumë në dysh, kanë frikë dhe drojë se cilën rrugë të ndjekin, cila është rruga e drejtë qe duhet të ndjekin shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, të Luginës dhe të Iliridës?
Nuk është fitore të ndash tokën, të dhurosh tokën armikut për të marrë tokë. Të dhurosh tokën shqiptare për tokë shqiptare kjo është e pa pranueshme nga gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të dinjitetshëm dhe nga të gjithë shqiptarët qe kanë gjak shqiptari.
Sot është koha për ruajtjen e asaj që është fituar, është koha për të ecur tutje me hapa të përforcimit të asaj që është fituar, sot jemi në një kohë tjerët, në një shekull tjetër, sot nëse politika nënshkruan një marrëveshje, ajo ka peshë të madhe dhe do të mbrohet nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe do jetë e pakthyeshme edhe nëse do jetë e dëshmshme për shqiptarët.
Populli shqiptar është në pozitë të mirë, jemi në fitore për të marrë tokat tona, sot shqiptarët në përgjithësi janë në një jetë më të mirë se para shumë vitesh, por sot politika botërore nuk është më e mirë se vitet që ikën, andaj këtu duhet të kemi shumë kujdes dhe të jemi të arsyshëm dhe të vedishëm.
Sot, ne shqiptarët jemi mirë, por është shumë e lehtë të humbim shumë, më e mirë do ishte forcimi akoma i shqiptarëve, të punojmë me fortë dhe të presim trokitjen e orës tonë, të përqafojmë të rrahurat e orës për shqiptar në tërë trojet tona shekullore dhe autoktone pellazge, ilire-shqiptare…
Jam për Ri-bashkim kombëtar, jam për liri dhe çlirim të shqiptarëve, por vetëm kur nuk do ketë mjegull dhe humbje të asaj që kemi fituar me gjak deri me tani.
Më vjen keq, nuk jam me të gjithë ata që humbin tokën, pasurinë tonë shqiptare të fituar me gjak për një tokë që në të vërtetë është toka jonë, e tokën tonë sërish një ditë ta kthejmë dhe ta Ri-bashkojmë me Nënën Shqipëri…
Zoti e bekoftë popullin shqiptar! Zoti na begatoftë me të mirën për liri dhe drejtësinë tonë shqiptare. Zoti e bekoftë Shqipërinë Natyrale!
* Rudi Berisha është kryetar i Klubit Letrar “Zahir Pajaziti”
Prishtinë – Dardani, 06 tetor 2018